SHARE

I inspiruar nga miku i tij filozof Friedrich Waismann, Karl Popper në shkrimin me titull “Si e shoh unë filozofinë”, të cilën e ka trajtuar në nëntë pika na udhëzon se si nuk duhet filozofuar. Sidoqoftë Popper nuk pajtohet plotësisht me mikun e tij. Ajo që e shtyn të trajtoj sërish këtë temë është mos pajtimi i tij në disa pika, gjithashtu edhe qëndrimi i tij i ndryshëm sa i përket temës. Waismann mendon se jo të gjithë njerëzit janë filozofë duke potencuar se:

“Në fakt, filozofi është një njeri, që ndien plasaritjet e fshehta tek kompozicioni i koncepteve tona, atje ku të tjerët shohin para vetes vetëm shtegun e rrahur të monotonisë”.

Ndërsa për dallim Popperi beson se:

“Të gjithë njerëzit janë filozofë, sepse ata rrokin njërin apo tjetrin predispozicion apo qëndrim kundrejt jetës dhe vdekjes.”

– veçse dallojnë, nga ajo, se disa janë më pak, e disa më shumë (që këta të fundit me seriozitetin e tyre të madh për filozofi klasifikohen si filozof universitar apo elitar). Ndërsa ata të parët janë nga ata që nuk janë të vetëdijshëm për qëndrimin e tyre karshi problemeve filozofike dhe që gjithashtu praktikojnë teori të marra gatshëm nga rrethi; ashtu si paragjykime.

“Paragjykime në sensin se njerëzit i mbrojnë ato pa verifikimin kritik, megjithëse ato mund të jenë me rëndësi të madhe për veprimet praktike dhe për jetën e njerëzve.”

Këto paragjykime janë fillim i çdo filozofie pavarësisht se në to ka pasiguri. Thënë ndryshe teoritë e njohjes janë baza ku ndërtohet çdo ndërtim filozofik akademik apo filozofi jokritikuese popullore e logjikës së përditshme. Sipas Popperit filozofia e përligj vetveten vetëm me pasjen e problemeve dhe shpresën për t’i zgjidhur ato. Dhe për sqarimin e tij se çfarë na bënë të jemi filozof apo çka nuk na bënë, do e sjellim listën e tij të përbërë me nëntë pika, nën titullin e zgjedhur nga ai vet.

________________________

Si nuk e shikoj filozofinë

Së pari: Detyra e filozofisë nuk është zgjidhja e keqkuptimeve, megjithëse zgjidhje të tilla mund të jenë ndonjëherë punime të domosdoshme paraprake.

Së dyti: Unë nuk e mbaj filozofinë për një galeri të veprave të artit, me tablo të habitshme dhe origjinale të botës apo me përshkrime të zgjeruara dhe të jashtëzakonshme të botës. Unë besoj se i bëjmë një padrejtësi të rëndë filozofëve të mëdhenjë, në qoftë se e kuptojmë kështu filozofinë. Filozofët e mëdhenj nuk ndoqën qëllime të kulluara estetike. Ata nuk donin të ishin arkitektë të sistemeve të mprehta; ata ishin përkundrazi para së gjithash kërkues të së vërtetës, sikurse shkencëtarët: Ata kërkuan zgjidhje reale të problemeve të vërteta. Unë e shoh historinë e filozofëve të mëdhenj thellësisht si një pjesë të historisë së kërkimit të së vërtetës dhe e hedh poshtë vlerësimin e tyre pastërtisht estetik, megjithëse e pranoj se bukuria në filozofi sikurse në shkencë është me rëndësi të madhe.

Unë jam shumë në favor të guximit intelektual. Ne nuk mund të jemi njëkohësisht frikacakë intelektualë dhe kërkues të së vërtetës. Kush kërkon të vërtetën duhet të guxojë për të qenë i urtë: Sapere aude! Ai duhet të guxojë për të qenë një revolucionar në fushën e mendimit.

Së treti: Unë nuk e sodis historinë e sistemeve filozofike si një histori të veprave intelektuale, tek të cilat provohen të gjitha idetë e mundshme dhe ku e vërteta shfaqet ndoshta si një produkt anësor. Unë besoj se ne ju bëjmë padrejtësi filozofëve vërtet të mëdhenj të së kaluarës, në qoftë se dyshojmë qoftë dhe vetëm për një moment se secili prej tyre nuk do ta kishte braktisur sistemin e tij, po qe se ai do të ishte i bindur se sistemi është brilant, por nuk paraqet asnjë hap në drejtim të së vërtetës. (Kjo është fundja edhe arsyeja se përse unë nuk i mbaj për filozofë të mëdhenj Fihten apo Hegelin: unë nuk i besoj dashurisë së tyre lidhur me të vërtetën.)

Së katërti: Unë nuk e mbaj filozofinë si një përpjekje për t’i sqaruar, analizuar apo për t’i “shpjeguar” konceptet, fjalët apo gjuhët.

Konceptet apo fjalët janë thjesht vegla për të formuluar pohime, supozime ose teorira. Konceptet apo fjalët si të tilla nuk mund të jenë as të vërteta as të gabuara. Ato i shërbejnë vetëm gjuhës njerëzore, përshkruese dhe argumentuese. Objektivi ynë nuk duhet të jetë analiza e kuptimeve, përkundrazi kërkimi i të vërtetave interesante dhe domethënëse; domethënë i teorive të vërteta.

Së pesti: Unë nuk e konsideroj filozofinë një mjet për të treguar sesa të zgjuar jemi.

Së gjashti: Unë nuk e konsideroj filozofinë një terapi intelektuale (si Wittgensteini), një veprimtari, me anë të së cilës ne i çlirojmë njerëzit nga ngatërresat e tyre filozofike. Sipas pikëpamjes time Wittgensteini – në veprën e tij të mëvonshme – nuk i ka treguar mizës rrugën për të dalë nga shishja (siç thoshte). Unë më shumë e mbaj mizën, e cila nuk doli nga shishja, për një autoportret të goditur të Wittgensteinit (Wittgensteini ishte hapur një rast wittgensteinian, ashtu siç qe Frojdi një rast froidian).

Së shtati: Unë nuk shoh tek filozofia përpjekjen për t’u shprehur në formë më precize dhe më ekzakte. Precizioni dhe saktësia nuk janë vlera intelektuale në vetvete dhe ne nuk duhet të përpiqemi kurrë që të jemi më preciz dhe më të saktë sesa e kërkon problemi ekzistues.

Së teti: Prandaj unë nuk e quaj filozofinë si mundimi për të livruar bazat apo kornizën konceptuale për zgjidhjen e problemeve, të cilët ndofta do shfaqen në të ardhmen e afërt apo të largët. Këtë gjë e bëri John Lucke; ai donte të shkruante një ese për etiken dhe për këtë qëllim e quajti të domosdoshme që të realizonte punime paraprake konceptore. “Essay” e tij përbëhet nga këto punime paraprake dhe që atëherë filozofia angleze me pak përjashtime – të themi disa nga esetë politike të Lockes dhe Hume – ka ngecur tek këto punime paraprake.

Së nënti: Unë gjithashtu nuk e kuptoj filozofinë si shprehje të frymës së kohës. Kjo është një ide e Hegelit, e cila nuk i qëndron dot kritikës. Në filozofi sikurse në shkencë ekzistojnë sigurisht modat. Por kush e kërkon seriozisht të vërtetën, nuk do të ndjekë modën, ai përkundrazi nuk do t’iu besojë modave dhe bile do t’i luftojë ato.

Përgatiti: Arian Musa