SHARE

Shkrimtari austriak Stefan Zweig (1881-1942) ditët e fundit të jetës së tij i kaloi në Brazil. Ai si edhe shumë shkrimtarë të tjerë të kohës u larguan nga Gjermania dhe Austria për shkak të nazistëve. Vepra e Cvajgut u ndalua të lexohet dhe librat e tij digjeshin në publik(një kthim në Mesjetë).

Ajo që e mundoi Cvajgun më shumë se cdo gjë tjetër ishte ndjenja e të qenurit pa shtëpi. Me shtëpi Cvajgu e mendonte Evropën, përkatësisht bashkimin kulturor dhe ideor brenda Evropës. Për këtë gjë Cvajgu punoi gjatë gjithë jetës së tij. Pasi e pa që idea e Evropës po rrënohej ngadalë por pa e humbur ende shpresën ai detyrohet të shpërngulet në Brazil, të cilin e quan si shtëpi të dytë.

Pas gjashtë muajsh qëndrimi në Brazil, ai sëbashku me gruan e tij Lotte Altmann vendosin ti japin fund jetës. Më poshtë jepet letra e tij e fundit:

“Përpara se të ndahem nga jeta me vullnet të lirë dhe me mendje të kthjellët, shtyhem të përmbush një detyrë të fundit: të falënderoj nga zemra këtë vend të mrekullueshëm, Brazilin, që më dha mua dhe punës sime një pushim shumë të mirë e mikpritës.

Nga dita në ditë kam mësuar ta dashuroj më shumë këtë vend dhe askund nuk do ta kisha rindërtuar më me dëshirë jetën nga e para, pasi për mua bota e gjuhës sime ka perënduar dhe atdheu im shpirtëror, Evropa, po shkatërron vetveten. Por pas gjashtëdhjetë vjetësh nevojiten forca të veçanta për të filluar edhe njëherë nga e para. Kurse forcat e mia janë dërrmuar nga vitet e gjata të shtegtimit nëpër botë. Kështu që më duket e drejtë ta mbyll në kohën e duhur dhe me një qëndrim të drejtë një jetë, për të cilën puna shpirtërore ka qenë gjithmonë gëzimi më i kulluar dhe liria personale, mirësia më e madhe e kësaj toke.

Përshëndes të gjithë miqtë e mi! Uroj që ata të kenë fatin të shohin përskuqjen e agimit pas natës së gjatë! Unë, si shumë i paduruar që jam po u paraprij!”