SHARE

Ndonjëherë, të gjithë kemi pasur ndjesinë se diçka do të ndodhte, pak para se të ndodhte. E quajmë parandjenjë. Këto parandjenja, megjithatë, nuk u referohen ngjarjeve të mëdha, por situatave personale. Është supozimi se diçka do të ndodhë në një mënyrë të caktuar.

Në kulturën popullore, ka shumë që flasin për këtë. Për shembull, thuhet se zemra e një nëne nuk gabon kurrë. Ky pohim i referohet faktit që, me sa duket, nënat janë në gjendje të identifikojnë atë që është e përshtatshme apo jo për fëmijët e tyre.

Përdorim edhe shprehje të tilla si, “Unë ndjej që”, apo “Kjo mban erë”, të cilat kanë të bëjnë me mundësinë e supozuar, që ju mund të shihni përtej asaj që është e dukshme.

Parandjenjat janë diçka ndërmjet intuitës dhe paralajmërimit. Supozohet që veprojnë si një lloj radari. Rrokin në mënyrë precize, se do të ndodhë një ngjarje pozitive apo negative, një rrugë që të çon në një fund të lumtur, ndërsa një tjetër çon në vështirësi të mëdha.

Lejojnë të nuhasim se një ngjarje e bukur po ndodh ose, e kundërta, një tragjedi. Megjithatë, a ekzistojnë me të vërtetë? A janë aq të sakta sa thonë shumë njerëz?

Dëshmi

Ivan Tozzo është zëvendëspresident i Chapecoenses, ekipit brazilian të futbollit, i cili në vitin 2016 pësoi një aksident të tmerrshëm në Kolumbi.

Si anëtar i ekipit, një nga detyrimet e tij ishte të shoqëronte lojtarët gjatë ndeshjeve të Liga Sudamericana. Megjithatë, përpara se të hipte në avionin që u rrëzua, Tozzo kishte një parandjenjë. Ai vendosi të mos shkojë, por pa e ditur pse. Ky vendim i shpëtoi jetën.

Një ish-guerilas nga El Salvadori, i quajtur Francisco Cerquera tregon se një natë iu besua mbikëqyrja e zonës jugore të kampit të tij. Ndryshe nga herët e tjera, në atë rast ai pati aq frikë sa i filloi një dhimbje e fortë stomaku, dhe kështu detyra iu ngarkua një luftëtari tjetër. Po atë natë, ushtria i sulmoi nga vendi ku Cerquera nuk pranoi të shikonte.

Në rrjetet sociale, një nënë, Martha Fernández, tregon përvojën e saj. Ajo thotë se djali i saj kthehej vonë, por jo gjithmonë në të njëjtën orë. Një herë, kur ishte ende herët, ajo ndjeu një ankth të fortë. Orët filluan të kalonin dhe djali nuk u kthye. Në agim, mori një telefonatë ku i thanë se i biri ishte në spital. Ishte përplasur. Nëna siguron që ndjenjën e fortë të ankthit kish nisur ta ndiente, një orë përpara aksidentit.

Ka, natyrisht, shumë dëshmi të tjera të fenomeneve të ngjashme. A mund t’i bëjmë këto tregime si bazë për të pohuar se ekzistojnë parandjenjat? Shkenca e ka ngritur edhe ajo këtë pyetje. Në fakt, disa eksperimente janë kryer për të gjetur të vërtetën. Nga ata, doli një koncept interesant, ai i “veprimtarisë paralajmëruese anormale”.

Veprimtaria paralajmëruese anormale

Universiteti Northuestern, Shtetet e Bashkuara, ka analizuar 26 studime në pjesë të ndryshme të botës, tema kryesore e të cilave ishte parandjenja. Këto studime u publikuan midis viteve 1978 dhe 2010.

Kur u pyetën nëse ishte e mundur që të ketë parandjenjë, studiuesit dhanë një përgjigje të qartë: po. Sipas studimit të tyre, në disa raste, qeniet njerëzore, në fakt, parashikojnë se çfarë do të ndodhë.

Arsyeja për këtë nuk qëndron në ndonjë fuqi magjike, por në të pandërgjegjshmen. Studiuesit pohojnë se e pavetëdijshmja zotëron njohuri dhe informacione më të gjera dhe më të thella se sa e vetëdijshmja.

Disa matje fiziologjike tregojnë se trupi reagon përpara se stimulimi të bëhet i ndërgjegjshëm. Një studim i Universitetit të Uashingtonit e konfirmoi atë me një eksperiment të kryer në vitin 2005.

Dr. Julia Mossbridge, studiuese kryesore, ka treguar se nëse njerëzit janë në harmoni me trupin e tyre, ata zbulojnë një situatë rreziku deri në 10 sekonda më herët. Mossbridge deklaron se këto dukuri nuk mund të konsiderohen parandjenja, në fakt, reagimet e tilla janë quajtur “veprimtaria anormale paraprake” dhe, shton ajo, nuk është “normale”, në kuptimin që nuk e gjen tek të gjithë njerëzit. Megjithatë, është e verifikueshme në laborator.

Sipas Mossbridge, ky fenomen nuk mund të shpjegohet me njohuritë tona aktuale të biologjisë. Instrumentet matëse tregojnë ndryshime në sistemin e frymëmarrjes, atë kardiak dhe pulmonar përpara se të ndodhë një ngjarje e rrezikshme.

Në këtë moment, megjithatë, arsyeja injorohet. Studiuesit në Universitetin Northuestern tregojnë se ndoshta është e mundur të gjesh shpjegime në biologjinë kuantike. Studimi u botua në Frontiers in Perception Science.

Megjithëse nuk është e mundur të vërejmë me kujdes të gjitha ndjesitë dhe të gjitha mendimet që na pushtojnë, shumë herë janë kaq të forta, sa nuk mund t’i shpërfillim. Le ta quajmë sensin e gjashtë ose intuitë, në çdo rast mirëpresim të gjitha ndjesitë që na ndihmojnë për të na mbrojtur ose për të shijuar momentin. /Bota.al