SHARE

Eshtë e mistershme se si cdo herë kur dëgjoj tingujt e sonatës, jetoj një gjendje që nuk e di nëse e dua apo e vuaj. Më vie sikur vuajtja për të kaluarën e bën të tashmen më të bukur. Vuajtja që njeriu shumë shpesh e kërkon sikur ajo të ishte vetë lumturia. Pyes veten: Si mundet që vuajtja për të kaluarën të bëhet lumturi për të tashmen? Nuk kam përgjigje. Mendoj që njeriu në momente të caktuara krijon një realitet subjektiv që e shkëput atë tërësisht nga e tashmja dhe thërret në vete vetëm momentet e bukura të së kaluarës që ti bëjnë shoqëri. Këto momente ‘të bukura’ në fakt vetëm të bukura nuk janë. Janë momente që në të vërtetë nuk janë jetuar. Duken të bukura për shkak të iluzionit dhe pamundësisë për ta pranuar që s‘kemi jetuar. Kështu njeriu përpëlitet ti jetoj për herë të parë ato momente. Përpëlitet që ti thyej ligjet e kohës dhe të kthehet në të kaluarën duke e projektuar atë në të ardhmen. Momentet në esencën e tyre janë të patregueshme. Janë të tilla sepse vetëm qenia mund ta kapi momentin dhe qenia nuk na flet përmes gjuhës së arsyes. Qenia nuk mund të tregojë. Ajo vetëm është në moment. Qenia dhe momenti janë përtej gjuhës dhe arsyes. Momenti jetohet dhe nuk racionalizohet. Momentin duhet lënë të rjedhi në pafundësi sepse momenti është vetë përjetësia.

Muzika ka fuqinë që ta shkëpus njeriun nga e tashmja dhe ta dërgojë diku në rrugicat e së kaluarës. E vecanta e muzikës është se nuk ke asnjë figurë para teje, është vetëm e brendshmja që të thërret në rrugëtimin drejt së kaluarës. Drejt vetes. Drejt pamundësisë së dikurshme. Njeriu është gjithmonë në pamundësi. Pamundësi të cilat herë pas here shfaqen për të na e kujtuar se sa pak kemi jetuar; sa e shkurtër është jeta; sa e vështirë është të jesh i sinqertë me veten. Në të njejtën kohë kjo pamundësi është edhe një thirrje për të tashmen, thirrje për të kapur momentin, për të mos u gabuar si dje. E ardhmja është plot me armiq. Armiq të vetes; Armiq që me ose pa dashje të bëjnë të zhytesh në rutinë, të bëjnë të jesh si ata. E ardhmja është vetja jonë e pacliruar nga e djeshmja.

E përditshmja në shikim të parë duket e bukur, tërë jetë, punë dhe entuziazëm, plot siguri dhe bindje për të Vërtetën…. Në të përditshmen shoh njerëz të qeshur, me qëllime dhe plane për të ardhmen. Shoh njerëz që gjithmonë nxitojnë për të arritur cakun. Cilin cak? Cakun e shoqërisë. Cakun që nuk do ta arrijnë kurrë sepse caqet e shoqërisë të tilla janë: të paaritshme. Të gjithë duken të lumtur, por brenda tyre, në të padukshmen e tyre fshihet ndrydhja. Fshihet fytyra e vërtetë, fytyra e patreguar, jeta e pajetuar. Të gjithë ata me ndot e shohin të ardhmen. Por nuk e din këtë. Nuk e dinë sepse caqet nuk I lënë ta shohin horizontin e tyre. Ata nuk e shohin horizontin sepse qenia e tyre nuk rjedh. Ata janë jashtë momentit. Ata janë ose dje ose nesër. Ata janë historia ose e ardhmja. Ata paraqesin ‘arsyen’ e shoqërisë që ecë përpara në të fundmen e pamundur. Ata nuk do ta arrijnë kurrë fundin. Jo se nuk janë të shkathët, por sepse fundi nuk ekziston. Fundi është iluzioni, është shpresa që na mban largë momentit.

21:40