SHARE

Është për të ardhur keq kur sheh një shoqëri të tërë që rri çdo të diel duke ndjekur një emision poshtërues siç është ai i frutit të portokalles.

*O zot i madh do sjellin plehrat në Shqipëri ! -Kujt i plasi. Eja dalim në skenë !
*Mos ! Po na shkatërrojnë mjedisin! -Kujt i plasi. Eja dalim në skenë !
*U rritën tarifat në arsim ! – Kujt i plasi. Eja dalim në skenë !
*Po prishet arti. S’ka më artistë ! -Kujt i plasi. Eja dalim në skenë !
*Po na rrisin taksat! -Kujt i plasi ! *Po na mashtrojnë ! – Eja dalim në skenë !
*Po tallen me lekët tona! – E kujt po i plas, se na lodhe ! Eja dalim në skenë !
E çfarë humori është ky?! Si mund të dalin ca të ashtuquajtur artistë dhe të tallen me fatin e gjithë Shqipërisë?! Ata imitojnë një person që fatkeqësisht ka rënë pre e alkoolit dhe nuk i shpëton dot vuajtjes që e ka mbërthyer. E tallin, dhe bashkë me ta është një Shqipëri e tërë që sot thërret : “Baftjar ! Gëzuar të keqen vëllai !”. Madje qeshin e zgërdhihen kudo nga ikin rrugës teksa shohin njerëz të pirë. Njerëz që flenë nëpër cepa sepse s’kanë shtëpi. Mos u tallni me fatin e mjerë të të pirëve dhe helmuarve në gjak nga vuajtja o njerëz!
Kur bëhet fjalë për ardhjen e plehrave ata janë të parët që nxjerrin një kazan mbeturinash në skenë dhe fillojnë të luajnë ” ula kokën, ngrita kokën “. Por si guxojnë këta që të marrin përsipër talljen me shëndetin e popullit vetëm e vetëm për të marrë ca lekë të qelbura që nuk janë gjë tjetër veçse letra me ngjyra?! Si mund ta kthejnë të qarën dhe vdekjen në të qeshur?! Kush janë këta që të tallen me lopën e fshatarit ?! Me siguri ju erdhi për të qeshur tani. Por mos të harrojmë që falë mjeljes së asaj lope, sot ha qumësht, kos, gjalp, djath dhe gjizë gjithë fshati, qyteti, shteti dhe bota ! Dijani për nder deles, lopës dhe dhisë që ju mbajti me qumësht kur nëna juaj jua ndërpreu të sajin!
Si mund të tallen me shkollën këta? Çfarë mesazhi përcjellin kur dy apo tre artistë ose thënë më mirë “brekista”, vihen në pozitën e nxënësit dhe fillojnë t’i tregojnë përralla seksuale mësuesit, ndërsa këtij të fundit i ngrihet koburja dhe i kap me ndonjë cep për t’iu vjelur pemën me pjeshka?! Po për reformën në arsim?! Edhe këtu e ngjyen gishtin pjeshka. Po për dashurinë mes një çifti?! Në fakt bëni mirë të mësoni prej tyre o njerëz. Po! A e keni parë sa të lumtur e shfaqin një çift ? Madja çdo burr duhet të marri shembull prej tyre dhe le të bëhet pak bamirës me shokët. T’u japi edhe atyre nga një thelë nga ajo e gruas.
Për shkak të këtij emisioni portokallesh dhe atij që bën pazar duke shitur gallata me kile, ne sot po behemi një shoqëri jashtëzakonisht paragjykuese, moskokëçarëse, tallëse, injorante, fyese, banale, pordhace e kështu me radhë. Sot, kur dëgjojmë se është liruar një kriminel duke dhënë rryshfet, themi : “lëri se këtë punë kanë këta përherë “. Kur deputetët tallen në parlament, ne themi përsëri : “lëri se këtë punë kanë këta përherë “. Kur na rjepin xhepat dhe lëkurën, prapë : “lëri se këtë punë kanë këta përherë “. Rritet çmimi i naftës, dritave, ilaçeve , ne prapë : “lëri se këtë punë kanë këta përherë “.
Pra, duke qenë se ne shohim gjëra pa lidhje dhe emisione që marrin me të qeshur çdo problem që i lind shoqërisë shqiptare, kemi arritur në atë pikë sa na duket gjithçka normale. Na duket normale vjedhja, lirimi i kriminelëve dhe vendosja e tyre në krye të shtetit, na duket normale rritja e taksave, ulja e pensioneve, rritja e borxhit publik, papunësia, vuajtja për bukën e gojës.
Mjaft më me televizorin dhe telefonin! Fikini, hapni sytë dhe shihni se ç’bëhet rrotull ! Po na marrin frymën o njerëz !

Shkruajti: Gerald Ramaj