SHARE

Pranë sheshit të vogël lartësohej një kodër, në majën e së cilës gjendej një kështjellë. Veronika dhe Eduardi ngjitën shpatin, duke sharë e qeshur, duke shkarë mbi akull dhe duke u ankuar nga lodhja.

Në krah të kështjellës ngrihet një vinç shumë i madh me ngjyrë të verdhë. Për këdo që shkon për herë të parë në Ljubljana, ai vinç krijon përshtypjen se kështjella është duke u riparuar dhe së shpejti do të ketë përfunduar.

Por banorët e Ljubljanës e dinë se vinçi ndodhet aty prej vitesh, edhe pse askush nuk e di arsyen e vërtetë të pranisë së tij. Veronika i tregoi Eduardit se, kur u kërkonin fëmijëve të kopshtit të vizatonin kështjellën e Ljubljanës, ata fusnin gjithnjë vinçin në vizatimet e tyre.

– “Mandej, vinçi është më i mirëmbajtur se kështjella” – tha Veronika.

Eduardi qeshi.

– “Ti duhet të kishe vdekur”, nënvizoi ai, ende nën efektin e alkoolit, por me një zë që dëshmonte njëfarë frike. “Zemra jote nuk duhet ta përballonte këtë ngjitje.”

Veronika i dha një të puthur të gjatë.

– “Më vështro mirë në fytyrë! Mba mend çdo tipar me sytë e shpirtit që t’i riprodhosh një ditë! Po deshe, nis me atë, po fillo të më pikturosh. Është kërkesa ime e fundit. Beson te Zoti?”

-“Po”

-“Atëherë, betohu për Zotin që beson, se do të më pikturosh.”

-“Të betohem.”

-Dhe se, pasi të më kesh pikturuar, do të vazhdosh të më pikturosh.

– “Nuk e di nëse mund të betohem për këtë.”

– “Mundesh. Dhe po të them edhe diçka tjetër: faleminderit që m’i dhe kuptim jetës. Erdha në këtë botë për të hequr të gjitha këto, të përçapem për të vrarë veten, të shkatërroj zemrën, të të takoj ty, të ngjitem në kështjellë dhe të të lë të më pikturosh fytyrën në shpirtin tënd. Kjo është e vetmja arsye përse erdha në këtë botë: të të lejoj të gjesh sërish shtegun nga i cili je larguar.”

– Ndoshta është tepër herët a tepër vonë, por ashtu si ti pak çaste më parë, dëshiroj të të them të dua. Nuk je e detyruar të më besosh, mbase është ndonjë marrëzi, ndonjë nga fantazitë e mia.”

Veronika u shtrëngua pas Eduardit dhe luti Zotin, të cilin nuk e besonte, ta merrte në çast.

Mbylli sytë dhe ndjeu se edhe ai po bënte të njëjtën gjë. Dhe erdhi gjumi i thellë, pa ëndrra. Vdekja ishte e ëmbël, kishte erëmimin e verës, ndërsa ajo përkëdhelte flokët e tij.

Paulo Coelho,”Veronika vendos të vdesë”