SHARE

Nga flokët e saj bojë kullonte,
E pasqyra në të zezë ish njollosur,
Nga sytë gjaku s’i pushonte,
Në shpirt dhe zemër e sakatosur.

Shikimi si nata e errët,
Mendja – bulëz e plasur,
Zëri – një melodi e çjerrët,
Gjoksi – shqyer e zbrazur.

Fustani i djegur nga thëngjinj zjarri,
Lëkura e plasaritur nga tërmeti,
Gishtat i dridheshin si nga acari,
Ngrihej e plasej, e tmerruar nga qameti.

Nuk kish më fuqi nga shtëpia të dilte,
Të mblidhte lule në luginën e mirësisë,
Një kurorë nga e para të niste,
E t’ia falte gjithësisë.

Dorën në ball shpesh e vinte,
E ndiente t’i digjej ëndrra për së gjalli,
I ngjitej në lëkurë e myk i zinte,
Kalbej mishi edhe malli.

* * *

Dhe kur zemra iu mek e më s’po rrihte
Me një litar trupin ta varte kërkoi,
Që të dukej sikur në këmbë ende rrinte,
E vdekja dot nuk e nënshtroi.

 

Autor: Gerald Ramaj