SHARE

Në veprën e tij “Perëndimi i idhujve” Friedrich Nietzsche, në një pjesë të librit, përmend edhe emrin e shkrimtarit të madh rus, Fjodor Dostojevski. Përnaltësimi që i bën Dostojevskit në këtë libër lë të kuptohet që Niçe e ka njohur mirë veprën e shkrimtarit rus.

“Dostojevski, psikologu i vetëm nga i cili, në mënyrë anësore, pata se ç’të mësoja”, fillon përshkrimi i Niçes. Ajo që e bënë edhe me të rëndësishme afërsinë e Niçes me Dostojevskin është konteksti të cilin Niçe zgjedhë për ta dhënë mendimin e tij për shkrimtarin rus; përkatësisht në nënkapitullin e titulluar “Krimineli dhe të ngjashmit me të”.

Niçe këtu flet për raportin e kriminelit me shoqërinë. Atë që shoqëria e sheh si kriminel, për Niçen, në shumë raste, bëhet fjalë për njerëz të vërtetë tek të cilët bashkëjetojnë si ana humane por edhe ajo më shtazarakja. Kuptimi i kriminelit këtu ka të bëjë më shumë me shoqërinë: vet shoqëria është ajo që me padrejtësitë e saj i prodhon kriminelët, të cilët mëpastaj i fut në qeli.

Edhe tek Dostojevski gati të gjitha përsonazhet e tij vrasin apo vetëvriten. Siç është rasti me Raskolnikovin tek vepra “Krim dhe Ndëshkim”. Por përmes figurës së Raskolnikovit, Dostojevski me mjeshtëri e jep në të njejtën kohë edhe kriminelin edhe anën humane të njëriut.

Raskolnikovi e vret një plakë, jo pse ajo është plakë, por për ta bindur veten se është Napoleon. Raskolnikovi do që të bëhet Napoleon pasi nuk arrin ta kuptojë sesi mundet që një njëri që ka vrarë me mijëra njerëz, konsiderohet ndër njerëzit më të lavdishëm të historisë. Nëse Napoleoni ka vrarë njerëz në masë, duke fituar lavdinë e popujve, atëherë pse të mos vrasë edhe Raskolnikovi!

Dostojevski këtu përpiqet ta shpërfaq hipokrizinë e popujve të cilët në njerën anë thurrin lavde për figura historike që kanë vrarë mijëra njerëz, ndërsa Raskolnikovi përfundon në burg vetëm pse ka vrarë një njëri. Natyrisht përpjekja e Dosotjevskit këtu nuk është përligjja e vrasjes në vetvete, sa është ta shpërfaq këtë hipokrizi.

Më poshtë po e japim të plotë mendimin e Niçes për Dostojevskin:

“Dostojevski, psikologu i vetëm nga i cili, në mënyrë anësore, pata se ç’të mësoja; ai bën pjesë në rastet më të lumtura të jetës sime, madje më shumë edhe se zbulimi i Stendalit.

Ky njeri i thellë, i cili kishte dhjetë herë të drejtë që nuk u kushtoi aspak rëndësi këtyre gjermanëve sipërfaqësorë, jetoi shumë kohë mes të dënuarve në Siberi, dhe pa ata kriminelë të vërtetë për të cilët nuk kishte asnjë mundësi për t’u rikthyer në shoqëri, ai krijoi një mendim krejtësisht të kundërt nga ai që priste në fillim: ata iu dukën të gdhendur nga druri më i mirë, më i fortë dhe më i çmuar që kishte rritur ndonjëherë toka ruse”.

Shkëputur nga vepra: “Perëndimi i idhujve”

Përgatiti: Agon Sinanaj