SHARE

Ti hyre aty ku nuk guxoi askush ta bënte, gjete rrugën më të thjeshtë të mundshme dhe zbute cdo hendek ndërmjet, ti e zhveshe botën nga kotësirat e një maske që mbulon fytyrën e vërtetë, ti i veshur me një guxim që rëndom thuhej “prej të cmenduri”, erdhe në shpirtin tim…

Ashtu sic ti dije, me zë të lartë e me zhurmë, me të vërteta, të zhveshurat që i trembin sot të gjallët, vetëm ti munde, ti nuk do dështoje kurrë, ti i veshuri në zemër e shpirt me njëmijë ndjesi! Ti erdhe…

Erdhe për të mos ikur asnjëherë!

Nuk solle me vete asnjë shabllon të sfilitur prej premtimeve boshe, nuk u zotove për të ndryshuar, ti erdhe i tillë sic je edhe tani, me një vrull të pashoq për jetën, emocionin, të bukurën, në një kohë të shkurtër por që shpirtin të mban plot për gjithë jetën!

Do të lexosh tek unë gjithë jetën, veten! Do të gjesh pak nga pak në cdo rresht të fshehur diku një pulsim që të përket, do të gjesh edhe njëherë në rrugët që dikur bëje, një kujtim të mbetur peng.

Sepse vetem ti hyre aty ku askush nuk pati guxim ta bënte, ti më shëmbe mure ngritur prej njerëzve të ftohtë, mi dhe formë lumturisë, nuk e kam zhbërë prej atëherë, vetëm ti e gjete rrugën për tek ajo!

Lutu ti njohësh njerëzit përtej lëkurës, më thoje, aty u fshihet e vërteta zemër, lutu të gjesh rrugë që të bëjnë të jesh e lumtur dhe kur të jesh rraskapitur mos ndalo, duaje dhe rend bashkë me të…

Po mos të të kisha njohur ty, do e quaja të humbur një pjesë të vetes, sepse ti arrite në ato hapësira ku unë isha e vetmja vizitore, ti erdhe paftuar, erdhe furishëm, me zë të lartë e me të vërtetat që gjithë jetën do të të bëjnë të jesh gjithmonë tek unë!

Në ditën kur nuk do të duhemi më e grushtë hidhërimesh të na e tresin shpirtin pak nga pak, qaj, qaj në dënesë! E kur të shkoj, të jem hapa larg teje, pasi të kem kthyer shpinën, besomë, edhe unë do të qaj, besomë, njësoj si ty, as unë lamtumirën dot s’e mbaj…

– Des’antila