SHARE

Arthur Schopenhauer (1788-1860) është ndër filozofët gjerman me më ndikim në filozofinë perëndimore. Ai njihet më së shumti me veprën e tij të ndarë në katër libra “Bota si vullnet dhe përshfaqje”. Filozofia e tij është gjithëpërfshirëse duke rrokur shumë tema të ndryshme njerëzore.

Por në një nga temat që trajton e që merret si një qëndrim diskutabil është pozicioni negativ i tij që ka për ‘gruan’, edhe pse ky pozicion negativ për gruan nuk është i ri në mendimin filozofik. Megjithatë sa i përket Schopenhauerit – ndoshta mund të ketë një shpjegim se pse radhitet ndër filozofët me hidhnim të shtuar ndaj grave.

Vet përvoja e tij me nënën dhe babin, si duket është ajo që ka pas ndikim të madh lidhur me humbjen e besimit të tij për mirësinë e gruas në natyrën e saj.

Schopenhauer kur kishte babanë e sëmurë që dergjej në shtrat, e pa nënën e tij që nuk po bënte gjënë e duhur e që ai konsideronte si shtyllën kryesore të martesës; pra kujdesin ndaj babait të tij.

Pasi kjo gjë nuk u bë nga nëna u dëshpërua nga mos kokëçarja e nënës gjersa ai e bashkndjente çdo vuajtje të babait. Në të njëjtën kohë ai e pa nënën e tij tek e thyente shpesh kurorën martesore, që e bëri ta dyshonte dhe ta shqyrtonte idenë se njeriu për nga natyra është një qenie monogame.

Gjithashtu Schopenhauer njihet edhe për qëndrimin e tij për dashurinë. Ai thotë që dashuria nuk është diçka personale e një individit ashtu siç e besojmë ne. Tek dashuria ai sheh vullnetin e species që na cyt drejt një lidhje sa më ideale për të nxjerr në pah gjeneratat më të shëndosha.

Ai i cili e kupton më kohë se ç’është dashuria do të kuptoj që ajo askënd nuk do ta bëjë të lumtur ngase ajo “mendon” për brezin e ri e jo për individin. Nga argumentet e tija se dashuria është si është, por nuk është aspak në shërbim të lumturisë së individit, atëherë është vetëm një argument që mund ta arsyetoj martesën.

“Më në fund, për të mbështetur martesën, mbetet vetëm mendimi se për ne do të kujdesen gjatë pleqërisë e kur do të jemi të sëmurë, si dhe do të kemi vatrën tonë.”

Por duke e rikujtuar përvojën me prindërit e tij, ai, edhe këtë argument e konsideron të rrem duke pyetur: se mos nëna ime u kujdes për babanë kur ai kishte nevojën?

Prandaj lehtësisht mund të pohohet që kjo mund të jetë arsyeja më e fortë që e pruri në këtë qëndrim kaq negativ për gjininë femërore Schopenhauerin. Për korrektësi po e citojmë vet Schopenhauerin kur nxjerr në pah këtë arsye në librin “Si të sillemi me gratë:

“I njoh gratë.

E quajnë martesën si një institut asistence.

            Im atë, i mjerë dhe i sëmurë, i mbërthyer në karrige nga paraliza, do të kish përfunduar i braktisur, në qoftë se për të nuk do të ishte përkujdesur me dhembshuri një shërbëtor plak.

            Zonja, nëna ime, jepte pritje ndërsa ai po shuhej dalëngadalë në vetmi; dhe dëfrehej kur ai hiqte nga dhimbjet e papërshkrueshme. Kjo është dashuria e grave.”

Autor: Arian Musa