SHARE

Recension mbi librin “Shoqëria e individëve” – Norbert Elias

Libri “Shoqëria e individëve” i sociologut gjerman Norbert Elias, është një përpjekje teorike për ta elaboruar lidhjen në mes të mikro dhe makrostrukturës shoqërore. Subjektet e analizës teorike dhe metodologjike janë individët dhe shoqëria, si dy pjesë integrale të një totaliteti kompleks të marrëdhënieve shoqërore. Pajtimi i dikotomisë në mes të raporteve individë – shoqëri dhe anasjelltas, përbën bazën e trajtimit sociologjik të Elias-it. Sipas tij, tensionet dhe konfliktet në përkufizimin e raportit individ-shoqëri duhet analizuar si një tërësi e vetme dhe jo si entitete të ndara. Ai thekson se funksionet dhe veprimet e individëve, veçanërisht në një shoqëri sikurse kjo e jona, paraqesin një bashkëveprim kompleks të aktiviteteve ndërpersonale dhe strukturore, qëllimi final i së cilave është realizimi dhe përmbushja e nevojave individuale. Prandaj është pikërisht ky rrjet i ndërveprimeve dhe varësive ndërpersonale që i jep kuptim shoqërisë. Ndryshe ajo është vetëm një entitet abstrakt. Libri është i ndarë në tre pjesë: “Shoqëria e individëve”, “Problemet e konceptimit të ndërgjegjes dhe imazhit të njeriut” dhe “Ndryshimet në balancën Ne – Unë.”

Për të shmangur keqkuptimet në lidhje me këtë qëndrim të Elias-it duhet theksuar se rol vendimtar në konceptimit e kësaj ideje luan habitusi social, apo hapësira e banuar nga individët, së bashku me karakteristikat psikologjike dhe normative me të cilat operojnë ata. Elias-i kishte hulumtuar ndryshimet sociale në sjellje të individëve në epoka të ndryshme shoqërore. P.sh. Në epokën moderne të shoqërisë u kultivuan sjellje që pasqyronin elementet e ngritjes dhe emancipimit kulturor, ndonëse sipas tij këto ndryshime nuk ishin racionale, por thjesht rezultat i procesit të evoluimit në nivelin perceptimit kolektiv mbi natyrën e sjelljeve njerëzore, individëve në veçanti. Në bazë të këtij konkluzioni, etapat e zhvillimit të një shoqërie, i nënshtrohen detyrimisht proceseve evolutive, kohore, dhe hapësinore. Ato nuk janë statike dhe sipas Elias-it, ndryshojnë, varësisht nga koncepcionet dominuese brenda një stadi të zhvillimit shoqëror.

Elias sugjeron se për ta zgjidhur dilemën dikotomike, shoqëri-individë duhet hulumtuar marrëdhënien e varësisë së vazhdueshme dhe funksionale në mes të këtyre dy entiteteve. Ai jep një shembull ilustrativ duke theksuar se dallimi i marrëdhënieve ndërpersonale tek njerëzit ka karakter më tepër social sesa organik. Tek kafshët për shembull interaksioni është “animalitik” thjesht, përmbushje e pavarur e nevojave organike për mbijetesë dhe jo si funksione sociale. Aktivitetet njerëzore janë të planifikuara drejt një qëllimi final që lidhet me ekzistencën dhe sigurinë, dhe është shoqëria, vizioni abstrakt i përbashkësisë në të cilat marrin formë dhe zhvillohen këto ndërveprime që janë në funksion të njëra tjetrës. Prandaj sipas autorit “shoqëria dhe individët kanë një histori të përbashkët e cila nuk histori e funksioneve natyrore”, por e funksioneve dhe varësisë sociale.

Në këtë tërësi strukturore të këtyre marrëdhënieve është individi i cili thekson nevojën për identifikimin me “We –Ne” dhe asociacione të ngjashme të përkatësisë kolektive. Kjo nevojë sipas autorit është e shprehur që në momentet e ndërgjegjësimit të individit mbi qenësinë e vet. Për këtë arsye ai thekson se “shoqëria nuk është jashtë individëve”, ajo është kompozitë dhe shprehje e veprimeve të tyre. Elias hulumton gjenezën e kësaj marrëdhënie qysh në organizimet e para shoqërore, në epokën parahistorike, ku ndër tjerash vëren se ekzistenca e grupit është varur nga kontributi i përbashkët i individëve, dhe anasjelltas. Kjo ndërvarshmëri sipas tij, karakteristikë e natyrës njerëzore, ka evoluar varësisht nga zhvillimet dhe transformimet epokale përgjatë historisë njerëzore, por gjithnjë duke e ruajtur funksionin bazë atë të ndërvarshmërisë sociale.

Sa i përket raportit të shtetit dhe shoqërisë në epokën e modernitetit autori vërën se format e para të shteteve moderne përfaqësojnë imazhet e hapësirave dhe aparateve strukturore me anë të të cilave synohet zotërimi i anktheve dhe pasigurive individuale apo kolektive. Prandaj edhe forma e shprehjes intonative “We–Ne”, është sinonim i varësisë sociale të individëve nga elementet e tërësisë shoqërore apo vet shoqëria. Autori vëren se “Në ditët e sotme fjalët si ‘individi’, ‘shoqëria’, ‘personaliteti’ ‘kolektivja’ janë armë ideologjike në betejën për pushtet të grupeve dhe shteteve të ndryshme”; “ndjenja të tilla mund të përmblidhen brenda një ideje mitologjike që njësitë shoqërore si kombet, racat, apo klasët ekzistojnë pavarësisht nga individët, dhe që kështu mund të flasim për shoqëri pa individë”. Natyrisht ky është vetëm një rezultat iluzor që krijohet në konfliktin e vazhdueshëm ndërmjet dy entiteteve individi dhe shoqëria.

Lindja e koncepcionit për vetën “I –Unë”, sipas autorit, përbën kalimin nga stadi i shoqërive të mendësisë tradicionale në shoqëri moderne. Rritja dhe intensifikimi i marrëdhënieve shoqërore në modernitet ndikoi në individualizimin e vazhdueshëm të sjelljeve dhe prirjeve sociale në të cilat përfshiheshin individët. U krijuan hapësira të reja të lirisë dhe shprehjes, ndryshe nga tipet e shoqërive tradicionale. U zhvillua vetëdije për vetveten dhe qëllimin individual. Megjithatë dikotomia individ-shoqëri nuk u shua. Ashtu siç përmendem më lart, kjo dilemë u kanalizua në forma të reja të përbashkësive strukturore, si shteti, kombi, ideologjitë, grupet sociale, racat etj. Sa do që krijohet përshtypja e një relativizimi të kësaj marrëdhënie prapëseprapë pa-qendërisa dhe pozita fluide e zhvillimit dhe evoluimit shoqëror mund të rikthejë gjendjen e mëparshme.

Konkluzion

Vepra e Norbert Elias “Shoqëri e individëve” është kontribut i veçantë shkencor në fushën e mendimit dhe interpretimit sociologjik të fenomeneve sociale. Vështrimi analitik mbi marrëdhënien Shoqëri – individë, qartëson dilemën sa i përket perceptimit dhe rëndësisë që kanë për njëra tjetrën këto dy entitete, në dukje të parë të ndara, por që në realitet paraqesin një tërësi të vetme funksionale të marrëdhënieve shoqërore. Ajo që e dallon mendimin e Elias-it nga shkollat dhe traditat dominante të shek. XX në fushën e sociologjisë, është qasja e tij sistematike e vrojtimeve sociologjike në përpjekjen për ta dhënë një pasqyrim sa më të qartë të raportit dikotomik në mes të shoqërisë dhe individëve.

Vlen të ritheksohet konstatimi Elias-it (Kjo pikëpamje asocon në idetë dhe koncepcionet e Dyrkemit mbi solidaritetin mekanik dhe organik, por edhe në pikëpamjet e Ferdinand Tonnis-it lidhur me konceptet Gemeinschaft dhe Gesslleschaft) se transformimi i parë i paradigmës së ‘We-identity’ në ‘I-Identity’, ndodhë në shoqëritë moderne të organizimit politik në kuadër të shtetit. Përderisa në të kaluarën bashkësitë e vogla të lidhjes së gjakut si familja, fisi etj; kanë qenë pengesë në tendencat për individualizim shoqëror, dhe sjelljes së pavarur të individëve, në kohën e organizimit politik të shoqërisë, tendenca të tilla humbasin kuptimin dhe rëndësinë, ngase siguria dhe ekzistenca e individëve që dikur është varur drejtpërdrejta nga entitetet e lartpërmendura, ofrohet në kuadër të hapësirave dhe organizimeve të reja sociale, të rregulluara në bazë të një kontrate sociale dhe të mbrojtura me ligj. Ky është imazhi modern i bashkësisë, që ka krijuar individi për veten. Në momentet kur cenohet integriteti i kësaj hapësire të sigurisë, atëherë ndodhin edhe antagonizmat dhe përplasjet e para të natyrave politike ideologjike, që kanë kulmuar në shek. e XX.

Sipas Elias-it, me gjithë praninë raporteve dhe sjelljeve gjithnjë më të indivializuara, në shoqëritë moderne, kemi të bëjmë me një rrjet të zinxhiror të padukshëm të ndërvarësisë shoqërore.

Autor: Albert Mecini