SHARE

Shkrimtari austriak Stefan Zweig në biografinë e tij i’a kushton një pjesë të mirë takimit të tij të fundit me Sigmund Freud. Të dy, sa ishin në Vjenë në vitet ’20-të të shek.XX, në kulmin e famës kishin shkëmbyer shumë herë letra me njëri tjetrin.

Pasi Vjena bie në duart e nazistëve, Frojdi migron në Londër. Cvajgu nuk rresht asnjëherë që t’i vizitojë shokët e tij.

Takimi i tyre i fundit, siç shpjegohet në këtë pjesë të shkëputur nga biografia e Cvajgut, ndodh në një lagje të humbur të Londrës. Frojdi aso kohe 80 vjeçar, vuante nga kanceri i nofullës.

Cvajgu përshkruan në detaje sesi ishte takimi më i vështirë në jetën e tij.

“Ai burrë që po gjente tani strehim në Londër pasi kishte ikur nga atdheu i vet, të cilit ia pati rritur lavdinë në mbarë botën e për të gjitha kohërat, me moshën që kishte qe tanimë një plak e një njeri i sëmurë rëndë. Por nuk ishte aspak një burrë i lodhur e i kërrusur. Me vete isha trembur një çik se mos më dukej i dëshpëruar ose i tronditur pas tërë atyre çasteve torturuese që duhej të kishte kaluar në Vjenë, por e pashë më të lirë e madje më të lumtur se kurrë. Më shpuri në kopshtin e shtëpisë që kishte zënë në një lagje të jashtme të Londrës. “A kam pasur ndonjëherë shtëpi më të bukur se kjo?”, më pyeti me një nënqeshje gazmore në ato buzë dikur aq të rrepta. Më tregoi statujëzat e veta të dashura egjiptiane, që ia kishte shpëtuar Marie Bonaparti, dhe shtoi: “A nuk jam përsëri në shtëpinë time?”

Mbi tryezë ndodheshin fletët e mëdha të dorëshkrimit të tij, dhe vazhdonte të shkruante çdo ditë, në moshën tetëdhjetetrevjeçare, me po atë shkrim të qartë e të rrumbullt, me po atë kthjelltësi mendore të viteve të veta më të mira dhe po aq i plaodhur; vullneti i tij i fortë kishte përballuar gjithçka, sëmundjen, moshën, mërgimin, dhe tani për të parën herë po vërshonte lirshëm prej tij ajo mirësia e shpirtit, e ndrydhur gjatë vitesh të shumta lufte. Mosha vetëm se e kishte bërë më të butë, sprovat e kaluara vetëm se e kishin bërë më tolerant. Tani bënte nganjëherë ca gjeste të këndshme që nuk i kisha vënë re kurrë më parë te ky burrë aq i përmbajtur; të hidhte krahun supeve, dhe që prapa xhamave vezullues të gjyslykeve sytë e tij të vështronin më me ngrohtësi.

Gjatë gjithë atyre viteve që njiheshim, një bisedë me Frojdin më kishte dhënë gjithmonë kënaqësinë më të madhe intelektuale. Mësoje prej tij dhe njeherazi e admiroje, e ndieje se të kuptonte në çdo fjalë ai burrë mrekullisht i zhveshur nga çdolloj paragjykimi, që nuk e trembte asnjë pohim, që nuk e shqetësonte asnjë pretendim, dhe që vullneti për t’u mësuar të tjerëve qartësinë e mendimit e të ndjenjave i qe bërë prej kohësh një dëshirë instinktive që e drejtonte në jetë.

Por atë kënaqësinë e jashtëzakonshme të atyre bisedave të gjata nuk e kam ndier kurrë me mirënjohje më të madhe sesa në atë vit të zymtë, në atë vit të fundit të jetës së tij. Qysh nga çasti kur hyje në dhomën e tij, marrëzia e botës jashtë dukej sikur qe davaritur. Gjërat më mizore shndërroheshin në abstrakte, gjërat më të koklavitura kthjelloheshin, ndërsa gjërat më të lidhura me aktualitetin renditeshin të përvuajtura në fazat e mëdha ciklike. Për të parën herë pashë një dijetar të vërtetë, që ngrihej mbi vetveten, që edhe dhembjen e vdekjen nuk i konceptonte më si përjetim vetjak, por si objekt hulumtimi jashtë vetes; vdekja e tij qe një vepër po aq e madhe morale sa dhe jeta e tij.

Frojdi vuante atëherë nga një sëmundje e rëndë, e cila shumë shpejt do të na e merrte. Dukej sheshit se qiellza artificiale e bënte të fliste me vështirësi, dhe njeriut i vinte zor për çdo fjalë që ai thoshte, sepse detyrohej të sforcohej për ta shqiptuar. Por nuk e lëshonte bashkëbiseduesin, shpirti i tij i çeliktë tregonte një ambicie të veçantë për t’u dëshmuar miqve që vullneti i tij vazhdonte të ishte më i fortë se vështirësitë meskine që i shkaktonte trupi.

Me buzët e deformuara nga dhembja, ndenji ulur në tryezën e punës dhe shkroi deri në ditët e fundit të jetës, madje natën, kur dhembjet ia arratisnin gjumin, atë gjumë mrekullisht të thellë e të shëndetshëm, që kishte qenë burimi kryesor i forcës së tij për tetëdhjetë vjet më radhë, nuk pranonte të pinte hape për gjumë ose të bënte injeksione me morfinë. Nuk pranonte ta turbullonte për asnjë çast me qetësues të tillë kthjelltësinë e të menduarit; më mirë të vuante e të rrinte pa gjumë, më mirë të mendonte mes dhembjeve torturuese sesa të mos mendonte dot fare, më mirë të mbetej si hero i mendimit dëri në fund, deri në castin më të fundit. Ishte një luftë e tmerrshme, një luftë përherë e më e madhërishme sa më tepër që zgjaste.

Çdo herë që shkoja për ta parë, vija re se vdekja po hidhte gjithnjë e më qartë hijen e vet mbi fytyrën e tij. Po i zgavronte faqet, po i gdhendte tëmthat, po i shtrembëronte gojën, po ia pengonte buzët të flisnin, por vetëm kundër syve të tij, kundër asaj kulle vëzhgimi të papushtueshme, nga e cila mendja e tij heroike sodiste botën, xhelati i zi nuk mund të bënte dot asgjë; mendja dhe sytë i mbetën të kthjellët deri në çastin e fundit.

Shkëputur nga libri: “Bota e djeshme”- Stefan Zweig
Përktheu: Aristidh Ristani