SHARE

Shkrimtar, politikan, mësues, prind, shok, mik dhe dashamirës i vërtetë është ai që pranon pa ia kthyer shpinën kritikave që shoqëria njerëzore ia bën atij për të zhdukur veset dhe zakonet e këqija që e kanë pushtuar. Veç kësaj, kritika e vazhdueshme është një “strument” që nevojitet gjatë gjithë kohës në mënyrë që arti dhe kultura të ecin në rrugën e duhur pa u shtrembëruar dhe shthurur nga faktorët e ndikimit negativ. Është ilaç për shpirtin!

Sot muzika shqiptare ka degraduar deri në atë pikë sa nuk përbën më art, por vetëm lekë dhe shplarje truri përmes trupit të femrave dhe meshkujve që dalin lakuriq nëpër videoklipet skandaloze. Që ky shtrembërim të rikthehet sërisht në vijën e duhur e të drejtohet, duhet që të ecin paralelisht me të edhe rryma të tjera muzikore të cilat t’ia ulin kokën dhe të mos e lejojnë që të përparoi kaq shumë sa të prishi gjithë kulturën tonë. Ta kritojmë këtë rrymë dekadente sa më shumë dhe sa më parë të mundemi ! Ta kritikojmë sepse shoqëria jonë duhet nxjerrë nga barku i “kuçedrës nudo” që ka gëlltitur gjithkënd në këto troje !

Po ashtu edhe krijimtaria letrare ka degraduar deri në atë pikë sa është zhytur në “analet” e një shoqërie që tashmë parapëlqen vetëm tregime, romane dhe poezi që përmbajnë erotizëm dhe seksualizëm jashtëzakonisht të ekzagjeruar. Akoma më keq filmat dhe emisionet televizive. Njerëzit janë krijesa seksuale por ama kjo nuk do të thotë që mund ta shfrytëzosh për ta përdorur kudo që të vjen në mëndje. Ky fenomen duhet kritkuar dhe kundërshtuar me vepra letrare që pasqyrojnë realitetin e trishtë në të cilin jetojmë! Le ta bëjmë sa më parë !

Sot, pikturat po mbeten rrugëve dhe fatkeqësisht roli i tyre po zëvendësohet nga fotot e panumërta të shkrepura kudo nga shkojmë e më pas të shpërndara nëpër rrjetet e shumta sociale. E gjithë kjo për një pëlqim dhe koment : ” shumë bukur zemër !”. Si rezultat i këtij fenomeni, sot shumica e piktorëve ulin kokën dhe ecin nëpër cepurinat e qyteteve të demoralizuar nga mungesa e interesit të shoqërisë për pikturat e tyre plotë bukuri, gjallëri e ndjenjë. Ndërsa pjesa tjetër ka pranuar që t’i nënshtrohet tregut dhe ka zgjedhur të pikturojë kumbullat, pjeshkat, mollët dhe dardhat e gjithë femrave të vetëquajtura moderne që enden nëpër kafenetë, hotelet dhe vilat luksoze të pasanikëve me xhama të zinjë.

Familja nuk është më ajo strofkulla e ngrohtë ku fëmijët gjenin dashurinë dhe dashamirësinë e prindërve të tyre. Tani shohim dhunë, sharje, ndarje dhe veç këtyre, sot fëmija bën ligjin duke kërkuar llogari i shtrirë në krevat me celularin ose kompjuterin në dorë. Madje ta plas edhe kokës me tavullën e cigares. Kjo tregon se sa shpejt ka ndikuar koha moderne në rënjen e familjeve patriarkale dhe krijimin e atyre turpëruese dhe poshtëruese. Le t’i shkruajm dy-tre novela për këto !….

Pra, sa më shumë të vazhdojnë përshkrimet e tilla, aq më shumë iu deformohet fytyra atyre që janë të kënaqur me thelat e kalbura që iu jep sistemi aktual. Por ama nga ana tjetër do kemi ringjalljen dhe ringritjen e njeriut të ditur e të kulturuar. Rilindjen e shqipëtarit të vërtetë.

Rroftë kultura !

Shkruajti: Gerald Ramaj