Në vitin 2017 Bill Gates ka mbajtur një fjalim në Konferencën Ndërkombëtare për Politikat e Sigurisë në Mynih. Aty ai nuk foli për armët bërthamore dhe as për sigurinë kibernetike, por për viruset dhe pandeminë e radhës që do të godiste botën. Çdo epokë ka profetët e saj, ndoshta Bill Gates është profeti i kohës sonë.

Nga Bill Gates/ Kur përpara 20 vitesh vendosa që boshti kryesor i punës sime filatropike të ishte shëndeti global, nuk e imagjinoja se do të flisja në një Konferencë Ndërkombëtare për Politikat e Sigurisë. Por jam këtu sepse mendoj se botët tona janë të lidhura më ngushtësisht nga sa mendon pjesa dërrmuese e njerëzve.

Ja një shembull. Unë harxhoj shumë prej kohës sime në përpjekje për të zhdukur poliomelitin. Kemi bërë një progres të paimagjinueshëm. Nga 125 vende ku poliomeliti ishte endemik, 122 shtete e kanë zhdukur këtë sëmundje. Vetëm Afganistani, Pakistani dhe Nigeria nuk kanë arritur të çlirohen prej tij. Dhe kjo nuk është rastësi.

Zonat e luftës dhe shtetet e brishta janë më të vështirat për të eliminuar epidemitë. Por siç ka edhe vende të tjera ku ato zgjerohen, siç kemi parë me Ebolan në Sierra Leone apo Liban apo me kolerën në Basenin e Kongos dhe në Bririn e Afrikës. Kështu që për të luftuar epidemitë, ne duhet të luftojmë edhe varfërinë gjithashtu.

Gjithashtu është e vërtetë se epidemia e radhës mund të lindë në ekranin e një kompjuteri me qëllim terrorist duke përdorur inxhinierinë gjenetike për të krijuar një version sintetik të virusit të lisë, ose një version vdekjeprurës të gripit.

Çështja është se ne injorojmë lidhjen mes sigurisë shëndetësore dhe sigurisë kombëtare.

Pavarësisht nëse kjo ndodh nga një trill i natyrës apo nga dora e një terroristi, epidemiologët thonë se një patogjen që lëviz shpejt në ajër mund të vrasë më shumë se 30 milionë njerëz në vit. Dhe ata thonë se ka një probabilitet të arsyeshëm se bota do të pësojë një shpërthim të tillë në 10-15 vitet e ardhshme.

Është e vështirë të imagjinosh një katastrofë të kësaj përmase, por ka ndodhur jo shumë kohë më parë. Në vitin 1918 një grip veçanërisht viral dhe vdekjeprurës vrau mes 50 milionë dhe 100 milionë njerëz.

Ju mund të pyesni veten se sa të ngjarë ka që të ndodhin këto skenarë në fund të ditës. Fakti që kohët e fundit nuk ka ndodhur një pandemi globale vdekjeprurëse nuk duhet të na bëjë të mendojmë në mënyrë të gabuar se një pandemi vdekjeprurëse nuk do të ndodhë në të ardhmen.

Edhe pse pandemia e rradhës nuk do të jetë në përmasën e gripit të vitit 1918, do të ishte e udhës të merrnim në konsideratë trazirat sociale dhe ekonomike që mund të pasonin nëse diçka si Ebola do të shfaqej në shumë qendra të mëdha urbane. Ishim me fat që shpërthimi i fundit i Ebolës u izolua në kohën e duhur.

Lajmi i mirë është se me përparimet në bioteknologji, vaksinat dhe ilaçet e reja mund të ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së epidemive që duken jashtë kontrollit. Dhe, shumica e gjërave që duhet të bëjmë për t’u mbrojtur ndaj një pandemie që ndodh në kushte natyrore janë të njëjtat gjëra që duhet të përgatisim për një sulm biologjik të qëllimshëm.

Së pari dhe më e rëndësishmja, ne duhet të ndërtojmë arsenalin e armëve të reja: vaksinat, barnat dhe diagnostikimin.

Vaksinat mund të jenë veçanërisht të rëndësishme për të mbajtur nën kontroll epidemitë. Por sot, zakonisht duhen deri në 10 vjet për të zhvilluar dhe licencuar një vaksinë të re. Për të frenuar në mënyrë të konsiderueshme vdekjet nga një patogjen që përhapet me shpejtësi në ajër, do të duhet ta reduktojmë në mënyrë të konsiderueshme këtë kohë, në 90 ditë ose më pak.

Ndërmorëm një hap të rëndësishëm muajin e kaluar me nisjen e një partneriteti të ri publik-privat të quajtur Organizata për Inovacionin e Gadishmerisë Epidemike (CEPI). Shpresojmë që CEPI t’i mundësojë botës prodhimin e vaksinave të sigurta dhe efektive sapo kërcënimet e reja të shfaqen.

Potenciali më i madh ndodhet në platformat e reja të teknologjisë që përdorin përparimet e fundit në gjenomikë për të ulur në mënyrë radikale kohën e nevojshme për zhvillimin e vaksinave. Kjo është e rëndësishme sepse ne nuk mund të parashikojmë nëse sëmundja tjetër vdekjeprurëse do të jetë diçka që ne e njohim, apo diçka që nuk e kemi parë kurrë më herët.

Pa u futur në detaje teknike, këto platforma të reja teknologjike në thelb krijojnë një mjet shpërndarjeje për materialin gjenetik sintetik që udhëzon qelizat të bëjnë një vaksinë brenda trupit tuaj. Dhe gjëja fantastike është që pasi të keni ndërtuar një platformë vaksinimi për një patogjen, mund ta përdorni përsëri për patogjenë të tjerë. Duhet vetëm të zëvendësoni disa gjene.

***

Kur isha fëmijë, kishte vetëm një rrezik thelbësor me të cilin bota po përballej. Rreziku i një lufte nukleare.

Por në fund të viteve ’90, shumë njerëz të arsyeshëm arritën në përfundimin se ndryshimet klimatike paraqisnin një tjetër rrezik për racën njerëzore.

Ndërsa unë kam parë rrezikun e pandemive vdekjeprurëse së bashku me luftën bërthamore dhe ndryshimet klimatike. Të bëhesh gati për një pandemi të mundshme globale është aq e rëndësishme sa shmangja e luftës bëthamore dhe e ndryshimeve klimatike.

Inovacioni, bashkëpunimi dhe planifikimi i kujdesshëm mund të zbusin në mënyrë dramatike rreziqet e paraqitura nga secila prej këtyre kërcënimeve.

Në të vërtetë, fakti që më pak njerëz vdesin në konflikte tani sesa në çdo kohë në historinë njerëzore është rezultati i drejtpërdrejtë i zgjedhjeve të bëra së nga bashkësia ndërkombëtare, përfshi edhe përpjekjet si si Konferenca e Sigurisë e Mynihut.

***

Jam optimist se brenda një dekade nga tani, ne do të jemi më të përgatitur për një epidemi vdekjeprurëse nëse do të kemi vullnetin për të alokuar një fraksion të buxhetit për mbrojtjen ushtarake dhe blerjen e armëve të reja në gatishmërinë nga epidemitë.

Kur pandemia tjetër të godasë, mund të rezultojë një tjetër katastrofë në analet e racës njerëzore. Ose mund të jetë krejtësisht tjetër gjë: Një triumf i jashtëzakonshëm i vullnetit njerëzor. Një moment kur vërtetojmë përsëri se, së bashku, ne jemi të aftë të marrim përsipër sfidat më të mëdha në botë për të krijuar një botë më të sigurt, më të shëndetshme, më të qëndrueshme.

Në fund të fundit, zgjedhja është e jona.

/Përshtatur në shqip nga Erjon Uka./tiranapost

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu