SHARE

Kemi vendosur të vazhdojmë të prodhojmë atë që e quajmë pasuri, a thua gjithçka po shkon mirë. Çdo ditë hapim miniera të reja, atje ku deri dje kishim vendosur të mbronim territorin. Pasuria është kapitali i vdekur. Kapitali i vdekur është ndryshku që gërryen jetën. Kemi refuzuar të flasim me paraardhësit tanë të vdekur. Eshtë mijëvjeçari ynë i fundit. Do të flasim me makinat, fëmijët tanë të vetëm. Kushedi se si do ta rrëfejë fundin e historisë sonë, pasardhësi ynë mekanik

Nga Paul B. Preciado

Historia është bërë copë e çikë, por vazhdojmë të flasim sikur gjithçka është duke shkuar mirë. Vazhdojmë të flasim për përhapjen e demokracisë në perëndim, për progresin e modernitetit, lirisë amerikane, mikpritjes franceze, solidaritetit të veriut për jugun. Demokraci muti. Modernitet muti. Liri muti. Mikpritje muti.

Historia është bërë copë e çikë: identiteti kombëtar, rendi social, siguria, familja heteroseksuale dhe kufiri përbëjnë sot realitetin që po ndërton Evropa. Nuk vjen nga larg, nuk ka të bëjë me të tjerët. Eshtë ajo që bëjmë këtu, tani, brenda kufijve, ka të bëjë me ne.

Historia është shkatërruar dhe terrori është rikthyer në sipërfaqe. Përreth nesh ekzistojnë kushtet institucionale që lejojnë pohimin e asaj, që mund ta quajmë demokracia represive, apo fashizmi demokratik.

Nga fashizmi, tek tregu i lirë

Në Poloni, ultranacionalistët marshojnë me mijëra, për të kërkuar rithemelimin e një Evrope katolike, duke festuar ditën e pavarësisë. Në Itali, e djathta ekstreme vjen në pushtet përmes zgjedhjeve demokratike. Dhe ndërkohë, kudo, neoliberizmi vepron si një buldozer social, duke i hapur rrugën dhe përshpejtuar shpërbërjen institucionale. Në vendet që kanë provuar regjimet totalitare deri në mesin e viteve shtatëdhjetë – Spanjë, Greqi, Portugali – procesi është edhe më i thjeshtë, më i drejtpërdrejtë, sepse këto vende nuk kanë kaluar nga fashizmi në demokraci, por nga fashizmi, në tregun e lirë.

Në Greqi, nëna dhe avokati i Pavlos Fyssas, rapper-i i vrarë prej neonazistëve të Agimit të Artë, janë shënjestra të sulmeve verbale dhe fizike, ndërkohë që as policia, as magjistratura nuk veprojnë për t’i mbrojtur.

Në Spanjë, Jordi Sanchez, Jordi Cuixart, Quim Forn dhe Oriol Junqueras janë në burg, të akuzuar për indipendentizëm dhe rebelim. Dhjetëra njerëz akuzohen se mbrojnë ide politike, që janë kundër kurorës spanjolle. Në 21 shkurt, inaugurimi i Arco-s, panairi i artit në Madrid, u shenjua prej sekuestrimit të shumë fotografive të artistit Santiago Sierra, i cili kishte paraqitur portretet e Jordi Sanchez dhe Jordi Cuixart, duke i quajtur “të burgosur politikë”. Muri që i ishte rezervuar fotografive në galerinë Helga de Alvear në Madrid, mbeti bosh.

Historia shkatërrohet. Por nuk pushojmë së përsërituri se gjithçka po shkon mirë. Ndërkohë që portretet e Sierras hiqen mënjanë, në Spanjën tuaj të injoruar dhe fqinjë, dymbëdhjetë rapper-a të grupit La Insurgencia janë dënuar me dy vite burg, për “nxitje të terrorizmit”.

Zemra e botës perëndimore është kalbur. Por kemi vendosur të vazhdojmë të përfitojmë nga sukseset tona.

“Jam një romantik i luftës së armatosur, mik u im, po të them, për mua, o revolucion, o asgjë”. “Kam të drejtën të rebelohem, as nuk më plas nëse është e paligjshme. Kjo kushtetutë nuk e parashikon. Edhe nëse gjykata më procedon dhe më mbyll në burg, siç do të bënte inkuizicioni, sikur të isha një heretik.   Të rezistosh do të thotë të fitosh, e kam mësuar nga Partia Komuniste spanjolle”. janë këto fjalët që, sipas zyrës së prokurorit spanjoll, meritojnë dënimin me burg. Pa kaluar shumë kohë, rapper-i Valtònyc u dënua me dy vite dhe gjashtë muaj burg, për përbuzje të kurorës spanjolle dhe nxitje të terrorizmit.

Zemra e botës perëndimore është kalbur. Shekuj të tërë dëbime, spastrime dhe shfarosje të pakicave hebreje dhe myslimane, të pakicave seksuale, somatike, punëtore. Shekuj të tërë poshtërim dhe plaçkitje, shpronësime dhe fyerje, kanë shkatërruar zemrën e perëndimit. Por kemi vendosur të krekosemi dhe të mburremi me sukseset tona. Dëshira për konsum, frika, frustrimi dhe urrejtja, janë ndjenjat që udhëheqin ata që qeverisin popujt e perëndimit tonë të dashur.

Gjuha e prishur

Prej nga buron zhgënjimi ynë? Nga lakmia? Çfarë urrejmë kur urrejmë “tjetrin”, në mos një shpikje tonën? Suely Rolnik, psikoterapeute dhe bashkëpunëtore braziliane e Felix Guattari, thotë se “kapitalizmi kolonial” është emri i patologjisë kolektive bashkëkohore. E pandërgjegjshmja jonë është e sëmurë prej kapitalit, e sëmurë prej shfrytëzimit racor dhe seksual. E sëmurë prej identitetit. Zinxhirët kolektivë të gjuhës janë këputur. Por kemi vendosur të vazhdojmë të prodhojmë fjalime për veten, a thua problemi është vetë zgjidhja.

Planeti Tokë është bërë copë. Biosfera po vdes. Por duhet më shumë disiplinë në shkollë, shërbimi ushtarak i detyrueshëm duhet të rifutet për të menaxhuar kohezionin social, dhe kemi nevojë për më shumë armë. Dhuna gjinore dhe agresioni seksual rregullohen duke dënuar agresorët, duke ndërtuar burgje të reja dhe zgjatur dënimet. Dhe ne kemi vendosur të vazhdojmë të prodhojmë atë që e quajmë pasuri, a thua gjithçka po shkon mirë. Çdo ditë hapim miniera të reja, atje ku deri dje kishim vendosur të mbronim territorin. Pasuria është kapitali i vdekur. Kapitali i vdekur është ndryshku që gërryen jetën. Kemi refuzuar të flasim me paraardhësit tanë të vdekur. Eshtë mijëvjeçari ynë i fundit. Do të flasim me makinat, fëmijët tanë të vetëm. Kushedi se si do ta rrëfejë fundin e historisë sonë, pasardhësi ynë mekanik.

(Ky shkrim është sjellur në shqip nga Bota.al)