SHARE

Amaneti i politikanit të penduar

Nga: Gerald Ramaj

Nuk e prisja që të vinte ndonjëherë ky moment, por sot, unë Pendim Rameti po ndjej se po më rrëngjethet mishi e po mbytem në mendime që mund t’i quaj me plot bindjen ” të dhimshme”. Po më qarkullojnë në mendje shumë mendime mbi atë që kam qenë dhe atë që kam bërë kur isha, kur isha… ndoshta s’isha unë.

Tashmë u bëra 87 vjeç dhe më kujtohet shumë mirë momenti kur u paraqita në mbledhjen e pionierëve të PKSH dhe u shpreha se isha i gatshëm të punoja ditë e natë, vetëm e vetëm që të më quanin “djal që se bën më nëna”. Në fillim më vjen për të qeshur, por më pas më vjen të plas nga mërzia dhe inati për verbërinë time si i ri që isha. Më vjen inat që punova dhe përfundova rob i kontributit për partinë e kriminelëve të asaj kohe. Nuk e mora asnjëherë mundimin që t’i hidhja një sy historisë e të shihja se për çfarë kishin luftuar Rilindasit. Më vjen turp të them që jam shqiptar si Jeronim De Rada, Gjergj Fishta, Naim Frashëri … Madje nuk marrë dot guximin të përmend Ismail Qemalin sepse më poshtë do ju tregoj se mund të konsiderohem si armik i tij. Po Fan S Noli, Sami Frashëri , Abdyl Frashëri, Avni Rustemi …? Oh çfarë tmerri. Do preferoja që objekt i kritikave të tyre të isha edhe unë! Bashkë me gjakun e Esad Pashë Toptanit dë derdhej dhe gjaku im në Paris. Të paktën kështu do ndihesha më mirë sepse do mbahesha mend në histori si një tradhëtar i merituar të cilit trimat e kombit shqiptar nuk ia kursyen plumbin.

Më vjen turp të dal në rrugë e të shohë moshatarët e mi që mezi ecin rrugës e mezi ulen nëpër stolat e lulishteve të qytetit. Unë kam qenë i informuar gjatë gjithë kohës për torturat që ata hiqnin. E megjithatë, vazhdoja të haja mish viçi si i pangopur, pija alkol sa dehesha, e më pas ecja rrugëve duke sharë të mjerët që nuk mundnin ta ngrinin dot zërin ndaj meje. I kisha krahët e ngrohëta! Madje partia me paguante mire dhe une vazhdoja t’i shërbeja asaj duke firmosur e vulosur çdo akt-shitje, vendim për vrasje, lëshim territori (siç bëm me trojet shqiptare të cilat ua falëm fqinjëve tanë që kanë qenë armiq të betuar të Shqipërisë). Kam parë me sytë e mi tek sa ndahej nëna nga fëmija e u digjej shtëpia sepse kryefamiljari i tyre kishte kërkuar që të shprehte disa mendime demokratike. Ndërsa unë nuk thash asgjë ! Nuk kunërshtova dhe as që më shkoi ndër mend një gjë e tillë. Madje, nuk e di a do ketë trashëgimtar ajo familje në ditët e sotme. Nëse po, do doja shumë që të shkoja t’i takoja e t’ju lutesha që të më digjnin të gjallë. Por ama jo para syve të djalit tim. Nuk dua që ai të lëndohet e as të ndjehet fajtor për mua dhe për atë çka unë jam. Ai është në kohë për të bërë atë që unë e mësova vetëm në pleqëri kur forca më la, e vetja më groposi në verem. Jini dashamirës !
Nëse populli do më kishte njohur se kush isha, çfarë kisha bërë dhe për kë kisha punuar, me siguri kur u rrëzua diktatura do kishite penguar edhe përlyerjen time me politikën pasardhëse që mbahet si demokratike. Kam shpëtuar për një fije .

E megjithatë unë prap e kisha mundësinë për të kërkuar falje. E pata mundësin sepse po të isha ky që jam sot, unë do kisha arritur të bllokoja shitjen e detit ndaj Greqisë. Madje e kisha para meje maskarain që më tha të bashkëpunoja me të për të bërë puçin që tkurri kufijtë e Shqipërisë dhe përdhosi mundimin e gjithë heronjëve tanë që nuk e kursyen as jetën e tyre për të mbrojtur atdheun. Sikur në atë moment të më kish zier gjaku, do e hiqja qafe atë poshtërsirë. Por ja që firmosa dhe unë . Dhe duke qenë se e bëra këtë, ndoshta duhet të shkoj me not deri tek ajo sipërfaqe dhe të vazhdoj më tej duke mos iu bindur lodhjes trupore. Kur të mos kem më pikë fuqie, le të më gëlltisi në thellësin e tij, ndërsa unë të qaj e lotët e mi të përzihen me ujin e kripur, të avullojnë në qiell e më pas të bien mbi tokë si reshje pendimi dhe hakëmarrje paqësore.
Përsa i përket rinisë, kam shumë për të thënë por po shkruaj pak dhe shpresoj që ata të më kuptojnë e të mos bëhen gjakatarë si unë.

Pavarësisht se 1991 shënoi rënien e diktaturës dhe rinisë pioneriste të saj, politikanët pasardhës e shfrytëzuan sërisht rinin për ta përdorur si mjet për të shtrirë sa më gjerë ndikimin e partisë përkatëse. Për krijimin e tyre këmbëngula dhe unë sepse në këtë mënyrë do arrinim të qasnim sa më shumë të rinjë dhe do mund t’i bindnim që të punonin për partinë tonë. Kjo gjë funksionoi shumë mirë dhe na dha mundësinë jo vetëm për t’u bërë të njohur si forcë politike, por edhe për të marrë në dorë pushtetin me anë të të cilit, siç përmenda më lartë, shitëm dhe detin. Veç kësaj , kemi dështuar me sukses në zhvillimin e vendit, por morëm më qafë edhe njerëzit duke i bërë viktima të shpërthimeve që ndodhën në depot e armatimeve.

Sikur të mos mjaftonte kjo, unë pata pozicion të dyfishtë edhe më 21 Janar kur në bulevardin e Tiranës u shtrin katër veta që u qelluan nga urdhëri i shokut tim, ose ndoshta nga kundështarët e mi. Një çështje delikate kjo, por që unë si politikan nuk dal i palagur.

Pavarësisht këtyre, tashmë partitë e kanë ngritur sërisht forumin e pionerëve. Nërsa unë para dy vitesh i thash tim biri që të shkonte dhe të punonte për to sepse atje unë kam plot njerëz të njohur. Përgjigja që më ktheu djali im nuk qe aspak e këndshme për momentin, :” Unë të kam baba, por ama kam lexuar mjaft gjëra për ty, megjithatë nuk të vë faj. Të dua dhe do të dua sepse gjaku im erdhi nga gjaku jotë po ashtu dhe jeta ime është fal teje. Dije o ba se nuk është kurrë vonë për të kërkuar falje për ato që ke bërë! Unë nuk e di a do të fal por shpresoj që ti të falësh veten tënde. Përsa i përket partisë… preferoj t’i qëndroj besnik Shqiptarisë !”.
Sa krenar që jam për të!

Sot ndjej se duhet të dal në rrugë të madhe dhe t’i takoj të rinjtë nji më nji, por s’kam më fuqi. Ka filluar të më merret edhe fryma , gjë prej së cilës po më meken mushkëritë, zemra po më rreh fortë, por gjaku nuk ka oksigjen. Ndoshta së shpejti do dergjem përtokë i helmuar nga vuajtja shpirtërore, nga mëkatet e mia të pamëshirshme, nga tradhëtia ime nga …

Por e kam një fije shprese !
-Unë shpresoj që një ditë djali imë bashkë me shokët e tij, të bashkohet me gjithë të rinjtë e forumeve partiake, dhe të fillojnë të arsyetojnë se çfarë është e drejtë për t’u bërë.
Shpresoj që ata ta kuptojnë që shokët e mi të parlamentit duhen përjashtuar. Duhen përjashtuar sepse e kanë bërë Shqipërinë për faqe të zezë. Kanë vrarë njerëz, por kanë ditur të mbrohen shumë mirë duke u shprehur se ata nuk kanë patur gisht në këto ngjarje. Madje, për ju o rini, po marrë shembull faljen e krimeve të 21 Janarit. Si u fal? U fal me ligj, ashtu siç u fal dhe Gërdeci bashkë me gjithë krimet e tjera.

Më vjen keq për ato nëna që do të donin t’i kishin edhe njëherë fëmijët e tyre, t’i preknin, t’i përqafonin fortë e të qanin mbi kraharorin e tyre. Por ja që politikanët nuk i lejuan. Ama nëse fëmijët e tyre do ishin gjallë , do ishin armiq të betuar të parlamentit të sotëm, por besoj se me forumet jo. Jo sepse ata janë akoma shpres për vendin, janë frymë e re dhe përbëjnë brezin e ndryshimit. Por duhet diçka . Duhet diçka që t’i shkëpusi nga të qenit të varur prej partisë dhe kryetarit, t’iu hapi sytë e më në fund të shohin dhe ata se ç’po i bëhet Shqipërisë. Madje madje, mund të them se ata e kanë një farë ideje nga kjo por nguten të flasin sepse i qorton shoku i tyre i pandërgjegjshëm, shoqa që i ka sjell aty dhe prindërit që kënaqen kur i shohin që merren me këtë aktivitet. Ndaj, këtë betejë ata duhet ta fitojnë duke u hapur e duke folur me njerëz që janë të pavarur dhe e shohin vendin me keqardhje. Këtë gjë do e kisha bërë dhe unë kur isha i ri, po të kisha sadopak ndërgjegje. Por, veç kësaj, nuk më tha gjë asnjë nga shokët dhe shoqet e mia. Ne ishim plotësisht të varur dhe të gatshëm për të kryer çdo detyrë që na jepnin. Sikur të paktën një shkëndijë të vogël të kishte patur, jam i sigur që s’do isha dot këtu sot, por të paktën do kisha arritur të ndryshoja disa rrjedha ngjarjesh në këtë vend. Mendo për një çast o rini se çfarë mund të ndodhte nëse ti do më kuptoje!

Nuk është e vështir t’i thuash shokut që t’i thërrasi mendjes!
Nuk është e vështir t’i thuash kryetarit që e ka gabim, duke qenë se ai gabon shpesh!
Nuk është e vështir që prindi t’i thotë fëmijës : ” kujdes biri im se po të mashtrojnë”.
Po ashtu dhe fëmija në ditët e sotme nuk e ka dhe aq të vështir t’i thotë të atit ose të ëmës se po e drejtojnë në rrugën e gabuar. Pra, siç doja të bëja unë vite më parë me djalin tim.

Po më dhemb shpirti ! Historia po përsëritet para syve të mi dhe unë s’bëj dot asgjë se jam përlyer deri në fyt e askush s’do që të më shohi më. Kam frikë ! Kam frikë se rinia partiake mund të përfundojë si unë . Po! Çfarë tmerri . Ju lutem, shpëtoni nga kthetrat e tyre dhe filloni të kërkoni llogari për gjithçka që po i kanoset Shqipërisë. Po prishet trashëgimia kulturore, po shitet, po betonizohet, po shiten pasuritë natyrore dhe populli s’po merr asgjë. Mos ! Mos i lejoni të vazhdojnë më tej, përndryshe ligjet kanë për t’u bërë diktatoriale, krimet politike s’do kenë të sosur, populli do varfërohet deri në skamje ekstreme, e në këtë tokë s’do fluturojnë më as rosat shtegëtare e as pëllumbat besnik.

Po e ndjej. Ja tek më merret fryma. Të lutem rini më dëgjo! Dëgjoje amanetin e mëkatarit që nuk arriti ta ndreqte dot gabimin e jetës së tij . Dëgjojeni fjalën e Pendim Rametit , plakut që po vuan për vdekjen e shumëpritur.

Të lutem rini …..