SHARE

 

Më kapi dhimbja e jeta më lodhi
Më çoi në det e në ujë më hodhi
Diku në breg një dallgë më nxorri
Dergjur në rërë, u ul dielli, më mori.

Më hodhi në orbitë si një meteor
Zot e djall s’më prekën me dor’
S’po merrja më frymë si rruazor
Mbi kokë s’mu shfaq asnjë auror’.

Mu afrua hëna e më pa me hetim
Sytë i kish me lotë, s’ishte gëzim
Nga pas vinin yjet me lule si n’varrim
Ndoshta ish fundi, s’kish më fillim.

Mos u trishto Hirjon se tani vjen pushimi
Engjëjt ranë në gjum e s’ndrin më agimi
Shpirtin këtu ta rrëmbejnë e t’vjen flijimi
Vend për t’u fshehur s’gjen as zhgënjimi.

Mos u trishto për zemrën që s’ndihet më
S’të duhet të shohësh dhe dëgjosh asgjë
Këtu dritarja as rrezet e dritës nuk i nxë
Ka heshtje dhe errësirë, askush s’bën zë.

Pranojua yjeve lulet e thurë kurorë
Se mbi kokë s’të kanë vënë aurorë
Mos u tremb nga ferr e purgatorë
Nuk ka dhimbje të të zërë me dorë.

Mos shpreso as për parajsën e bukur
Është tretur e s’ka mbetur asnjë flutur
Krijuesi u rrëmbye, atë e kanë zhdukur
Thonë se sërish në mendje i kanë futur.

Mos u trishto Hirjon se zjarri s’të bën hi
Të rrahë, fyejë, tallë e vrasë s’ka më njeri
Edhe reja e zezë është zhdukur prej qielli
Tani ti nuk vdes më, ky është shpërblimi”.

Hënë dhe yje bashkë u përqafuam
U shtërnguam fortë dhe u gëzuam
Me trishtimin në sy dritat i shuam
Secili në errësirën e vet, u larguam.

Gerald Ramaj