Prof. Dr. Bahri Brisku

Lidhur me recenzimin e romanit “Pa Emër”, të autores Diana Rexhepi, si recenzent i kësaj vepre kam ardhur në përfundim që kjo vepër letrare ka arritur vlerat dhe cilësitë e një romani bashkohor. Autorja Diana Rexhepi që në kapitullin e parë, ka arritur të dëshmojë që edhe pse e re në moshë, ka hartuar një vepër në të cilën përthekon me dinjitet të gjitha cilësitë artistike të kësaj vepre të cilën e ka emëruar “Pa Emër”.

Romani është thurur në 27 pjesë të cilat janë artistikisht të lidhura në rrjedhën e tyre hartuese.

Fuqishëm dëshmon që kemi të bëjmë me një shkrimtare e cila jo vetëm që është marr rregullisht me leximin e veprave cilësore letrare, por edhe me fakti që kjo disponon një talent origjinal krijues. Në këtë vepër, Diana qartë dëshmon që disponon një fantazi të madhe krijuese artisitike, dhe kjo padyshim që në të ardhmen do t’i hap shtigje të reja në krijimtarinë e përgjithshme shqiptare.

Në gjirin e krijimtarisë artisitke, ne shqiptarët nuk kemi shumë emra që merren me këtë fushë krijuese. Femrat shqiptare, kryesisht i gjejmë si krijuese të vargjeve. E pëlqejnë poezinë, kurse në zhanre tjera krijuese janë të rralla. Kështu shkrimtarja Diana Rexhepi duke u marrë me krijimin e prozave të gjata, siç janë romanet, qartë dëshmon që hartimin krijues më të vështirë e përballon me sukses. Romani “Pa Emër” i kësaj autore është një vepër që do të pëlqehet shumë nga lexuesit. Atributin kësaj vepra i’a rrisin edhe tematikat interesante që shtohen në këtë roman.

Gjuha që është përdorur në këtë vepër është e pasur që gërshetohet me figura stilistike interesante dhe origjinale. Jam i bindur që me botimin e këtij romani, letërsia shqipe begatohet artistikisht.

 

Ibrahim Kadriu

“Pa Emër”, roman i Diana Rexhepit që do t’i ketë lexuesit e vet.

Ky roman i shkrimtares është me veçanti nga stili, që dallon për nga mënyra e shtjellimit, duke u radhitur jashtë formave konvencionale, dhe nga përmbajtja e cila ka për bazë temën e shthurrjes familjare; të një familje të cilës i kanë humbur rrugët, siç thuhet, në oborr. Kemi të bëjmë me prindin (babanë) e frustruar, përkatësisht të larguar nga jeta normale dhe të mbetur në mëshirën e drogës dhe të primitivizmave tjera që lidhen me pasojat që kushtëzohen nga droga. Sado që tema si e tillë ka vështirësi të skajshme të raportit të babait me bijat e veta dhe (si lexues) të rrëmben nervikosja, autorja i është përkushtuar në mënyrë më serioze, duka pasur parasysh se (edhe në mesin tonë) kjo temë e ka aktualitetin e vet.

Gjuha e përdorur në roman është gjuhë e përvojës dhe bën të kuptohet se shrimtarja është njohëse e mirë e gjuhës në përgjithësi dhe e sintaksës në veçanti. I ka dhënë rëndësi personifikimit të personazheve, duke i indentifikuar me gjendjen shpirtërore të tyre e cila, shpesh, gjen mbështetje në halucinacione. Nga prezantimi i ambienteve të caktuara, që janë në përputhshmëri me veprimet e personazheve, përkatësisht me tematikën e shtruar, te lexuesi krijojnë imazhe të dhembshme.

Gjithë rrëfimi romanor ka dinamikë e cila i jep shans lexuesit ta lexojë me vëmendje dhe, gjatë leximit, të ndjehet mirë.

“Pa Emër” është roman që sjell risi në letrat tona si tematikë dhe si mbarshtim.

 

Përmbledhja e romanit

“Pa Emër” sado që në shikim të parë shpjegon njërën nga situatat më vështirë të një familje, e më pas të një shoqërie të tërë, në thelb është një rrugëtim. Një rrugëtim i gjatë, jo i një rruge të thjeshtë e cila ka një fillim dhe një fund, por të atij rrugëtimi të brendshëm shpirtëror në të cilën na mban dhe na drejton personazhja kryesore e romanit.

Një vajzë e cila jeton në një ambient të vështirë, poshtë një kulmi me të atin drogaxhi, ku ekziston dhuna dhe mospranimi, vajza humb indentitet, humb fytyrë dhe humb emër, diçka që i duhet t’i gjej përgjatë çdo kapitulli të romanit. Një rrugë kjo e cila e dërgon në situata të ndryshme, në takime me shumë njerëz dhe me të kërkuarin e vetvetes, gjë që gjithmonë i ishte mohuar, me dëshirën që të krijoj diçka për të ardhmen e saj.

Po, “Pa Emër” e trajton temën sociale, bashkë me atë të dhunës, por ka më shumë se kaq. Atë që unë si shkrimtare kam dashur të paraqes, është diçka pak më e brendshme, më personale; një fytyrë tjetër të dhunës – atë anën psikologjike, pasi që kjo e fundit nuk është vetëm fizike. Asnjëherë.

Mesazhi që kam tentuar të përçoj është ai i njerëzimit, për këdo që ka kaluar ose jo në diçka të ngjajshme. Porosia që “nuk je vetëm” në këtë odise jetësore nuk është thjesht i personazhes, por i secilit prej nesh./filozofia.al

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu