SHARE

Yjet janë veshur në të zeza dhe po mbajnë zi,
E ti e mjera Ofeli lundron mbi lum si një varkë
me marinarë të vdekur,
Se qiell dhe tokë u kthyen në skëterr e fati t’u nxi,
Këtë ditë të zeztë,
ëndrrat me vellon e bardhë nusërore të janë zalisur.

Se ti ike e kurrë s’kthehesh më,
S’kthehet më as dashuria jote
që i shpon zemrat si shpatë e helmatosur,
Shpirti yt i bardhë u kthye në fantazmë dhe trupin në ujë po e lë, Aty ku ti pluskon si një trëndafil nga zhgënjimi e veremosur.

Këpute lule e thure kurorë për në tjetrën botë,
U këndove këngë simbas marrëzive dhe intrigave të zuzarit njeri, Për helm rënkonte e kish etje çdo gotë,
Që farë e keqe të shkulej nga hijerënda mbretëri.

Është çuar fantazmë e jotja e nëpër varre
shpërndan lule e pikëlluar,
Rrezatojnë menekshetë dhe rozmarinat pranë gurëve që të deshën për mot e jetë,
Trëndelinat krekosen nën kërcellet e shpendrave duke lajkatuar, Varrin tënd të çelur, me rutë dhe manushaqe e ka shtruar.

* * *

Dhe tani që kafkë e vjetër prej gropës është vidhisur,
Balta e kalbur në terre t’ftohta mezi pret të të shtijë,
Fytyra jote me lule dhe gjethe gjer në zemër e stolisur,
Ma errëson shikimin dhe buzëqeshja fillon të më ngrijë.

* * *

Ja dhe qyqja nis t’i këndojë fatit tënd o zonjë e molepsur,
Peshqit të shoqërojnë e të mbajnë vellon e gjatë,
Zambakët ulin kokën e lotojnë për ëmbëlsinë tënde të tretur,
I thellë, i terrtë, mbytës dhe i qelbur erë, varri yt të pretë i haptë.

Atje pritet që lumi të të shpjer’,
Në vendin ku vajtojnë ata që si dritë syri të deshën,
Ku demonët shtrojnë gosti e shfryjnë vrer,
Tepër dhelpëri, Ofeli;
Gëzim, lumturi, dashuri… të gjitha t’i zhveshën.

Gerald Ramaj