SHARE

“Për miliona vjet, njerëzimi jetoi tamam si kafshë. Por pastaj diçka ndodhi, duke e çliruar fuqinë e imagjinatës. Ne mësuam të flasim.” – Stephen Hawking

Pink Floyd: Rojtarët e Egos

Kritikë mbi poezinë “Keep Talking” të Pink Floyd

Të flasësh nuk mjafton vetëm të lëshosh disa tinguj apo të artikulosh ca fjalë. Të flasësh këtu ka kuptimin e komunikimit, krijimit të raportit me tjetrin dhe veten. Nuk mund ta njohim veten nëse nuk jemi në komunikim.

Përmes poezisë “Keep Talking” (FOL), Pink Floyd ka arritur që në disa vargje të pikturojë imazhin e njeriut që është i fortifikuar nga Egoja, duke ja pamundësuar kështu komunikimin me veten dhe tjetrin. Ky fortifikim është i natyrshëm sepse paraqet një mbetje kafshërore të evolucionit. Fortifikimi krijohet si mekanizëm mbrojtës prej sulmeve të jashtme, që krijohen nga traumat emocionale, të cilat janë të shumta në fëmijëri. Gjatë fëmijërisë, arsyeja dhe vetëdija nuk janë aq të fuqishme sa ta mbrojnë individin nga traumat, prandaj këto trauma fosilizohen dhe gradualisht ndërtojnë “Kështjella imagjinare”(vetëmbrojtëse). Fëmija tërhiqet brenda në kështjellë. Kështjella paraqet Egon. Ky proces duhet parë si i natyrshëm dhe një domosdoshmëri për të mbijetuar nga sulmet e jashtme. Por me kalimin e fëmijërisë dhe ngritjen e nivelit të vetëdijes, detyra e individit është ta rëzojë ‘Kështjellën’ sepse ajo është vetëm një iluzion i krijuar nga gjendja e rezikut.

Si ti shembim Kështjellat?

Karakteristikat e individit të fortifikuar në ‘Kështjellë’ janë: Mosbesimi, frika, pasiguria. Tjetri shihet si kërcënim. Sinqeriteti shndërrohet në rezik. Sa më shumë që ka frikë aq më shumë izolohet dhe sa më shumë izolohet aq më shumë ka frikë sepse është më i vetmuar.

Individi si i tillë nuk e lejon mendimin të vendos urat e komunikimit me Qenine. Me porta të mbyllura ai gradualisht fillon të projektojë një realitet të ri, ku dominon pasiguria, mosbesimi, frika. Në këtë gjendje individi rezikon që të bëj veprime të liga sepse perceptimi i tij për ralitetin është pesimist.

Njeriu limitet e tij, i projekton si limite të Botës – Arthur Schopenhauer

Kjo pasiguri është një kthim i njeriut në Mesjetë. Ndërtohen kështjella të larta e të fortifikuara. Në kullën e vrojtimit të kështjellës ndodhet vetëdija e cila është në gjendje gadishmërie për të pikasur armiqtë dhe pushtuesit e mundshëm. Individi ndodhet në gjendje lufte dhe si pasojë edhe në gjendje frike: Alarm total-Frikë totale-Iluzion total.

Përmes poezisë, komunikimi lartësohet si mjet për ta shembur ‘Kështjellën’ (Egon). Komunikimi është Sinqeriteti, sinqeriteti me veten dhe Botën. E pse duhet të fshihemi? Nga kush duhet të fshihemi?

Komunikimi në anën tjetër paraqet edhe pikën e kthesës në historinë e njeriut. Përmes komunikimit të ideve, u arrit që njeriu nga Toka të lundrojë në Univers. Përmes komunikimit lindi edhe metafizika, duke mundësuar që individi ti kalojë limitet e tij. Komunikimi është mbi të gjitha raport, është raporti i vetes me veten, dhe raport i vetes me tjetrin. Kjo metafizikë brenda individit mundëson që ‘Kështjellat’ të shemben nga brenda.

Për dallim nga keshtjellat Mesjetare prej guri e llaci, ku strehoeshin me mijëra, në këtë kështjellën iluzore të psikës, jeton vetem një njeri-Uni(unë). Karakteristikë e këtij uni është një vigjilencë e mprehtë prej shqiponje e cila rritet cdo orë e cdo ditë. Madje edhe kur është fjetur, shqiponja është në alarm. Alarmi manifestohet me makthe dhe ëndërra nga më të frikshmet, me pushtues e barbarë që mundohen të pushtojnë kështjellën. Për tu mbrojtur nga armiqt iluzor, psika përmes imagjinatës krijon lloj lloj ‘kuajsh Troje’, që në mënyrë tinëzare mundohen të hyjnë në kështjellë. Ky cikël imagjinatash dhe trillimesh përsëritet, përsëritet… Psikës(Egos) i duhet ushqim për ta mbajtur gjallë iluzionin e rezikut dhe ky ushqim janë pikërisht këto trillime me armiq, barbarë dhe ‘kuaj të Trojës’.

Egoja dëshiron që ne të jemi keq. Egoja nuk pyet për ne. Ajo është në Vete dhe vetëm po e bën punën e saj. Ne nuk jemi egoja. Ne duhet të mësojmë të bashkëjetojmë me egon. Nuk duhet ta lëmë të na kontrollojë dhe as nuk duhet ta kontrollojmë. Detyra e individit është ta menaxhojë atë, ta mashtrojmë, në menyrë qe të mos ngre krye. Kur mashtrohet egoja frika humbet dhe lind jeta. Fillojmë ta shohim diellin dhe ta duam hënën. Tek individi tashmë bashkëveprojnë të kundërtat.

Në mes të dimrit, mësova se në mua shtrihet një verë e fuqishme. – Albert Camus

FOL (KEEP TALKING)

“Për miliona vjet, njerëzimi jetoi tamam si kafshë. Por pastaj diçka ndodhi duke e çliruar fuqinë e imagjinatës. Ne mësuam të flasim.” – Stephen Hawking

Më ka kapluar heshtja
Më duket se nuk mund të mendoj
Do ulem në qoshe
Ku askush të mos më shqetësoj
Ndjej se duhet të flas (Pse nuk më flet)
Por e kam të pamundur (Ti asnjëherë nuk më flet)
Fjalët nuk po dalin (Çfarë je duke menduar)
Me vie se po mbytem (Çfarë po ndjen)
Ndihem i dobët (Pse nuk dëshiron të më flasësh)
Por nuk po mundem ta shfaq dobësinë (Ti asnjëherë nuk më flet)
Ndonjëherë them me vete: (Çfarë je duke menduar)
Ku shkojmë nga këtu? (Çfarë po ndjen)
“Nuk duhet të ndodh kështu.
Gjithë çfarë duhet të bëjmë është të vazhdojmë të flasim”.
(Pse nuk më flet) Më vie se po mbytem
(Ti asnjëherë nuk flet me mua) Ti e di që nuk po mbushem dot me frymë
(Çfarë je duke menduar) Ne nuk shkojmë gjëkundi
(Çfarë po ndjen) Ne nuk shkojmë gjëkundi
(Pse nuk më flet)
(Ti asnjëherë nuk flet me mua)
(Çfarë je duke menduar)
(Ku shkojmë nga këtu?)

Nuk duhet të ndodh kështu.
Gjithë çfarë duhet të bëjmë është të vazhdojmë të flasim. – Stephen Hawking

Teksti: PINK FLOYD


Përktheu: Ardian Batusha
Shkruan: Ardian Batusha
(Virtualsophists.org)