SHARE

Lola, një vajzë shumë e zgjuar që rridhte nga një familje e pasur, sapo kishte mbaruar shkollën për ditën e hënë dhe po kthehej në shtëpi. Shumicën e kohës e kalonte duke praktikuar një sërë melodish të ndryshme me anë të një violine të cilën ia kishte dhuruar gjyshi i saj para se të ndërronte jetë. Ajo e donte shumë dhe më e çuditëshmja ishte se sa herë që i kujtohej ai, nuk qante, por fillonte t’i binte violinës, telat e të cilës lëshonin një melodi vajtuese dhe notat gati sa të ktheheshin në lotë.

Prindërit e saj e linin vetëm më të shumtën e kohës dhe ajo nuk e kishte patur mundësinë që të ndjente ngrohtësinë e tyre në ato momente kur e mbërthente trishtimi dhe vetmia ia shtonte dhimbjen që ajo mund të ndjente, por s’qante. Sytë e saj vazhdonin të qendronin të qetë gjatë gjithë kohës dhe nuk kuptohej se si mund të ishte nga ana emocionale në atë moment. Madje ajo kishte mundësinë edhe që të dilte të blinte ato çka mund t’i pëlqenin, mund të takonte shoqërinë si dhe të shikonte filmat më të fundit në kinema të cilët mund ta sillnin në qejf. Se bënte!

Një ditë, teksa dilte nga shtëpia për të blerë diçka që të hante drekë, në veshët e saj të mbuluar nga flokët e zinjë dhe të butë, i kaloi një tingull i ëmbël violine. Në atë moment Lola e harroi arsyen e daljes dhe i shkoi pas melodisë tërheqëse. Pak më tutje vuri re një vajzë të mbështetur në cepin e pallatit duke i rënë një violine të “bluar” nga molia dhe thuajse të kalbur nga lagështia. Ndaloi për një moment, më pas iu afrua violinistes që ishte veshur me një bluze ngjyrë kafe me disa të qepura te supet, pantallona prej doku dhe një palë këpucë që dukeshin më të reja se rrobat e tjera që kishte veshur. Sa bukur që i rënke violinës, si e ke emrin, e pyti Lola violinisten. Mira, u përgjigj ajo dhe u ngrit në këmbë. Por papritmas ajo mbylli sytë me një refleks të shpejtë dhe la të nënkuptohej se ndjente dhimbje. Ç’ke e pyeti Lola, a do të sjell për të ngrënë. Jo, u përgjigj ajo, më vrasin këcucët, janë të vogla.

Prit këtu se erdha! Lola vrapoi të ngjiste shkallët dhe shkoi në shtëpi të merrte një palë nga atletet e saj të rehatshme. Kur u kthye, Mira nuk qe më aty, ishte larguar. Si natyrë e qetë që ishte, as thirri dhe as vendosi ta kërkonte. Bleu bukën dhe u kthye sërisht në shtëpi. Pasi kaloi një gjysmë ore, mori në dorë sërisht violinën dhe ndenji pak duke u menduar. Po i vinte në mendje melodia dhe tingujt e violinës së Mirës….
Ditën e martë në shkollë do të zhvillohej një koncert ku do të merrnin pjesë shumë nxënës, edhe Lola. Ajo u vesh shpejt e shpejt në mëngjes, mori dhe violinën dhe bashkë me mamin e saj filluan të dilnin nga shtëpia për të shkuar, ndoshta secili për hesap të vetë, njëra në shkollë dhe tjetra në punë. U dëgjuan sërisht tingujt e ditës së djeshme, ishte Mira. Me sa dukej e kishte kaluar natën aty. Kush e di se çdo ketë ndodhur tha Lola.
Në atë moment Mira u ngrit në këmbë dhe iu drejtua zonjës Mara (mami i Lolës) duke i kërkuar ndonjë lekë të shkoqur. Largohu që këtej i tha zonja. Largohu po të them, përsëriti ajo. Mira u afrua akoma më shumë duke e kthyer fytyren në një plag dhimbjeje të vërtetë. Mara nuk duroi dot më, ia mori violinën nga duart dhe ia plasi përtokë duke ia bërë copa copa me këmbë. Mos, çfarë bëre kështu, ulëriti me të madhe Lola. Pse e thyeve violinën?
Mira filloi të qante pa zë duke iu lagur gjithë fytyra nga lotët. Në atë moment Lola iu afrua dhe duke iu mbushur dhe asaj sytë me lotë, i zgjati Mirës violinën e saj.

-Të lutem merre. Merre sepse shpesh njerëzit nuk na kuptojnë. Nuk e kuptojnë dotë se sa e dhimbshme mund të jetë një violinë, një fyell, kitarë , firzamonikë apo çfarëdo qoftë ajo. Të lutem, merre!
Zonja, sikur t’i kishte rënë gjithë bota mbi kokë, filloi ti bërtiste Lolës për atë që po bënte. Si guxon t’i japësh violinën kësaj leckamanes, merrja shpejt, bërtiti ajo. Vajza e saj nuk po e duronte dot më.

-Shiko Mara, se s’më vjen as të quaj mama, nëse ti ia merr violinën Mirës unë s’do dua të të shoh më me sy. Pse e paragjykon kaq shumë?! Ajo s’i ka bërë keq askujt ! Po të them një gjë.

Kjo mund të jetë leckamane, mund të mos pëlqej, mund të të duket e shpifur por ama nuk është e varfër siç je ti. Mira është shumë herë më e mirë se ti, tingujt e saj dhurojnë shumë më shumë dashuri sesa më ke dhënë ti mua. Në fakt s’më ke dhënë asnjëherë. Do ta dija për nder sikur të më kishe përqafuar të paktën njëherë. Se ke bërë! Ti dhe babi keni menduar gjatë gjithë kohës vetëm për lekët tuaja dhe e vetmja gjë që keni janë pikërisht ato. Asgjë tjetër! Si mund ta shisni zemrën vetëm e vetëm për ca copa letre?! Fiksoje mirë në kokë Mara, jeni të varfër .

S’kishte si të ndodhte ndryshe, Mara për herë të parë në jetë filloi të ndjente dhimbjen që ndjen nëna për fëmijën. Hoqi dhe çantën nga krahu dhe u ulë në shkallën e pallatit.

– Lola, nuk është e lehtë. Më beso! Më janë dashur gjithë këto vite punë për të arritur këtu. Kam lexuar ditë e natë për të blerë një biznes prej të cilit më pas do kisha mundësinë të blija shumë të tjerë. Sot po kujtohem se kam harruar t’i çojë nënës lulet tek foleja ku ajo fle, tek ajo shtëpia e saj e heshtur. Këtë ma ka lënë amanet gjyshi ashtu siç të la dhe ty violinën. Harrova gjithçka Lola. Madje harrova se kush isha, premtimet që kisha bërë, zemërgjerësinë që kisha treguar, dashurinë për të tjerët…. Të harrova dhe ty. Më fal, të lutem, më fal !

-Mami, oh çfarë momenti, të fal mami të fal. Faleminderit që më kuptove!
U përqafuan të dyja dhe shtërnguan fort njëra-tjetrën.

-Jo bija ime, jam unë që të falenderoj ty. Ti më hape sytë, më bëre që më në fund ta shoh botën me ngjyra dhe me plotë jetë. Bija ime, mami të do shumë.

Në atë moment u lëshuan butësisht dhe Mara iu drejtua Mirës.

-Mira më fal, të lutem ! E di çfarë, eja të ham ndonjë gjë të mirë në shtëpi. Madje mund të vish të rrish me ne.
Apo jo Lola ? Si thoni ?
Lola u gëzua shumë.
-Eja Mira të lutem, eja të rrish me ne !
-Jo, unë nuk mund të vij dot në shtëpinë tuaj. Para një viti dhe mua mu largua nga jeta nëna ime. Ajo më donte shumë dhe shpesh më këndonte këngë të bukura të cilat i pëlqeja shumë. Para se qielli të ma merrte, unë i premtova diçka. I premtova se nuk do t’i lija asnjëherë këto rrugë që të dukeshin të shkreta, të heshtnin, qanin, nxiheshin apo të mbeteshin vetëm. Do iu qëndroj gjatë gjithë kohës pranë dhe do i mbaj me këngë dhe melodi ashtu siç bënte nëna me mua.

Lola u përlot sërisht .

-Atëherë le ta lëm kështu, eja të ngjitemi lartë që të veshësh diçka tjetër. Sot unë duhet të shkoj në një koncert por do ishte më mirë që të shkoje ti në vendin tim. Eja të lutem, eja. Na bëj të ndihemi të gjithë krenar. Unë të fala violinën… tani mbetet vetëm që të plotësosh dëshirën e të gjithë atyre që e adhurojnë melodinë, këngën, dashurinë dhe paqen. Eja Mira !

Shkruajti: Gerald Ramaj