SHARE

O dritë, bjermë dhe më ndriço
arsyen me rrezet e tua të ngrohta,
Mi hiq demonët që m’tërheqin
shpirtin në errësirë, ma largojnë nga bota,

Mbërtheji, prangosi dhe izoloi
në qelitë më të thella që ka toka,

Dhe kur të ulërasin, kur t’u sulen
kangjëllave të uritur e t’fillojnë
të bluajnë hekurat me dhëmbë…

Digji! Përvëlojua lëkurën dhe mi
thirrë shpirtit që më s’mu gëzoka,
Që krahët m’ia kanë bërë copë e çikë
dhe më nuk fluturoka,

Që m’ia kanë verbuar sytë e
mprehtë dhë më nuk shikoka,
Mi thirrë shpirtit që ma dehën
me egoizëm dhe vrer,
e më nuk llogjikoka.

Verboi o dritë, ndëshkoi,
Me metodat më të llahtarshme torturoi,
Në turrën me dru shkrumboi.
Vetëm shpirtin ma shpëto. Çliroma

nga kthetrat e krijesave të poshtërimit,
Nga speciet e ndyra që u krijuan
për t’ia kalbur zemrën njerëzimit,
Zgjidhe nga zinxhirët flijues
e sille sërish në sipërfaqen e vetëdijësimit,

Dhe nëse zgjohet furishëm
e të kthehet pas kërkon,
dehe me jetën, pijen e rimishërimit.

Gerald Ramaj