SHARE

Pothuajse një shekull pas vdekjes së tij, piktori libanezo – amerikan, artisti dhe filozofi Kahlil Gibran (6 janar, 1883–10 Prill, 1931), mbetet ende njëri ndër zërat universal më të dashur të së vërtetës dhe përsosmërisë. Por Gibrani siç e njohim dhe e duam nuk do të ekzistonte pa filantropen dhe padronen e artit Mary Elizabeth Haskell – kampionen e tij të madhe, bashkëpunëtoren e shpeshtë dhe dashurinë e tij të pazakonshme.

Hasken dhe Gibran u takuan për herë të parë më 10 Maj, 1904, në studion e një miku të tyre të përbashkët. Ai ishte 21 vjeçar ndërsa ajo ishte gati 31 vjeçare. E impresionuar me artin e tij, Haskell shumë shpejt i ofroi Gibranit mundësinë për studime të pikturës në Paris, me një bursë prej 75$ dollarëve në muaj, të cilat sot janë ekuivalente me 2000$.

Ai pranoi. Në një letër që ai i kishte shkruar një mikut pak para se të arrinte në Paris, në vitin 1908, Gibran e përshkruante Haskell-in si “një engjull që po më udhëzon drejtë një të ardhme madhështore dhe që për mua po e shtron shtegun për tek suksesi intelektual dhe financiar.” Pak pasi kishte arritur në Paris, Gibran shkruante: “Do të vijë dita, kur unë do të jem në gjendje të them ‘unë u bërë artist përmes Mary Haskell.”

Mirëpo duart e hapura të zemërgjerësisë së Marisë, degëzoheshin nga një zemër po aq e hapur, nga njëfarë mirësie e më e madhe në të cilën Gibran shpejt u dashurua. Ai shkonte ta shihte atë më shumë se sa thjeshtë një mirëbërëse – një e afërme shpirtërore, një grua me një ëmbëlsi të pazakonshme, dhe, mbi të gjitha, një person që donte të zbriste në llogoret më të thella të psiqikës së tij dhe të ngjitej në kodrat më të lartë të tij në mënyrë që ta kuptonte, të cilën ai e konsideronte si shkallën më të lartë të dashurisë.

Përmes zemërgjerësisë së saj ai mbijetoi si artist, ndërsa përmes dashurisë së saj vetiake ai e gjeti veten si burrë.

Piktura “Katër fytyrat” e Kahlil Gibran, për të cilën ai u inspirua nga Maria.

Në njërën ndër letrat e tij të para për Marin nga Parisi, Gibran e kap atë që ndoshta është dhurata më e madhe e dashurisë, e cilësdo natyre qoftë – dhuratën e të qenurit i shikuar nga dikush tjetër ashtu siç vërtetë je:

“Kur jam i palumtur, e dashura Mari, i lexoj letrat e tua. Kur mjegulla e pushton “unin” brenda meje, unë i nxjerr dy ose tre letra nga kutia e vogël dhe i ri-lexoj. Ato ma kujtojnë mua veten time të vërtetë. Ato e lartësojnë çdo gjë që nuk është e lartë dhe e bukur në jetë. Secili nga të gjithë ne, e dashura Mari, duhet ta ketë një vend ç’lodhjeje diku. Vendi i ç’lodhjes për shpirtin tim është një pemishte e bukur ku jeton njohja ime për ty.”

Në po atë vit, në ditën e krishtlindjeve, Gibran shkruan:

“Mendoj për ty sot, mike e dashur, ashtu siç nuk mendoj për asnjë person tjetër të gjallë. Dhe përderisa mendoj për ty, jeta bëhet më e mirë, më e lartë dhe shumë më e bukur. Të puth dorën, e dashura Mari, dhe në këtë puthje unë e bekoj veten.”

Në foto: Kahlil dhe Maria, vizatim i bërë nga Kahlil Gibran.

 

Përgatiti: Maria Popova
Përktheu: Shkumbin Nebihi