SHARE

Shkencëtari Charles Darwin (Çarl Darvin) e kishte zgjuar filozofin Friedrich Nietzsche (Fridrik Niçe) nga gjumi i tij dogmatik, duke kuptuar se gjatë gjithë historisë organike, asnjë specie nuk është e pandryshueshme (duke përfshirë edhe specien tonë). Ndryshimi i vazhdueshëm e zëvendësoi palëvizshmërinë e përjetshme. Duke shkuar përtej Darvinit, mendimtari gjerman dha një interpretim të natyrës dinamike duke trajtuar me anë të ndërlikimeve filozofike dhe konsekuencave teologjike për të marrë seriozisht faktin e evolucionit biologjik.

Nietzsche më parë nuk kishte njohuri për kohën gjeologjike ose për rekordin paleontologjik. Ai pranoi përhapjen më të diskutueshme të teorisë së Darvinit: njerëzimi kishte evoluar nga paraardhësit e largët të një primati majmunësh, në një mënyrë krejtësisht natyrale, përmes një procesi rastësie dhe domosdoshmërie (variacione të rastësishme çasti që shfaqeshin dhe përzgjedhja e pashmangshme natyrore që vepronte mbi individët brenda një mjedisi në ndryshim). Madje edhe aftësitë mendore të qenieve njerëzore, përfshirë dashurinë dhe arsyen, u bënë gjatë rrjedhës së ngjitjes evolucionare nga format më të hershme të primatit.

Për Nietzschen, evolucioni është shpjegimi më i saktë për historinë organike, edhe pse ky rezultat jep një pamje katastrofike të realitetit, pasi që evolucioni (siç u pa) ka të vërteta të mëdha për kozmologjinë shkencore dhe antropologjinë filozofike: Zoti nuk është më i nevojshëm për të llogaritur ekzistencën e universit apo edhe shfaqjen e specieve tona nga kafshët para historike. Në fakt, ky filozof tha se evolucioni darvinian çoi në një kolaps të të gjitha vlerave tradicionale, sepse që të dyja, kuptimi objektiv dhe qëllimi shpirtëror, ishin zhdukur nga realiteti (dhe rrjedhimisht nuk mund të ketë moral të caktuar apo të besueshëm).

Nietzsche e dinte se sistemet e mëparshme filozofike nga Platoni dhe Aristoteli deri tek Kanti dhe Hegeli ishin të pamjaftueshme për t’u marrë me krizën e evolucionit. Si rezultat i kësaj, tani kërkohej një filozofi krejtësisht e re e shpjegimit të botës. Nietzsche ofroi një interpretim të realitetit që pranonte rrjedhshmërinë e natyrës, specieve, ideve, besimeve dhe vlerave. Për më tepër, ai mendonte se është e pakuptimtë të mendosh se fakti i evolucionit mund të mësohet ndonjëherë sikur të ishte një religjion (pasi që procesi i evolucionit nuk përmban asgjë që është e qëndrueshme, e përjetshme apo shpirtërore).

Mund të përfytyrosh tiradat e Nietzsche kundër fundamentalizmit biblik dhe të ashtuquajturës krijimtari shkencore që kanë kërcënuar shkencën dhe arsyen gjatë shekullit të njëzetë. Gjithashtu edhe një ateist si Stephen J. Gould do të ishte urryer nga Nietzsche për mbajtjen e një dualizmi ontologjik të pajustifikuar që mbështet të dyja anët, atë të botës natyrore të shkencëtarit dhe sferën transcendente të teologut. Për dallim, si një monist siç është Richard Daëkins dhe Daniel C. Dennett do të ishin të admiruar nga Nietzsche për sistemin e tyre natyralist, i cili nuk mbështetet në një botë përtej natyrës.

Nietzsche kishte supozuar se rezultati i evolucionit darvinian mund të tregonte vetëm suksesin e formave inferiore (të dobëta dhe mediokre) të jetës,  thënë thjesht në aspektin e numrave absolutë, p.sh., viruseve kudo, baktereve, insekteve dhe peshqve. Filozofi argumentoi se teoria e Darvinit për luftën e verbër të shumicës së specieve për ekzistencë duhej të zëvendësohej me zbulimin e tij të luftës individuale të një pakice për vetë-krijim dhe përsosmëri.

Nietzsche e bëri shpjegimin e mekanizmit të përzgjedhjes natyrore thjesht si kalkulim për sasinë e specieve brenda historisë organike, por (për të) është një forcë vitale që e rrit cilësinë e formave të jetës në të gjithë evolucionin progresiv biologjik. Ai tha se natyra është në thelb vullneti për pushtet. Jeta në zhvillim nuk është thjesht lufta spenceriane/darviniane për ekzistencë, por më shumë se kaq ajo është përpjekja e vazhdueshme drejt kompleksitetit, diversitetit, shumëllojshmërisë dhe kreativitetit. Shkurtimisht, duke kujtuar interpretimet e ofruara nga Lamarck dhe Henri Bergson (ndër të tjera), vitalizmi i Nietzsches ka zëvendësuar përshtatshmërinë e adaptimit të Darvinit me fuqinë krijuese.

Filozofi pohoi se evolucioni i organizmave kishte origjinën në balt, por speciet tona tani qëndrojnë më lart dhe janë madhështore në piramidën e jetës. Megjithatë, ai pa një tendencë të natyrshme që kafsha njerëzore të evoluonte drejt mediokritetit të zakonshëm. Por, nëpërmjet vullnetit për pushtet, individët superiorë kanë potencialin për të zotëruar jetën e tyre (kapërcimin e nihilizmit dhe pesimizmit) dhe intelektin për të aktualizuar aktivitetin krijues.

Ashtu si Thomas Huxley, Ernst Haeckel dhe vetë Darvini, Nietzsche na mësoi vazhdimësinë historike midis qenieve njerëzore dhe kafshëve të tjera (sidomos të shimpanzeve). Megjithatë, filozofi pohoi se disa individë do të rriten shumë më lart se kafshët, duke përfshirë speciet tona, por kjo do të ndodhë vetëm në të ardhmen e largët.

Nëse specia njerëzore është e ngjizur nga majmuni fosil, atëherë pse nuk duhet të ndiqet një formë edhe më e lartë e jetesës, pasi që majmuni është tejkaluar nga kafsha e sotme e njohur si njeri? Sipas Nietzsche-s, speciet tona biologjike janë kuptimi dhe qëllimi i tokës deri më sot, sepse shigjeta që tregon majmunin e fundit deri tek njeriu i ardhshëm; ky ekzaltim, por i paimagjinueshëm, do të jetë i avancuar intelektualisht përtej aq sa do të tejkaloj kafshën e tanishme njerëzore, ashtu si lloji ynë që është i avancuar biologjikisht përtej krimbit të përulur!

Për Nietzsche-n, njerëzit e së ardhmes janë si evolucionet estetike të një skulptori që paraqet një imazh ideal që fle në një gur të papërpunuar. Duke e gdhendur këtë qenie superiore, filozofi u udhëhoq nga hija e tij, megjithëse ai qëndroi indiferent ndaj shkatërrimit që rezultoi nga krijimi i tij intensiv: “Fragmentet fluturojnë nga guri; Çfarë është ajo për mua? ”

Ndryshe nga prifti i heshtur Pierre Teilhard de Chardin, një geopaleontolog dhe mistik jezuit, Nietzsche nuk parashikoi një qëllim të fundëm e përfundimtar ose një pikë të fundit omega për evoluimin njerëzor. Në vend të kësaj, metafizika e tij bazohet në përsëritjen e përjetshme të këtij universi të njëjtë, domethënë një seri e pafund e cikleve kozmike identike. Si e tillë, nuk ka evolucion progresiv nga universi në univers. Rrjedhimisht, kozmologjia e Nietzsche-s përfaqëson atë që është në bërje, dhe evolucioni i tij teleologjik i tejkalimit të njeriut është përcaktuar rreptësishtë brenda çdo cikli.

Nietzsche nuk spekuloi mbi jetën apo inteligjencën apo eksoevolucionin diku tjetër në këtë univers. Për më tepër, ky filozof nuk mund të kishte imagjinuar zhdukjet masive të specieve, nanoteknologjinë, inxhinierin gjenetike, inteligjencën artificiale dhe udhëtimin nga hapësira njerëzore në planetët e tjera. Është e qartë se përparimet e vazhdueshme në shkencë dhe teknologji do të ofrojnë mundësi të mrekullueshme për jetën e re dhe mbivendosje të epokave të ardhshme.

Friedrich Nietzsche e kishte marrë shumë seriozisht trajtimin e kohës, ndryshimit dhe evolucionit. Ai ishte shumë i vetëdijshëm se ky univers është tërësisht indiferent ndaj ekzistencës njerëzore. Megjithatë, filozofia e tij ofron një sfidë optimiste për ata që janë të gatshëm të ndjekin gjetjen e vizionit heroik të vetes së tij.

Përktheu dhe përshtati: Arian Musa

(Ky shkrim është marrë nga Virtualsophists)