SHARE

(Mesditë. Mòrgan, ulur në tezgën e tij mbanë rrugës ku punonte duke rregulluar ora, merr një vizitë krejt të papritur nga një mik i tij i vjetër, Klèdori.)

Kledor: Tungjatjeta Morgan!

Morgan: Mirë se ju shoh Kledor, mik i shtrenjtë!

Kledor: Kursejini nderimet e tepërta, Morgan. Në fëmijëri e shihnim miqësinë si një ndër gjërat më të shenjta. Mirëpo, me shtimin e rrudhave në fytyrë, u shtuan edhe krimbat që ushqehen me mirësjelljen e sinqertë. Kshuqë s’na mbetet gjë tjetër veçse të hapim sytë mirë teksa ecim mbi dërrasa, shumica e tyre janë të kalbura.

Morgan: Fjalët e tua më ngacmojnë habinë, Kledor. Nuk e prisja këtë ndryshim tëndin si nata me ditën. Druhem se krimbat për të cilët po flet, gjenden pikërisht tek ushqimet me të cilat zotëria juaj ushqen mendjen. Dhe nëse ka dërrasa të kalbura në këtë mes, ato janë ndjenjat dhe mirësia juaj.

Kledor: Më vjen mirë që ma prite me dinakëri dhe nuk iu përule urtësisë si një lepur. Ne kemi studjuar bashkë histori të ndaluara dashurie si ajo e Romeos me Zhulietën, apo të dala binarësh dhe përfunduar në gremina me lumenj përpirës si ajo e Hamletit me Ofelinë.

Por, me sa ka të ngjarë, këtë herë tragjedia ka mbathur këmbët dhe po troket në dyert tona.

Morgan: Mjaft i re gjerë e gjatë Kledor. Po bëhem merak. Çfarë ka ndodhur?

Kledor: Ja, ta them unë thatë dhe shkoqur. Djali yt, si një dhelpër që s’lë ndyrësi pa futur hundët, mi dërgon vajzës time, një të miture 13-vjeçare, letra dashurie. Gjeje pak se ç’ka ndodhur më pas? Asaj i ka rënë në kokë për të, tamam siç i bie bletës për nektarin e një luleje të paprekur.

Morgan: Ç’thua more faqezi?! Oliveri im 20-vjeçar me vajzën tënde?! Me një të mitur që sapo ka filluar të ecë këmbadorazi në rrugën e jetës? Oh perëndi, kjo nuk është gjë tjetër veçse produkt i marrëzisë së një adoleshence të vonuar.

S’e imagjinoj dot që vajza ime, Flora, e cila s’i ka mbushur ende të trembëdhjetat, të bjerë në dashuri e t’i kallë të shkretën shkollës.

Kledor: Qenke më qyqar seç mendoja.

Morgan: Ç’do të thuash me këtë, Kledor? Dreqin, po e humbas durimin.

Kledor: Po them se edhe miturakja jote ka rënë në dashuri me djalin tim, Aleksin.

Morgan: Çfarë?! Flora ime…

Kledor: Po, pikërisht siç më dëgjove.

Morgan: Jo jo jo. Kjo duhet të jetë me siguri një nga ato shakatë e tua me kripë. Dinakërisë tënde i pëlqejnë tepër këto.

Kledor: Do ndjehesha vërtet i lumtur nëse do ishin të sakta këto që thua, por ja që s’e kam këtë fat.

Morgan: Mirë pra. Po si ndodhi? Ku? Kur?

Kledor: Nuk di më shumë nga ç’të thash. Por, nuk më intereson kjo. Ajo çka unë dua është vetëm një gjë: që të dyja këto histori të marrin fund. Dy vjet apo dy ditë, fëmijët tanë duhet të ndahen.

Morgan: Nuk kam kundërshti me këto që thua, Kledor, por si do ia bëjmë? Këto punë e duan me të butë. Lipset qetësi dhe pjekuri.

Kledor: Butësi the?! Sido që të veprojmë, tragjedia në shpirtin e këtyre njomëzakëve mbetet e pashmangshme.

Morgan: Po e shumta të jetë një tragjedi sa më pak tragjike.

Kledor: Më dëgjo me vëmendje, Morgan. Nëse i merr me të mirë, këta buzëqumështa të hipin në qafë. S’ka urtë e butë në këtë mes. A më dëgjove? Ngulite mirë në kokë këtë që po të them.

Morgan: Kledor, nuk më ke thënë ende se ç’duhet të bëjmë konkretisht.

Kledor: Dëgjo! Në shtëpinë time bëhet siç dua unë. Vajza ime do martohet kur dhe me kë do më pëlqej mua, dhe… e njëjta gjë shkon edhe për tim bir.

Morgan: Po si do i ndajmë?

Kledor (i nevrikosur) Ta marrë dreqi, Morgan. Përse bëre fëmijë kur s’je i aftë të luash as rolin e babait e as të burrit?

Morgan (duke ngritur supet) Mundohem të bëj më të mirën.

Kledor: Shko në shtëpi dhe thuaji djalit të mos vazhdojë më tej, përndryshe, ke për të parë se nuk do rri duarkryq! Me djalin tim merrem vet.

Të këshilloj të marrësh masa sa më parë dhe të mos i shoh më bashkë, ose kam për t’ia përdredhur zverkun si të lepurit me këto duar. Dihe se nuk ia kursej as fëmijës tim po s’mu bind. Kaq po të them.

Morgan: Kledor, unë të njoh mirë ty, jemi rritur bashkë. Ne kemi lexuar dhe mësuar aq sa e dimë mirë se si funksionojnë këto marrëzira papjekurie, dimë më tepër se sa nevojitet për të qenë agresivë. Ndaj, s’mund të jemi të tillë. Po më vjen mendja rrotull, Kledor.

Kjo e uruar ka të drejtë, sot nuk kam kthyer asnjë gllenjkë konjak. Aq më shumë kur bëhet fjalë për një ditë të lodhshme dhe për një problem kaq të koklavitur sa i yni. Si thua, a shkojmë të zbrazim një shishe?

Kledor: (i zënë ngusht) Mirë e ke or shok. Kjo punë është vërtet një katran me bojë. Shpikja e librave e çoi botën shumë përpara, por rruga qenka e errët, shumë më e errët se ç’mund të shohin sytë tanë.

Me sa duket, momenti i rënies në humnerë nuk është larg. Uroj të mos jetë aq e thellë sa të mos dalim dot më.

Morgan: Tamam, pikërisht ashtu Kledor. Pra, le të dehemi, të dehemi sa t’i harrojmë hallet tona për sot. Se nesër plot të tjera na presin.

Kledor: E the mirë, Morgan! (të dy bashkë) Këtë dolli e ngremë për dashurinë.

Shkruajti: Gerald Ramaj