SHARE

Se çka konsiderohet vlerë në shoqëri, në një epokë të caktuar, padyshim se kjo ka të bëjë kryekëput me modelin e sistemit në fuqi. Ta zëmë, një vlerë fondamentale në sistemin kapitalist është puna.

Sistemi kapitalist, meqë ai mbahet në jete vetëm përmes punës, e imponon si njërën nga vlerat kryesore të saj dhe se kur dikush mbetet pa punë në kapitalizëm, ai njeri është i pavlerë. Ai papandehur do të shndërrohet në një insekt, sikurse Gregor Zamza tek vepra “Metamorfoza e Franz Kafkës”, i cili deri sa punonte dhe sillte para në shtëpi, e kishte respektin e të gjithëve. Sapo mbeti pa punë, askush nuk e donte.

Kapitalizmi, duke qenë një sistem që mbështetet në rritjen e kapitalit, edhe njeriun e instrumentalizon në shërbim të këtij qëllimi, pra rritjes së kapitalit. Ky instrumentaizim i njeriut nganjëherë është aq i fortë sa njeriut i ndodhë ajo që Marksi e quante tjetërsim i trefishtë; shkëputja e njeriut nga vetja, nga njerëzit e tjerë dhe nga bota.

Njeriu i ngërthyer në ingranazhin e prodhimit masiv, pra i tjetërsuar, nuk e kupton se ka jetë edhe përtej punës, në mos vetëm përtej saj. Ai tanimë është shndërruar në një instrument dhe dergjet diku pas derës së dhomës, sikurse Gregor Zamza, i cili e priste me ankth çdo ditë përçmimin e familjes së tij.

Në ditët e sotme, njerëzit nuk të pyesin se “çka mendon për jetën”, porse pyetje neveritëse të llojit: “a punon diku”, “cila është paga juaj?”. Në ditët e sotme shpesh më bëhet sikur askush nuk e njeh askënd.

Kur dikë pretendon se e ke njohur vetëm nga puna që bënë, atë se ke njohur në plotni. Është e çuditshme dhe e frikshme aftësia e njeriut për tu manipuluar!

 

…ditë pune me një mesditë me diell