SHARE

“Vetmia është personale, por gjithashtu është edhe politike,” shkruante Olivia Laing tek “Qyteti i Vetmuar”, një nga librat më të mirë të vitit. Gjysmë shekulli më parë, Hannah Arendt (14 tetor 1906 – 4 dhjetor 1975) në debutimin e saj intelektual me veprën “Origjina e Totalitarizimit” i shqyrtoi këto dimensione paralele të vetmisë si një ankth thellësisht personal dhe si një monedhë e domosdoshme e jetës sonë politike.

Arendt e portretizon vetminë si një “terren i përbashkët për terror” dhe e sheh funksionin e saj si arma kryesore e regjimeve shtypëse politike. Pikërisht njëzet vjet para veprës mbi  “Gënjeshtrën në politikë”, ajo shkruan:

“Terrori mund të sundojë në mënyrë absolute vetëm atëherë kur njerëzit janë të izoluar ndaj njeri-tjetrit. Izolimi i njerëzve është një nga shqetësimet kryesore të të gjitha qeverive tiranike. Izolimi mund të jetë pikënisja dhe pa dyshim është terreni më pjellor për terror. Terrori është gjithmonë rezultat izolimit. Ky izolim, i paraprin totalitarizmit, karakteristikë e tij është pafuqia, përderisa fuqia vjen nga masat.  Njerëzit e izoluar janë të pafuqishëm.”

Megjithëse izolimi nuk është medoemos i njëjtë me vetminë, Arendt vëren se vetmia mund të bëhet “toka pjellore” për izolimin mes njerëzve.

“Ashtu sikurse terrori, tirania, i rrënon të gjitha marrëdhëniet midis njerëzve. Vet imponimi i një ideologjie të caktuar shkatërron tek njeriu çdo marrëdhënie të tij me realitetin. Gënjeshtra, në një regjim si ky, ka sukses atëherë kur njerëzit e humbin çdo kontakt me njeri-tjetrin, si dhe me realitetin përreth tyre. Së bashku me ketë, tek njeriu humb edhe aftësia për të ndjerë dhe ajo për të menduar. Subjekti ideal i regjimit totalitar nuk është nazisti i bindur apo komunisti i bindur, por njeriu tek i cili ka humbur aftësia për të dalluar atë që është fakt prej asaj që është fantazi (domethënë, realitetin e përvojës) dhe të vërtetën nga gënjeshtra (p.sh., standardet e mendimit).”

Ajo që i mban gjallë regjime të tilla tiranike, argumenton Arendt, është manipulimi përmes izolimit. Mënyra më efektive për tu arritur kjo është narracioni “Ne dhe Ata”.

Ajo shkruan:

Marrëdhënia e njeriut të izoluar me botën bëhet përmes mashtrimit. Vetëm atëherë kur shkatërrohet edhe trajta më elementare e krijimtarisë njerëzore – që është aftësia për të shtuar diçka nga vetja në botën e përbashkët – izolimi bëhet krejtësisht i padurueshëm. Pas kësaj, izolimi shndërrohet në vetmi.

Përderisa izolimi ka të bëjë vetëm me jetën politike, vetmia ka të bëjë me jetën njerëzore në tërësi. Një qeveri totalitare, ashtu si të gjitha tiranitë, me siguri nuk do të mund të ekzistonte, pa e shkatërruar sferën publike të jetës, pra pa i shkatërruar aftësitë politike të njerëzve, përmes izolimit. Por dominimi totalitar si formë e qeverisjes nuk mjaftohet vetëm me izolim duke e shkatërruar gjithashtu edhe jetën private. Këtë e arrin përmes krijimit të vetmisë tek njerëzit, përmes ndjesisë së ata nuk i përkasin botës, gjë që është ndër përvojat më radikale dhe më të dëshpëruara tek njeriu.

Përktheu: Agon Sinanaj

(Marrë nga Virtualsophists)