SHARE

“Merre këtë thikë dhe ngule në kraharor” – mu drejtua Vetmia, ulur në karrigen përball duke e zgjatur drejt meje.

Sytë e mi u drejtuan përnjëherë drejt saj, të hapur me habi dhe të befasuar nga ajo formë njerëzore e rrallë, e thjeshtë në qëndrim, e pashme dhe me stil elegant. Reflektimi i dritës në tehun e thikës më tërhoqi, ndërkohë Vetmia priste që unë të zbatoja atë çka më tha.

Fillova të zgjasja dorën me ngadalë. Po më dridhej, edhe gishtat po fillonin të lëviznin sikur të ishin pesë gjarpërinj që kërkonin të arratiseshin nga koka e Meduzës. E preka thikën, ishte e ftohtë. E tërhoqa drejt meje dhe e pash ngultazi, i pushtuar nga një shkrirje dileme, pasigurie dhe dyshimi.

“Ç’pret? Nuk ta dhash ta mbash në dorë, ngule në kraharorin tënd”.

Kishte të ngjarë se duarve nuk po u pëlqente kjo histori. Filluan të dridheshin më shumë, sikur kërkonin t’më bënin me shenjë se nuk ishin dakord me këtë akt, ose donin t’më tregonin se një mendje si e imja nuk ishte ende gati për një akt kaq madhor. Unë isha akoma duke u marrë me mbetje, me gjëra vogëlsisht të llogaritshme.

“Pa shiko pa shiko. Djaloshi që na i besonte kaq shumë vetes paska frikë nga dhimbja” -vazhdoi vetmia me ton ironik. “A je i sigurt se mendja jote meriton të zotërojë një trup, ta komandojë? Mëshira që kanë treguar ndaj teje duke të ta falur pa të vënë në provë është diçka e çuar dëm. Ti je ende i papërgatitur.

A nuk e sheh sa frikë ke nga dhimbja? Ndaj ato duar nuk po të binden. Trupi yt nuk do të sakrifikojë veten e tij për mendjen tënde sepse mendja jote nuk është e gatshme të sakrifikohet për trupin. Këto të dyja ngjajnë si dy shina që qëndrojnë paralel dhe i vetmi tren që shkon në to është “pasiguria”.

Jepi pra, ngule atë thikë”.

Me të dëgjuar këto fjalë, zemra filloi të rrihte fortë. Gishtat që po dridheshin, filluan të mbylleshin duke e shtërnguar thikën dhe krahu po ngrihej me majën të drejtuar nga trupi.

Mendja ishte gati të shembte çdo mur që e rrethonte. E revoltuar, ajo ulërinte duke i bërë thirrje krahut që të ndalej. Mirëpo, asnjëherë s’e kisha menduar se mund të ekzistonte një diçka kaq e zgjuar sa Vetmia që qendronte krenare përball meje. Fjalët e saj ishin kaq të mprehta, të vajisura me guxim sa arritën të depërtonin në çdo qelizë të trupit, dhe ai tashmë dukej se ishte i vendosur. Kish ardhur koha që unë të mësoja të vërtetën, të mos rrija më mbi varkë por të merrja një gurë të rëndë dhe të zhytesha në ujë, i tërhequr prej tij. Ishte momenti të arratisesha nga sipërfaqësorja dhe të futesha në thellësi, të zbuloja dhe shihja me sytë e mi të gjitha qeniet dhe botën që fshihej në brendësi të errësirës, sipër së cilës unë lundroja me varkën e cektinës.

Po e ndjeja. Maja e thikës kish filluar të çante lëkurën dhe të depërtonte përtej mishit, drejt e në stomak. Shfaqja e gjakut mbi sipërfaqen e lëkurës më bëri të kuptoja se tashmë ish koha për të vuajtur prej plagës së hapur.

” Jepi, më thellë, më thellë djalosh. Kjo nuk është asgjë. Ti nuk e ke idenë se si vuajnë të ndriçuarit, nuk e njeh akoma dhimbjen, por kjo është pikërisht rruga që të çon drejt saj, dhe pasi ta kesh takuar, ti duhet të sigurohesh që të marrësh bekimin e saj” -u shpreh Vetmia me entuziazëm.

“E ndjej, ndjej dhimbje. Si mund të lejoj që thika të ngulet me thellë?! Kjo është marrëzi. Unë nuk dua të vdes. Ti je e mallkuar, një magjistare që po më bën të vras veten me duart e mia. Kush është ai i çmendur mbi tokë që do besonte se kjo është dhimbje që sheron? Po kërkon t’më shesësh si kurë diçka që është vdekjeprurëse. Nuk do mundem më të marrë dot frymë dhe as të kem uri për të ngrën ushqim. Kjo thikë do m’i bëjë mushkëritë dhe stomakun copë e çikë”.

“Bëhu djalë i mbarë, mos e lejo frikën dhe ankthin të të rrëmbejnë. Hesht, mbylli sytë dhe përqëndrohu vetëm tek thika që depërton brenda teje. Mundohu të ndjesh ftohtësinë e saj. Pasi ta kesh arritur këtë, përdore. Merrja ftohtësinë thikës dhe zbutë nxehtësinë e përhapur nëpër trup prej thëngjinjve të ankthit dhe frikës”.

Me të mbaruar këto fjalë, Vetmia u ngrit nga karrigia dhe mu afrua pranë. Ajo zgjati dorën e saj, e vendosi qetaz mbi timen dhe filloi të tërhiqte thikën mbas duke e shkulur ngadalë. Ndërkohë, fjalët e saj kishin tronditur edhe mendjen. Ajo ishte shtangur në vend dhe po reflektonte mbi çdo përjetim, lëvizje dhe ndjesi, sikur të ishte hipnotizuar.

Pasi e nxorri të gjithë thikën nga trupi im, Vetmia e tërhoqi dorën djathtas. Dhe në moment, siç isha i zhytur thellë brenda vetes, ajo e ngjeshi fortë dorën e saj bashkë me timen duke e ngulur në zemër. Këtë herë dhimbja që përjetova ishte e një niveli shumë herë më të lartë. Sytë mu hapën menjëherë vetvetiu dhe prej gojës lëshova një rënkim duke treguar se ajo vuajtje ishte e vështirë të kalohej në heshtje, pa u ndjerë.

E megjithatë, Vetmia ishte po aty, e qetë, duke më parë drejt e në sy dhe e bindur në atë që bënte.

“Rënkimi jotë është shenjë e mirë. Shumë të tjerë kanë ulëritur me të madhe dhe janë tmerruar, por, sot jemi në rrugën e duhur. Së shpejti nuk do të duhet të rënkosh më, sepse do jesh ti vet që do e duash dhimbjen. Prezenca e saj do jetë më familjare se kurrë më parë.

Thika ka arritur deri në brendësi të zemrës dhe gjaku po fillon të ftohet. Duke u shpërndarë nëpër çdo kapilar, ai do e çlirojë trupin nga nxehtësitë e panevojshme dhe kështu qelizat do mund të punojnë të qeta. Ajo çka të takon të bësh është të marrësh gjak prej zemrës dhe t’ua hedhësh thëngjinjve që të shuhen. Kjo është një ndër betejat e tua më të mëdha. Shuaji këta thëngjinj që çlirojnë nxehtësi sa herë që është e panevojshme dhe liria jote do kthehet në strofkullën e saj të origjinës, tek ti”.

Sa më shumë që fliste Vetmia, aq më shumë zbutej dhimbja, dhe gjithçka rezervohej brenda meje. E gjithë kjo e kishte zhytur mendjen në gjendje transi. Ajo vazhdonte të mblidhte gjithçka që i thoshte udhërrëfyesja e saj.

Mbasandaj, Vetmia vuri re se trupi po e tërhiqte dorën bashkë me të sajën duke e shkulur thikën nga zemra. Më pas krahu u hap nëntëdhjetë gradë dhe maja u kthye në drejtim të kokës. Për trupin kish ardhur momenti të merrte në këmbim hakun që i takonte, ishte radha e trurit. Mirëpo sapo ai filloi të ushtronte forcë, Vetmia ia kapi krahun dhe i foli:

“E kuptoj shumë mirë gjendjen tënde, ke të drejtë por, kjo nuk është e nevojshme të vazhdohet më tej. Ti po kërkon të të kthehet ajo që të takon. Tregove se je i gatshëm të sakrifikosh për mendjen dhe tani ajo duhet të sakrifikoj diçka të sajën për ty. Dua të them se një gjë e tillë do të ndodhë shumë shpejt, pa nevojën që t’ia ngulim këtë thikë edhe mendjes. Mos e merr si padrejtësi.

Dhimbja jote tashmë është edhe e saj. Plagët janë të përbashkëta. Ajo i ka përpirë fjalët e mia dhe po mundohet t’i kthejë në të dobishme për ty dhe veten. Vetëm jepi pak kohë, ki durim. Fjalët që unë them janë si thëngjinjtë që shuajte. Ato sa vijnë dhe nxehen më shumë, kuqen, nxjerrin flakë dhe më pas shndërrohen në dije. Një dije e kulluar është profecia ime. Rrënjët e saj rriten në tokë të shëndetshme, ushqehen me përvojë”.

Me të mbaruar fjalët, hapa sytë dhe u mundova të shihja rrotull, të bëja lidhjen e ngjarjeve për t’u qartësuar. Por, aty para meje nuk qëndronte askush. Vetëm një karrige zinte pak vend brenda atyre katër mureve. Habia prej kësaj zbrazëtie ma bëri gjithçka të turbullt. Eca me ngadalë drejt karriges, duke u kujdesur të mos rrëzohesha. U ula në të, u mbështeta, e mbështeta dhe kokën sa munda, aq sa mori formë të varur, mylla sytë duke nxjerrë frymën që ngjante sikur më rëndonte dhe kërkova të zhytesha sërish në gjendje transi. Këtë herë kisha se çfarë të mendoja, dija më tepër rreth asaj çka doja. Pikëpyetjet mbeteshin të shumta, por edhe përgjigjet ishin riprodhuar dhe shtuar në radhët e tyre.

Autor: Gerald Ramaj