SHARE

Përmasa Antropologjike e Sartrit tek vepra “Neveria“

Ballafaqimi i parë me veprën “Neveria“ shumë lehtë mund të na krijojë ndjenjë të mundimshme angështie . Duket se kemi hyrë në një mjedis të errët i cili veç konfuzionit na krijon veç vuajtje rraskapitëse.

Vepra “Neveria“ paraqet rrëfim të një njeriu, për një njeri . Ka vetëm një emër-Antoan Rokanten, ka vetëm një temë-Përpëlitjet e Antoan Rokantenit. Të gjitha ndodhin me atë, të gjitha ndodhin tek ai. Ngrohtësi fytyrash njerëzore, përshkrime pejsazhesh ekzotike, aventura të bujshme, asgjë nga këto këtu nuk mund t’i gjejmë. E tërë bota e këtij Romani është strukur përbrenda këtij Antoan Rokanteni .

Por çfarë heroi është ai? Cilat frymëzime mund të na i shkaktojë?

Antoan Rokanteni nuk ngjan në një hero të vertëtë. Ai, duket, përkundrazi, një Anti-Hero. Ai nuk frymëzon, ai mund të të zhysë në një zymtësi të thellë.

Pra ky roman paraqet vetëm një Rrëfim personal të një Anti-Heroi të errrtë, ku gjithçka zhvillohet brenda zgafellave të shpirtit të tij. Ky roman na shfaqet si një labirint marramendës pa asnjë dalje, ky roman gjason në një rrëfim hermetik me pak apo aspak kuptim.

Një ndër gjërat e para që biejnë ndërmend është ajo që thotë se ky rrëfim nuk paraqet gjë tjetër veçse një raport të hartuar nga ditari i një të çrregulluari mendor. Dhe në këtë pikë, më shumë se një analizë letrare apo filozofike, do të kishim nevojë për një diagnozë psikiatrike.

Personazhi ynë duket se na shpaloset thjesht si një neurotik. Duket se ai është prekur nga një melankoli e rëndë e cila përmban shumë elemente të një depresioni të rëndë. Ai e ndien veten si një qenie e cila po shpërbëhet në brendësi, ai percepton botën e jashtme si një kaos kërcënues. A nuk janë të qarta kuptimet të cilat dalin nga ky fragment libri:

Diçka më ka ndodhur, nuk mund të dyshoj më. Erdhi si sëmundje, jo si ndonjë siguri e rëndomtë, as si qartësi. Zuri tinëzisht vend, pak nga pak: e ndjeva veten për çudi pak ngushtë, edhe vetëm kaq. Pasi zuri vend, nuk lëvizi më, qëndroi qetë dhe unë ia dola ta bindja veten se nuk kisha gjë, se kishte qenë një alarm i rremë. Mirëpo, ja tani po rishfaqet . . .

Në duart e mia, bie fjala, ka diçka të re, mënyra se si e marr llullën time ose pirunin. Ose është piruni që ka mënyrën se si mund të merret, nuk di ç’të them. Pak, më parë, teksa hyja në dhomë, u ndala befas, ngaqë në dorë ndjeva një send të ftohtë, i cili më fiksoi vëmëndjen me cilësitë e veta. E hapa dorën, shikova: po mbaja shulin e derës, thjesht . . .

Pra një farë ndryshimi ka ndodhur gjatë këtyre javëve të fundit. Po ku vallë? Ky është një ndryshim abstrakt që nuk mbështetet në asgjë. Mos vallë kam ndryshuar unë? Nëse jo unë, atëherë dhoma, qyteti, natyra: një nga të dyja palët“

Një tjetër interpretim që do të duhej të ndërtonim nga ky fragment është ky vijuesi: Antoan Rokanteni nuk përfaqëson një të sëmurë mendor por një njeri të shëndoshë i cili fatkeqësisht ka pësuar shumë gjëra gjatë jetës së tij dhe i cili tash duhet të përballojë shumë frustrime dhe shqetësime. Kjo është arsyeja kryesore e krizës së tij rëndë mendore. Rrjedhimisht, kjo ka shkaktuar tek ai një ndjenjë përçmimi dhe nihilizmi ndaj njerëzve tjerë dhe ndaj botës si tërësi:

Janë edhe nja njëzet myshterinj, beqarë, inxhinierë të vegjël, nëpunës. Hanë shpejt e shpejt në pensionet e familjeve, që ata i quajnë gjellëtore dhe, meqë kanë nevojë për njëfarë salltaneti, vinë këtu, pas drekës, marrin nga një kafe dhe luajnë poker me zare: bëjnë pakëz zhurmë, një zhurmë të lehtë e cila nuk më bezdis. Edhe ata, për të ekzistuar, duhet të mblidhen.

Unë jetoj vetëm fillikat. Nuk flas me asnjëri, kurrë: asgjë s’marr, asgjë s’jap. Autodidaktin nuk e numëroj. Vërtet është Fransuaza, pronarja e kafenesë: Takimi i Hekurudharëve. Por a thua bisedoj me të? Rrallë mbas darke, kur më sjell një gotë birrë, e pyes:

-A keni kohë sonte?

Nuk thotë kurrë jo, unë shkoj pas asaj në njërën ndër dhomat e saja të mëdha të katit të parë . . . Unë nuk e paguaj: bëjmë dashuri çift. Ajo kënaqet (i duhet nga një mashkull në ditë dhe ka mjaft të tjerë veç meje) ndërsa unë spastrohem në këtë mënyrë nga disa melankoli, shkakun e të cilave e di shumë mirë. Por mezi këmbejmë disa fjalë. Cila do të ishte dobia e tyre? Secili le të kujdest për veten e vet: në fund të fundit në sytë e saj unë mbetem para së gjithash një klient i kafenesë.

Interpretimet e kaluara duken mjaft të arsyeshme dhe mjaft bindëse. Kjo lloj qasjeje normalisht do të duhej të ishte e aftë që të shpjegojë përmbajtjen dhe porosinë e këtij romani.

Por, interpretimi im do të shkojë në një drejtim krejt të kundërt nga kjo. Mungesa më e madhe e këtij interpretimi qëndron pikërisht në konceptin “normalisht“. Po, është e vërtetë që lexuesit normalë do të mund ta shpjegonin këtë vepër në një mënyrë konvencionale, mirëpo çështja është se ky roman nuk është një vepër normale, e as Antoan Rokanteni një njeri i zakonshëm. Antoan Rokanteni paraqet arketipin përmes të cilit Zhan Poll Sartri është përpjekur ta ndërtojë antropologjinë e tij filozofike.

Ky personazh do të ngritet si një bartës i fuqishëm i një antropologjie subjektiviste, ky roman paraqet një monument të jashtëzakonshëm të një individualizmi ekstrem.

Gjendja mendore që quhet Neveria shpaloset mirëfilli si një tokë pjellore nga ku do të lulëzojë një antropologji filozofike shumë e bashkëlidhur. Poqese do ta pranonim procedeun subjektivist si një bosht kuptimor të qasjes sonë atëherë do të kuptonim se kjo vepër nuk është edhe aq e errtë. Për më tepër, një interpretim individualist do të kundërshtonte qartësisht çfarëdo aludimi neurotik apo nihilist mbi Antoan Rokantenin. Përkundrazi: jo vetëm trazueshmëria por gjithashtu edhe madhështia e Antoanit do të burojë mu nga kjo Neveri subjektiviste. Neveria shpjegon melankolinë e cila buron nga një mendje e cenuar por edhe shumë e vetëdijësuar mbi të vërtetën mbi veten dhe botën. Antoani përjeton thelbin e botës. Pikërisht ky fakt është burimi i vuajtjeve të tij. Uni i tij është i stërmadh, mu kjo shkakton kanosjen e shpërbërjes së tij psikike. Subjektivizmi i tij krijon një gjendje të një izolimi të thellë, shkakton një mungesë përputhjeje me mjedisin e tij. Bota e sendeve atij i paraqitet si diçka e huaj, madje e rrezikshme. Egoja e tij është rritur aq shumë saqë objektet që e rrethojnë shkaktojnë tek ai shqetësime të një stëndjeshmërie dhe të një stërngacmueshmërie. Domethënë ky un paraqet shkakun për krizën mendore që më parë gabimisht e patëm quajtur si “neurotike“:

Mbështetem me tërë peshën mbi rrethin prej fajance, afroj fytyrën në pasqyrë sa gati po e prek. Sytë, hunda e goja zhduken: nuk mbetet më asgjë njerëzore . . .

Athua njerëzit tjera a e kanë të vështirë të gjykojnë për fytyrën e tyre?

Më bëhet se unë e shoh timen po ashtu siç ndjej trupin tim, nëpërmjet një ndijimi të shurdhët e organik. Po të tjerët ?. . .

Ndoshta është e pamundur ta kuptojë njeriu fytyrën e tij. Ose ndoshta ngaqë unë jam një vetmitar? Njerëzit që jetojnë në shoqëri janë mësuar ta shohin veteveten në pasqyrë, në atë mënyrë siç iu duken miqve të tyre. Unë nuk kam miq: mos vallë për këtë shkak mishi im është kaq lakuriq? Dikush do të thoshte –po, do të thoshte natyrë pa njerëz.

Nuk të habit aspak fakti që një shpirt kaq individualist nuk mund të gjejë një përputhje me njerëzit e zakonshëm. Ai, për nga natyra e tij e thellë, do të mbesë një vetmitar i madh dhe do të ndihet shumë i largët në lidhje me “kënaqësitë e thjeshta“ të njerëzve të rëndomtë. Zemra e Antoanit vuan për avanturën, për të pazakonshmen.

Ekziston diçka, pas të cilës isha i dhënë më shumë se pas çdo gjëjë tjetër – pa e pasur të qartë si duhet. Nuk ishte kjo dashuria, jo për Zotin, as lavdia, as pasuria. Ishte . . . Në fund merrja me mend që në disa momente të veçanta, jeta ime mund të merrte disa cilësi të rralla dhe të vlefshme. Nuk kishte nevojë për rrethana të jashtëzakonshme; unë kërkoja vetëm pak përpikmëri. Kurse jeta ime e tanishme nuk përmban asgjë të shkëlqyer . . .

Pas çdo çasti jam i dhënë me mish e me shpirt: e di që është unik, i pazëvendësueshëm – dhe megjithatë unë nuk do të bëj asnjë përpjekje për të mos e lejuar që të asgjësohet. Kjo minutë të cilën po e kaloj–në Berlin, në Londër, në krahët e kësaj femre të njohur parmbrëmë–kjo minutë që e dua me aq pasion, kjo femër që jam afër që ta dashurojë:-kjo do të marrë fund, e di këtë gjë.

Në pjesën më të madhe të këtij libri Antoani ndihet konfuz dhe fatkeq për shkak të gjendjes së tij mendore. Por, në pjesën e fundit të kësaj vepre ai do të zbulojë mjaft qartë gjendjen e tij por edhe domethënien e jetës subjektiviste të cilën Sartri e quan Ekzistencë.

Antoani do të zhytet në një park ku të gjitha do të zbulohen para tij.

Neveria do të bëhet një çelës i cili do ta hap qenien, pikërisht ajo do të na rrëfejë se ekzistenca njerëzore në këtë botë përbën një rastësi(kontigjencë )të pamëshirshme. Neveria do të jetë burimi i urtësisë ndriçuese e cila do të na mësojë fuqimisht se nuk do të ketë kurrë një harmoni të vërtetë midis unit dhe botës të sendeve. Në këtë ekzistencë individi është totalisht i braktisur, ai është i hudhur në këtë botë dhe ai do të tretet e përmbytet nga plotnia e qenies.

Antoani qetësisht zbulon se kërkimi i kuptimit të jetës do të paraqeste një marrëzi. Bota është e zbrazur nga çfarëdo kuptimi. Ka vetëm një Absolut. Ky Absolut është Absurdi.

Ky çast ishte i jashtëzakonshëm. Unë isha atje, i palëvizshëm dhe i ngrirë, i zhytur në një ekstazë të tmerrshme. Mirëpo në gjirin e vetë kësaj ekstaze diçka e re sapo shfaqej: po kuptoja Neverinë, po e zotëroja atë. Thënë të drejtën nuk po formuloja zbulimet e mia. Por, besoj tani, që do të ishte lehtë që t’i shprehja ato me fjalë. Thelbësore është kontingjenca. Dua të them se nga vetvetja e saj, ekzistenca nuk është e domosdoshme. Të ekzistosh do të thotë të jesh thjeshtë aty: ekzistuesit paraqiten, të lejojnë që ti takosh, mirëpo nuk munden kurrë që të nxjerren me deduksion. . . Asnjë qenie e domosdoshme nuk do të mundej që të shpjegonte ekzistencën: kontingjenca nuk është një iluzion, një paraqitje të cilën do ta mund ta zhduknim: ajo është absoluti, pra joshkakësia e përkryer. . .

Dhe pa formuluar asgjë saktësisht, unë po kuptoja se kisha gjetur çelësin e Ekzistencës, çelësin e Neverisë time, të vetë jetës sime. Në të vërtetë gjithçka që kam mundur të kap në vazhdim më shpien mu në këtë absurd fundamental.

Kjo është porosia kryesore e kësaj vepre: Individi i vetëdijësuar zbulon rastësinë e ekzistencës së tij, ai njeh braktisjen e vet midis botës së sendeve. Ai do të pushojë të kërkojë një kuptim për jetën e tij ngase e vërteta e vetme është: Absurdi.

A mund të nxjerrim përfundimin se kjo porosi e zymtë do të paraqesë edhe epilogun e kësaj vepre? Neveria lind Melankolinë, ndërsa kjo e fundit na shtyn drejt një fatalizmi tragjik. Njerëzit ekcentrikë zakonisht përfundojnë ose në buzë të humnerës apo në vetë fundin e saj.

Por filozofia ekzistencialiste e Zhan Poll Sartrit paraqitet si diçka thelbësisht ndryshe. Tek ai njohja mbi absurditetin e qenies njerëzore nuk përfundon në këshillën për dezertimin e betejës njerëzore. Filozofia e Sartrit nuk përfundon në një skepticizëm rezignues por në një kushtrim lufte. Nëpërmes heroit të tij letrar, Sartri shpalos filozofinë e tij e cila afirmon porosinë se nuk do të duhej të jetonim vetëm duke qenë “me jetën“ por gjithashtu duhet të ekzistojmë duke vepruar “përkundër vetë jetës“.

Tek Antoani do të vazhdojë ta ngrejë kokën Neveria e tij ndaj zbrazëtisë të jetës rutinore të njerëzve të zakonshëm. Gjithashtu, ai nuk do të rresht së vlerësuari si diçka të denjë përbuzjeje urtësinë e njerëzve normal të cilët predikojnë mbi virtytet si maturia apo përshtatja.

Antoani do ti hudhë poshtë të gjithë këto. Mirëpo kjo nuk do të paraqesë fjalën e tij të fundit. Antoani vendos që ta vazhdojë revoltën e tij individualiste, këtë revoltë e cila ka domethënien e vetë ekzistencës. Ai duket se do të na thotë :

Jeta është e pavlerë, por nuk ka asgjë më me vlerë se jeta .

Ai do ta bekojë ekzistencën e tij nëpërmes veprimeve të tij, ai do të hedhet në jetë dhe do ta pushtojë atë. E jashtëzakonshmja, e veçanta paraqet një domosdoshmëri. Vetëm e jashtëzakonshmja, do të mund ti sjellte madhështi fatalizmit tragjik jetësor..

Vetëm të krijuarit e të resë mund që qenien ta bëjë diçka frymëzuese. Krijimi i jep çastit shkëlqimin e tij, mu ai kurorëzon përvojën jetësore si diçka absolute. Akti krijues mbikalon verbërinë e vogëlsisë së jetës të zakonshme, të asaj jete e cila është e thithur nga bota e sendeve.

Përmes krijimit, botës i jepet dashuria. Krijimi i sjell të tashmes, të ardhmes, madje edhe të kaluarës, arsyen e të ekzistuarit të tyre. Falë krijimit njerëzor, qenia njerëzore ekziston.

Po nisem, po e ndiej veten turbull. Nuk guxoj të marr vendim. Sikur të isha i sigurt se kam talent . . . Por asnjëherë, asnjëherë nuk kam shkruar diçka të këtij lloji: artikuj historikë po-por asgjë tjetër. Dhe çfarë? Një Libër. Një Roman. Do të kishte njerëz që do ta lexonin atë roman dhe do të thonin: Këtë e ka shkruar Antoan Rokanteni, ishte një njeri që bridhte sa në një kafene në tjetrën; dhe do të mendonin për jetën time ashtu siç mendoj unë për atë të kësaj zezakes: si diçka e vlefshme dhe gjysëm legjendare. Një libër. Natyrisht, kjo do të ishte një punë e mërzitshme dhe e lodhshme, e cila nuk do të më pengonte të ekzistoja, as të ndieja të ekzistoja. Por do të vinte pastaj një çast kur libri do të ishte i shkruar, do të mbetej prapa meje, dhe mendoj se pak qartësi do të kthjellte të kaluarën time. Atëherë, ndoshta, përmes tij unë do të mundja të përkujtoja jetën time pa pështirosje. Dhe pastaj ndoshta një ditë, duke e menduar pikërisht këtë orë tani, këtë orë të zymtë kur po pres i kërrusur kohën për të hipur në tren, ndoshta do ta ndieja zemrën duke më rrahur më shpejtë dhe do të thoja me vete: Atë ditë, në atë orë–gjithçka filloi. Dhe do t’ia dilja që në kaluarën, vetëm në të kaluarën, ta pranoja vetveten.

Shkruajti: Besnik Domi