SHARE

Shkruan: Veron Dobroshi

Fatos Arapi është njëri nga lirikët më të shquar të letërsisë shqipe, i cili bashkë me Dritëro Agollin dhe Ismail Kadarenë përbënin trekëndëshin kryesor gjatë periudhës së realizmit socialist në Shqipëri.

Përderisa Kadare fillon me poezi, por vazhdon me prozën, gjini me të cilën do të arrijë majat e suksesit si shkrimtar, Agolli dhe Arapi pavarësisht që krijuan edhe proza të rëndësishme të kohës mbetën të pavdekshëm në letrat shqipe së pari me vargun e tyre.

Si objekt trajtese të këtij studimi komparativ kam zgjedhur Fatos Arapin, njërin nga poetët më të rëndësishëm në letërsinë shqipe. Duke parë ngjashmëri në poezinë e tij me atë të poetit Italian, Cesare Pavese, studimi do të fokusohet në disa prej poezive përfaqësuese të të dy poetëve, poezi në të cilat kam hasur kongruenca e jehona intertekstuale të cilat qenë edhe burimi kryesor i realizimit të këtij studimi.

Arapi shquhet si një poet lirik me një patos të thellë emocional i cili ka shkruar për tema të larmishme. Arapi ka lindur më 1929 në Vlorë dhe shquhet për poezitë, romanet, përkthimet etj. Krijimtaria e tij është shumë e larmishme dhe me të drejtë mbetet si një nga autorët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe.

Në poezinë e tij gjejmë temën e dashurisë, jo vetëm dashurinë ndaj femrës, por edhe dashurinë në sfera më multidimensionale, duke u zgjeruar në fushat më të gjera të sferës njerëzore. Arapi i këndon dashurisë ndaj jetës dhe fenomeneve qe e rrethojnë, vargu i tij është i pastër dhe me një emocionalitet që rrënjët i ka thellë në dashurinë ndaj atdheut, natyrës e në veçanti detit.

Në poezinë e tij elementi i detit zë një vend shumë të rëndësishëm dhe atë e gjejmë të pranishëm në shumë poezi të tij, madje shumë prej poezive të tij në titull kanë edhe emrin det, gjë që na e forcon mendimin se deti ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën dhe krijimtarinë e poetit.

Përqëndrimi kryesor i këtij studimi do të jetë në veçanti në, elementet e dashurisë, figurës së femrës, paraqitjes fizike dhe elementeve të cilave një rëndësi të madhe i kushton në veçanti poeti Italian, Cesare Pavese. Pavese lindi më 1908 në Santo Stefano Belbo në provincën e Kuneos. Edhe pse jetoi pak, 41 vjet, krijimtaria e tij ishte e larmishme.

Shkroi poezi, romane, kritika letrare dhe gjithashtu është marrë edhe me përkthime. Krijimtaria e tij poetike lidhet ngushtë me vetë jetën dhe rrethanat nëpër të cilat ka jetuar vetë Pavese. Se dashuria është aq një fenomen aq i rëndësishëm sa për ta dërguar gjer në depresion të thellë dhe në vetëvrasje një poet, këtë e tregon vetë jeta e Paveses e cila manifestohet drejtpërsëdrejti në vargun e tij, një varg shumë i veçantë, unik në llojin e vet e që e bën Pavesen të jetë njërin nga poetët më të mirë të shekullit XX jo vetëm në Itali, por edhe më gjerë.

SIMBOLIKA E SYRIT

Pavese gjatë viteve të fundit të jetës së tij boton vëllimin me poezi “Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu” (Verrà la morte e avrà i tuoi occhi) , poezi tek të cilat vërehen qartë intencat autoriale, ndikimet e mëdha të rrethanave jetësore të poetit të cilat shkrihen thellë në vargun e tij lirik.

Lirizmi i Paveses shkon gjer në pikën më kulmore, deri tek sakrifikimi i vetes për hir të dashurisë. Dashuria në jetën e këtij poeti kishte ndikim aq të madh, gjë që shkakton influencë po aq të madhe në shkrimet e tij e këtë e shohim më qartë në vargjet e poezisë së këtij vëllimi.

Ky vëllim me poezi njëherësh i kushtohet edhe aktores Constance Dowling me të cilën poeti kishte pasur aferë dashurie, aferë e cila kishte marrë fund dhe poetin e kishte tronditur shumë. Për t’i parë më qartë këto jehona në vargjet e tij, do të ndalemi së pari tek poezia Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu.

Ky titull deklarativ shpreh pikërisht hidhërimin e thellë të poetit dhe aludon menjëherë me diçka që tashmë është e pamundur të realizohet, ka ikur dhe s’do të kthehet më. Si ngushëllim ka mbetur vetëm vdekja, një vdekje që do të shndërrohet në një nga tiparet më të veçanta të njeriut, sytë. Vdekja në këtë rast simbolizohet me sytë e gruas, krahasohet me shikimin, por në të njëjtën kohë nuk është vetëm krahasim, por abstraktja shndërrohet në konkrete. Vdekja merr tiparet e syrit të njeriut dhe tashmë vdekja do të arrijë tek poeti vetëm përmes syve të gruas që dikur e kishte pranë, por tanimë jo.

Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu,
kjo vdekje që nuk na ndahet nga
mëngjesi deri në mbrëmje, e pagjumë,
e shurdhët, si një pendim i vjetër,
a një ves i pakuptimtë. Sytë e tu
do të jenë një fjalë e kotë,
një britmë e mbytur, një heshtje.

Siç shihet në këto vargje edhe sytë marrin tiparet e një fjale të kotë, një britme të mbytur dhe një heshtjeje. Në anën tjetër vdekja që njëherësh është metaforë simbolike nuk i ndahet poetit nga mëngjesi gjer në mbrëmje, por Pavese thotë “nuk na ndahet”, nuk identifikohet vetëm me unin personal, por edhe me objektin të cilit ia kushton poezinë, personit që dashuron. Në një pjesë tjetër të poezisë, Pavese shprehet:

Për të gjithë vdekja ka një shikim.
Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu.
Do të jetë si të heqësh dorë nga një ves,
si të shohësh një fytyrë të vdekur
tek rishfaqet në pasqyrë,
si të dëgjosh një buzë të mbyllur.
Të heshtur do të biem në humnerë.

Subjekti lirik vdekjen e sheh si një fenomen i cili për të gjithë vjen me një shikim të veçantë, loja me vdekjen dhe syrin e bën poezinë shumë metaforike dhe të veçantë ku përmes krahasimeve vargu bëhet shumë artistik. Subjekti lirik është shumë i vëmendshëm për atë që thotë, e di shumë mirë se kujt i drejtohet dhe përderisa frymëzimi poetik ka një objekt të caktuar të të cilit i drejtohet, poezia bëhet më e sinqertë, më poetike dhe më e bukur estetikisht. Syri si simbolikë në këtë poezi na thotë shumë për emocionet e poetit (subjektit lirik), për referencat direkte që lidhen me dashurinë e tij ndaj një femre, konkretisht, ndaj syve të saj. Jo rastësisht poeti zgjedh sytë për ta identifikuar vdekjen me të, për t’u shprehur se vdekja do të vijë dhe do t’i ketë sytë e saj. Sintagma ‘sytë e tu’ identifikohet me dashurinë e subjektit lirik të cilit i këndon, dhe këtë e bën me dashurinë e sinqertë të një njeriu të cilit kjo dashuri i ka shkaktuar një tronditje të thellë emocionale dhe shpëtimi i vetëm duket të jetë vdekja që do të vijë në formë të syve. Poezia përfundon me ‘të heshtur do të biem në humnerë’. Gjendjes së subjektit lirik i bashkohet heshtja, “vdekja” nuk do të vijë vetë, por me vete do të sjellë edhe heshtjen. Kjo ndoshta për faktin se dashuria shpesh herë nuk ka nevojë për shumë fjalë, pasi flet në forma dhe mënyra të ndryshme. Këtë dëshiron ta shprehë poeti dhe padyshim simbolika e syrit në këtë poezi është një nga më të veçantat që është shkruar ndonjëherë.
Në anën tjetër, Fatos Arapi një poezi të tijën e titullon “Do të vijë vetmia e s’do të më gjejë”. Ngjashmëria që në titull na dërgon drejt një raporti intertekstual në mes të dy poezive. Të dy poezitë fillojnë me shprehjen deklarative , “Do të vijë…” Por tek asnjëri nuk na del në mënyrë të drejtpërdrejtë, në atë se do të vijë një person fizik apo konkret. Te Pavese vjen vdekja kurse te Arapi vetmia, por që janë simbolika të qëllimshme për t’iu atribuar elementeve të caktuara të cilat i shprehin poezitë në fjalë. Te Pavese, titulli përfundon në formën pohuese ‘Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu ndërkaq te Arapi ndodh e kundërta, në formë mohuese ‘Do të vijë vetmia e s’do të më gjejë. Edhe te Arapi vetmia del si simbolikë duke marrë tiparet e një qeniejeje frymore, personifikohet. Te poezia e Arapit nuk vjen vetëm vetmia, por edhe shiu, por do të vijë edhe ‘dikush’, gjë që mbetet anonime. Arapi bën një lojë brenda tekstit poetik duke qenë gjithashtu shumë i vëmendshëm dhe tejet i sigurt që objekti të cilit i drejtohet ka për të ardhur medoemos, siç ndodh edhe te Pavese. Por te ky poet shohim se shprehja ‘ do të vijë ‘ manifestohet në disa forma. Poezinë e fillon me vargjet:

Patjetër që do të vijë shiu.
Patjetër dikush do të vijë.

Kurse pak më poshtë thotë:

Goja thotë: Patjetër që do të vijë shiu me ecje prej rëre e uji.

Ndërsa poezinë e përfundon ashtu siç e fillon në titull, ‘Do të vijë vetmia e s’do të më gjejë’. Kjo formë e të luajturit me disa elemente brenda një poezie e bën poezinë shumë të bukur për nga aspekti estetik. Edhe te kjo poezi abstraktja merr tiparet e konkretes. Shiu vjen duke ecur. Shprehja ‘do të vijë’ përdoret katër herë brenda poezisë duke mos e llogaritur edhe titullin ndërkaq te Pavese shfaqet dy herë brenda poezisë. Vetmia dhe vdekja janë sfera të cilat i bashkon një gjë, dashuria. Pikërisht është dashuria që sjellë gëzimet, dhimbjet, grindjet e madje edhe vdekjen siç e shohim tek Pavese. Vetë mungesa e dashurisë, e asaj që dashuron determinon vetminë, e kjo pastaj në shkallën më të lartë arrin gjer në vdekje. Pikërisht janë këto pikëtakime që i bashkojnë këto dy poezi, por gjithashtu nuk është e vetmja gjë. Në një rast brenda poezisë edhe Arapi përmend sytë:

Edhe ti, e pambrritura prej kohe
Ku, me cilin ke qenë gjer tani?
Sytë pyesin. Goja – jo.

Tek Pavese pamë që syri është elementi kryesor bashkë me vdekjen ku të cilat bëhen bashkë dhe pushtojnë shpirtin e subjektit lirik. Këtu edhe pse shfaqet në formë pak më ndryshe pasi subjekti lirik bëhet edhe më i mistershëm duke thënë që dikush do të vijë, e pambrritura prej kohe, por që në të njëjtën kohë po ai mister fillon të zbërthehet dalëngadalë. Pyetja “Me cilin ke qenë gjer tani?” na bën të kuptojmë që bëhet fjalë për një person fizik dhe për një person të gjinisë femërore. Sytë pyesin, goja jo. Pse sytë? Se sytë janë pasqyra e shpirtit, thonë. Me vetë faktin që sytë flasin shumë më tepër se fjalët në shumë raste e veçanërisht në rastet e dashurisë na lë të kuptojmë që jo rastësisht Arapi përmend sytë dhe kjo është pikë tjetër që i bashkon dy poezitë në domenin e interpretimit intertekstual.

Elementi i vetmisë te Arapi është i pranishëm edhe në poezinë me titull “Ti do të vijsh”. Edhe kjo poezi lidhet me një formë të pritjes, tashmë më të qartë sepse është duke u pritur një femër, një dashnore. Që në titull kemi një ligjërim që presupozon ardhjen e dikujt. Kjo pastaj forcohet më shumë në fillim të poezisë duke e mbushur poezinë me një frymë të një optimizmi dhe besimi të madh në vete.

Ti do të vijsh, e dashur, – si s’do vijsh?
Kur e di se unë ty të pres

Vargu i parë përsëritet edhe një herë brenda poezisë. Madje subjekti lirik ka besim aq të madh në vetvete duke e ditur forcën që ka dhe se çfarë mund të bëjë që personi që e dashuron të vijë sa më parë tek ai dhe për këtë gjë sipas tij është shumë koshiente edhe ajo vetë, objekti të cilit i drejtohet, pra, e dashura. Pyetja “Si s’do vijsh”? është një pyetje retorike, gjë e cila vetëm sa e ngrit në një shkallë më të lartë besueshmërinë e unit lirik për ardhjen e asaj që e pret ngase ai është i sigurt që ajo do të vijë. Foljes vij në këtë poezi Arapi ia ndërron variantin e normativit të shqipes standarde duke ia shtuar një ‘j’, dhe na del si ‘vijsh’, folje e cila përdoret plot pesë herë brenda poezisë.

Subjekti lirik i Arapit pret me një pozitivitet të thellë kurse ai i Paveses pret me ndjenja të lënduara e të trishta, një lloj mërzie që kalon deri në masën e depresionit të thellë. Vetmia te kjo poezi paraqitet në formën e metaforave ku përmes figurës së anaforës, Arapi shprehet:

Duke ndier’frymëmarrjen e vetë mbrëmjes,
duke ndier’ frymëmarrjen e vetë pritjes,
duke ndier, frymëmarrjen e vetmisë.

Përsëritet vargu tri herë në fillim, ndërsa mbrëmja, pritja dhe vetmia personifikohen me frymëmarrjen njerëzore.

ASPEKTI STILISTIK DHE GJUHËSOR

Vargu i të dy poetëve ka ngjashmëri për nga shumë aspekte gjuhësore e stilistike. Për nga aspekti stilistik edhe Pavese është një poet që e pasuron vargun me figuracion dhe gjithashtu me përdorimin e mbiemrave dhe lojës sintaksore. Pikë që i bashkon të dy poetët është përdorimi i shpeshtë i enumeracionit, e cila është më e theksuar te vargu i Paveses. Metafora është figurë që gjithashtu i bashkon të dy poetët. Ajo del shumë e pranishme në vargun e të dyve. Te poezia me titull ‘Ti je për mua një krijesë e trishtë’ e Paveses bie në sy përdorimi i shumtë i epiteteve dhe lojës dihotomike që determinon një lloj antiteze.Embëlsia e trishtë e fytyrës tënde, me të puth – me vujt janë disa prej këtyre rasteve në vargjet e kësaj poezie, poezi të cilën gjithashtu e shquan dashuria e madhe ndaj femrës, pesimizmi ku dashuria ngritet gjer në shkallën e adhurimit për gjymtyrët e femrës dhe ku theksohet më shumë frika dhe vetëdija e unit lirik që dikush tjetër do t’i dashurojë ato tipare fizike që subjekti lirik jo vetëm se i dashuron, por edhe i adhuron. Në secilin rast poeti është shumë i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë, pranon që dashuron thellë dhe që vuan nga ajo dashuri. Për nga aspekti gjuhësor, poetët i lidh edhe përdorimi i shumë mbiemrave brenda vargut. Derisa te Pavese kemi trajtat e mbiemrit si: e pagjumë’, e shurdhët, ves i pakuptimtë’, ‘britmë e mbytur’, etj., te Arapi gjithashtu nuk mungojnë mbiemrat si: e pambrritura, e harruara. Te Pavese epiteti ‘e trishtë’ që determinon mbiemrin del në titullin e poezisë “Ti je për mua një krijesë e trishtë”, por që brenda poezisë në një rast përmbyset epiteti, ndërron gjini dhe merr trajtën mashkullore, identifikohet me unin lirik të poetit, ‘i trishtë’.

VDEKJA SI SHPËTIM TE VARGU I PAVESES

Poezia me titull “Kisha dashtë me u mbytë” shpreh një dëshirë të thellë dhe po aq të dhimbshme, një vetëdëshirë për t’u zhdukur nga jeta. Edhe në këtë poezi dalin në pah emocionet dhe intencat autoriale të cilat i forcojnë edhe më shumë tiparet autobiografike të unit lirik. Poeti e ndërton poezinë në bazë të ligjërimit dëshiror që del që në titull dhe përmes kësaj forme vazhdon edhe në vargjet tjera. Për hir të dashurisë, subjekti lirik shpreh dëshirën për të arritur gjer në pikën absolute, të vdesë e të çlirohet nga dhembjet e dashurisë. Poeti ka dëshirë që të mbytet i rrethuar nga tiparet fizike të objektit, femrës që dashuron. Subjektin lirik e mundon një pasion përvëlues, një dëshirë që ta ketë pranë atë që do dhe në fund të vdesë bashkë me të, gjë e cila manifestohet në formë të ngjashme edhe te poezia tjetër, Do të vijë vdekja e do t’i ketë sytë e tu. Edhe në këtë poezi përmenden sytë, si tipar dallues tek bukuria femërore, por duke mos përjashtuar edhe tiparet tjera si krahët, fytyra dhe pjesë tjera të gjymtyrëve në përgjithësi. Subjekti lirik shprehet me një emocionalitet të thellë si pasojë e shpirtit të tij të lodhur të cilën e pranon edhe vetë teksa thotë:

Djegie e hutuar në ty dëshpërimisht
kjo paqëndrueshmëri e shpirtit tim
tashmë të lodhur nga gjithë gjërat

Dhimbja e thellë manifestohet në forma të ndryshme të të vuajturit e cila del me një shkrirje të emocioneve, pasionit të thellë për trupin femëror dhe dashurisë që rrjedh nga zemra e mbushur me hidhërimin që arrin gjer në masën e një torture shpirtërore dhe fizike.

Imazhet

Element i ngjashëm te të dy këta poetë është edhe imazhi fiktiv që ta dhuron paraqitja nga ana e subjektit lirik, e kjo në veçanti duket te Pavese dhe ajo që e bën të dallueshëm poezinë e të dyve është që tek poeti italian lexuesi do ta gjejë më të lehtë identifikimin e imazheve sepse vetë poezia e Paveses është e tillë, ku përmes figuracioneve poetike e artistike e afron më tepër vargun e tij me fushën e imagologjisë, pjesë e rëndësishme në fushën komparative.

LIDHJET GJENETIKE / FILIACIONET / NDIKIMET

Fakti që Shqipërinë dhe Italinë i bashkon jo vetëm pozita gjeografike, por edhe nga aspekti historik, kulturor e politik, detyrimisht na lë të konstatojmë që edhe për nga aspekti i letërsisë autorët kanë domosdo ngjashmëri në shkrimet e tyre. Arapi është nga Vlora kurse Pavese nga Torino. Në poezitë e të dy poetëve gjejmë vargje që i kushtohen atdheut, bukurive natyrore të vendit të tyre. Arapi i këndon shumë detit, bukurive të Jonit dhe kjo është më se e natyrshme kur kemi parasysh faktin që vjen nga një qytet bregdetar. Edhe në poezitë e Paveses gjejmë Torinon dhe përshkrimin e natyrës së këtij qyteti. Të dy poetët janë marrë me përkthime gjatë krijimtarisë së tyre letrare. Arapi ka përkthyer poezi të Nerudës, Mateja Matevskit, Ante Popovskit, poetëve të ndryshëm turq etj. Në anën tjetër Pavese ka përkthyer autorë të ndryshëm amerikanë dhe anglezë dhe në të njëjtën kohë duhet potencuar që ka diplomuar me temë mbi poezinë e poetit të shquar amerikan, Uolt Uitman. Këto fakte na thonë qartë që të dy poetët kanë njohur kultura të ndryshme përtej kulturës së vendit të tyre dhe pikërisht njohja e thellë e këtyre kulturave ka sjellë edhe përkthimet mjaft të suksesshme nga ana e tyre. Si Arapi ashtu edhe Pavese ndikohen nga rrethi shoqëror ku jetojnë. Arapi krijimtarinë më të madhe e zhvillon gjatë periudhës së realizmit socialist kurse Pavese krijon gjatë periudhës fashiste në Itali ndërsa pas luftës së dytë botërore bëhet edhe pjesë e partisë komuniste italiane. Edhe për nga aspekti tipologjik të dy kanë ngjashmëritë në trajtimin e temave lirike e atdhetare, por që tek Pavese vargu del më intim, më personal e më i thellë për nga domeni psikologjik.