SHARE

Letra e Albert Camus për mësuesin e tij

Më 17 tetor 1957, Akademia mbretërore e Stokholmit i dha Çmimin Nobel për letërsinë Albert Camus (1913-1960), “për tërësinë e një vepre që nxirrte në dritë problemet që i lindin gjatë ditëve tona ndërgjegjes së njerëzve”. Letra që Camus i adreson atëhere zotit Germain është me siguri një ndër elozhet më të bukura rreth profesionit të mësuesit.

19 nëntor 1957

I dashur zoti Germain,

“Lash që të shuhej pakëz zhurma që më ka rrethuar gjithë këto ditë përpara se të vija dhe t’ju flisja pak nga thellësia e zemrës sime. Sapo vij nga një nderim shumë i madh që më kanë bërë, të cilin as nuk e kam kërkuar dhe as nuk jam lutur që të ma bënin.

Por sapo e mora vesh lajmin, mendimi im i parë, pas nënës sime, ishte për ju. Pa ju, pa këtë dorë të dashur të cilën ju ia zgjatët një fëmije të vogël dhe të varfër që kam qenë unë, pa mësimet e juaja, dhe pa shembullin tuaj, asgjë nga këto nuk do kishte ardhur.

Nuk më intereson shumë ky lloj nderimi. Por të paktën është një mundësi për t’ju thënë çfarë keni qenë, dhe ende jeni për mua, dhe për t’ju siguruar se mundimet tuaja, puna juaj dhe zemra juaj bujare që ju keni vendosur në to janë gjithmonë të gjalla tek njëri nga nxënësit tuaj të vegjël i cili, pavarësisht moshës, nuk ka pushuar së qenuri nxënësi juaj mirënjohës. Ju përqafoj, me të gjitha forcat e mia.”

– Albert Camus

Përktheu: Redi Sheqeri