SHARE

Në një kohë që të gjithë analistët dhe politikanët më të njohur në botë thonë se është rikthyer Lufta e Ftohtë  mes superfuqive, Gjermania ka nisur një ofensivë gjigante për të pajisur ushtrinë me mjete të reja ushtarake.

Nisma është marrë pas kritikave të shumta për gjendjen e keqe të armatimeve, ndërsa ministrja e Mbrojtjes von der Leyen planifikon të nënshkruajë 18 kontrata të reja vetëm për këtë vit.

Sipas mediave gjermane kontratat e parashikuara të jepen këtë vit kapin shumën prej 25 milionë euro.

Gazeta Welt njofton se ndër projektet e parashikuara është edhe blerja e dronave izraelite HeronTP, për të cilat partitë e Unionit dhe SPD kanë rënë dakord edhe në marrëveshjen për bashkëqeverisje. Marrëveshja për nëntë vitet e ardhshme do të kushtojë 1,024 miliardë Euro. Marrëveshjet për shfrytëzimin e dronave Heron 1 në Afganistan dhe Mali do të zjgatet për periudhën deri në shkurt të vitit 2020.

Zëdhënësi i ministrisë së Mbrojtjes tha se dronat duhet të jenë të afta edhe për bartjen e armëve, por vendimi nëse vërtet do të jenë të armatosura në misionet e tyre do të merret më vonë. Marrëveshja e koalicionit nuk parasheh përdorimin e dronave të armatosura në misionet e tyre në këto vende.

Lidhur me pajisjet dhe armatimet duhet të darkordohet edhe Bundestagu, pas konstatimit nëse kontratat janë në përputhje me Kushtetutën, të drejtën ndërkombëtare dhe vlerat etike. Huazimi i dronave izraelite është një nga projektet më të rëndësishme të armatimeve në ministrinë e Mbrojtjes. Marrëveshja ka dështuar në mandatin e kaluar për shkak të rezistencës së partisë socialdemokrate.

Bundeswehri duhet të pajiset edhe me shtatë helikopterë dhe gjashtë avionë transportues C-130J Hercules, të cilët prodhohen në Évreux të Francës. Ministrja von der Leyen do të vazhdojë edhe marrëveshjen për përdorimin e avionëve ukrainas Antonov, në periudhën 2019 – 2021. Qëllimi është që të zvoglohen pasojat nga prishjet e mundshme të avionëve Airbus A400M, shkruan DW.

Në listën e gjërave që do të porositen është edhe teknologjia e radarëve për Eurofighter, pajisjet detektuese, përmirësimin e tankseve Puma, helikopterët NH90, hedhësit e raketave dhe gjëra të tjera. Janë planifikuar edhe një sasi e uniformave të reja për misionet luftarake.