Ndonëse jam thyer e pa fjalë kam mbetur, netëve ku zgjuar rëndoja kryet me pikëpyetje, edhe pse kam heshtur e kam urryer veten jo pak herë, prap, jam një vajzë që di të dua! Ndonëse provova shije të hidhura, në ditët kur mendoja se jam e lumtur, dhe jeta më ktheu shpinën, mësova të zgjohem edhe njëherë pa pendime e t’i gëzohem pranverës.

Gostitë që na ofron tryeza e jetës, janë njëmënd shije për t’u provuar, as unë as ti nuk i kemi shpëtuar, jemi bërë palë me të, jemi ngopur, në të ëmbël e në të kripur, por prap i jemi gjendur vetes ulur sërish përballë saj. Prap kemi zgjatur duart për një tjetër pjatëz në mëngjese të vona…

Dje, pashë veten në pasqyrë, ngultas kërkoja të shihja edhe njëherë shpirtin që di të dojë, të shihja në sy veten e të njihja prap një zemër që rreh, të gjeja edhe njëherë buzëqeshjen e njeriut që ngritjen e ka më të fortë se rrëzimin, atë fytyrë jetë-plot që do të thotë një ditë me gjithë zemër, po!

Po, unë jam një vajzë që besoj në dashuri, jam ende një vajzë në thelb që besoj në përralla, e kam lexuar jetën time qindra herë si të ishte një roman, jam veshur në rolin e personazhit kryesor, kam qarë e jam lumturuar me histori e me jetë librash, ndonëse jam thyer e pa fjalë kam mbetur nga vetë jeta ime…ende besoj se jam një vajzë që di të dua!

Cdo gjë ndodh nga një herë… por nëse ndodh dy, me siguri do të ketë edhe njëherë të tretë!

Ndaj ju binda edhe këtë herë rrugëtimeve të diktuara. U binda dhe hodha pas krahëve gjithcka më shkundi qënien pa i përsëritur vetes fjalë dhembje: mund të kishte qënë ndryshe. Jo, cdo gjë ka qënë ashtu për një arsye, e tillë ka qënë dhe nuk do të bëhej më mirë, unë edhe ti thjesht do të mësoheshim me të!

Unë do të jem prap një poezi të cilën nuk do të di kurrë ta shkruaj, do jem një muzikë e pakënduar në pianon tënde, do të jem një pikturë në pritje mbetur në telajo, do të jem prap një vajzë që di të dua… dhe kjo është ajo që kam dashur t’ja them vetes e ty, prej në zgjim e deri në gjumin e thellë, kam gjetur edhe njëherë brenda vetes një fytyrë jetë plot që do të thotë me gjithë zemër, po!

Një ditë do të harrojmë lotët, dhimbjet, e në heshtje do të kuptojmë se liria nuk është hakmarrja ndaj atyre që shpirtin na e thërrmuan, por t’i lëmë gjërat në kohën, rrugën e vendin e tyre.

Unë do të jem historia që do të dua të tregoj, e një vajze që di të dojë…

– Des’aintila

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu