SHARE

Arthur Schopenhauer (1788-1860) është ndër filozofët me ndikim të madh në filozofinë perëndimore. Ai njihet më së shumti me veprën e tij të ndarë në katër libra “Bota si vullnet dhe përfaqësim”. Filozofia e tij është gjithëpërfshirëse dhe e thënë në disa libra dhe ese të tij; duke rrokur çdo temë të mundshme njerëzore.

Por tema mbi gratë që trajtohet nga ai, merret si diskutabile për pozicionin negativ që ka ndaj saj. Ky pozicion nuk është i ri në mendimin filozofik. Megjithatë sa i përket Schopenhauerit, ndoshta, mund të ketë një shpjegim se pse radhitet ndër filozofët me hidhnim të shtuar për gratë.

Me faj apo pa faj nëse flasim si moralizues të qëndrimit të tij për gratë, Schopenhauer kishte babanë e sëmur, për të cilin, ai e konsideronte të duhur, që nëna e tij të kujdesej për të. Por kjo gjë nuk u bë, dhe ai bashkëndjeu vuajtjen me babanë dhe dëshpërimin nga mos kokëçarja e nënës për dhimbjet e babait. Gjithashtu, ai, pa nënën e tij tek e thyente shpesh kurorën martesore, që e bëri të besonte se njeriu nuk është nga natyra qenie monogame por përkundrazi.

Gjithashtu Schopenhauer njihet edhe për qëndrimin e tij për dashurinë. Ai thotë që dashuria nuk është diçka personale e një individit ashtu siç e besojmë ne. Tek dashuria ai sheh vullnetin e species që na cyt drejt një lidhje sa më ideale për të nxjerr në pah gjeneratat më të shëndosha. Ai i cili e kupton më kohë se ç’është dashuria do të kuptoj që ajo askënd nuk do ta bëjë të lumtur ngase ajo “mendon” për brezin e ri e jo për individin. Nga argumentet e tij se dashuria është si është, por nuk është aspak në shërbim të lumturisë së individit, atëherë është vetëm një argument që mund ta arsyetoj martesën.

Më në fund, për të mbështetur martesën, mbetet vetëm mendimi se për ne do të kujdesen gjatë pleqërisë e kur do të jemi të sëmurë, si dhe do të kemi vatrën tonë.

Por duke rikujtuar përvojën e prindërve të tij ai edhe këtë argument e konsideron të rremë duke pyetur, se mos nëna ime u kujdes për babanë kur ai kishte nevojën? Andaj kjo mund të jetë një prej arsyeve më të forta që e solli në këtë qëndrim kaq negativ për gratë:

“I njoh gratë.

E quajnë martesën si një institut asistence.

Im atë, i mjerë dhe i sëmurë, i mbërthyer në karrike nga paraliza, do të kish përfunduar i braktisur, në qoftë se për të nuk do të ishte përkujdesur me dhembshuri një shërbëtor plak.

Zonja, nëna ime, jepte pritje ndërsa ai po shuhej dalëngadalë në vetmi; dhe dëfrehej kur ai hiqte nga dhimbjet e papërshkrueshme. Kjo është dashuria e grave.”

Përgatiti: Arian Musa