SHARE

– Oh, përshëndetje Dankan!

– Përshëndetje Ben! Kjo është e fejuara ime Tina! Tina, ky është shoku im i gjmnazit.

-Përshëndetje Tina! Kënaqësi që u njohëm.

– Kënaqësia është e gjitha e imja z. Ben.

-Dankan, po si ke qenë? Shëndeti, puna …?

– Jam mjaft mirë, kam arritur t’i sistemoj gjërat për mrekulli. Bleva një shtëpi, kam siguruar një punë të qendrueshme, si dhe një grua të hajrit ( në atë çast ktheu kokën duke i buzëqeshur të fejuarës).

-Lajm i mirë! Gëzohem për ju, miqtë e mi. Uroj që mrekulli t’ju shkoi gjithë jeta. Dhe mos harroni, bëni qejf sa jeni të rinj se pastaj ju lë takati. Të shkretat kocka e dinë ç’heqin kur plaken.

Qeshën të gjithë së bashku.

– Po ti Ben, ç’më thua ndonjë të mirë, a je në punë, je martuar …?

– Unë sapo mbarova studimet e larta për Mjekësi dhe pres që të filloj punë tani afër. Kam bërë goxha praktik në disa klinik dhe besoj në aftësitë e mia, them se do ia dal me sukses. Aq më shumë kur bëhet fjalë të shpëtosh jetë njerëzish, unë i dua. I dua njerëzit.

– Sa fjalë të mira. Qenkeni zotni burr z. Ben. Mjekë të tillë lypsen shumë në ditët e sotme. E them këtë nga përvoja ime me qeniet e gjalla, dhe veç kësaj, doja të shtoja se sot mjeku është ftohur shumë në marrëdhënie me pacientin. Po përfundojnë duke i trajtuar njerëzit si pajisje mekanike, nuk ofrojnë atë ngrohtësinë dhe sigurinë që të jep një misionar i vërtetë jetëshpëtues.

-Të falenderoj shumë Tina për fjalët mira. Po, keni të drejtë përsa i përket asaj që folët. Ju përmendët “eksperincën me qeniet e gjalla”. Cili është profesioni juaj?

– Ah, po. Unë jam veterinere, dhe siç ju keni dëshirë t’u shpëtoni jetën njerëzve, unë e bëj këtë gjë me kafshët. Jam shumë e lidhur me to.

– Domethenë, ju kujdeseni dhe shëroni kafshët që ju sjellin personat që janë kujdestarët e tyre. Më pëlqen edhe kur e mendoj si ide.

– Po, është një ndjesi shumë e bukur.

-Po ju Dankan çfarë pune bëni?

– Unë arrita të siguroja një shumë të konsiderueshme nga im at, edhe Tina dha aq sa mundej, mu desh të merrja edhe pak kredi dhe më në fund ngritëm një biznes. Me thënë të drejtën, e kam patur ëndërr që i vogël këtë gjë, doja të bëhesha pronar biznesesh.

– Paske bërë lëvizje të matur. Ke menduar për afat të gjatë. Çfarë lloj biznesi ke hapur?

-Qe goxha e vështirë të nxirrje  dokumentacionet, por i rregullova të gjitha. Kam hapur një thertore, dhe po ecën mjaft mirë. I kam futur të gjitha llojet e mishërave që janë të konsumueshëm dhe njerëzit janë të kënaqur me cilësinë. E pse të mos jenë? Ata e kanë parë shpesh dhe vetë kur ne i therim ato dhe e varim aty mishin e freskët. Në fakt ky është momenti kur shesim më shumë.

Beni shtangu në vend. E gjithë buzëqeshja dhe kënaqësia që ndjeu prej takimit të tyre i ngrinë në fytyrë. Hodhi një vështrim të habitur nga Tina. Ajo dukej se ishte po aq e lumtur sa më parë, madje e shihte të shoqin dhe sytë vazhdonin t’i shkëlqenin përherë e më shumë. “Jo, e pamundur! Si ka bërë vaki?! Profesioni i tij bie ndesh me gjithë ato ç’ka folëm me Tinën. Parimet tona nuk mund të lejojnë një qasje të tillë. Si ka arritur ajo të bjeri dakord për të ngritur një biznes të këtij lloji, të frikshëm, të mëkatshëm, barbarë … ?!

Ndoshta kjo do kërkonte një analizë shumë të thellë psikologjike, por, besoj se duhet njohur mirë edhe natyra e dashurisë. Edhe pse ajo është shumë e lidhur me kafshët, ka pranuar. Mos ndoshta nuk ka dashur t’i prishi punë Dankanit?! T’i kthej planin?! Pse jo? Mundej shumë mirë të zgjidhnin diçka tjetër. Apo dashuria e ka verbuar dhe kur bëhet fjalë për lidhjen me të shoqin, lidhja me kafshët thyhet?!  Shpresoj të mos e bëj thjesht për lekë, jo, nëse ajo do kishte një interes financar për një rast të tillë, me siguri që nuk do e ketë patur asnjëherë lidhjen me kafshën, i bie të jetë sajim. Ndoshta këtu ka natyrë të dyfisht”. Dhe ndërsa Beni vazhdonte të përsëriste në mendje dyshimet e tij, e ndërpreu Tina:

 

– A jeni mirë z. Ben?

– Hej Ben, çfarë të gjeti, je zverdhur i gjithi?!

-Nuk kam asgjë! Më falni, ku e lamë?!

 

 

Shkruajti: Gerald Ramaj