SHARE
  • Kur merr arratinë dhe rron mes dëshpërimit e rrezikut, njeriu mësohet t’u besojë mrekullive, përndryshe nuk do të arrinte dot të mbetej gjallë.

  • Frika nga policia nuk i ndahet kurrë të arratisurit, as në gjumë, as kur nuk ka pse të trembet.
  • Njeriu e ka të vështirë të durojë një humbje kur nuk ndodhet në vend të vet. Në raste të tilla s’të ngushëllon asgjë, dhe toka e huaj të bëhet tmerrësisht e huaj.
  • Lumturia ka shkallëzim. Rrallë ndodh të jesh krejt fatkeq kur e kupton këtë.
  • Kur njeriu ironizon dhe ka frikë, kërkon t’i bëjë gjërat më të vogla nga ç’janë.
  • Mundësia për vetëvrasje është një e mirë që njeriu rrallëherë e kupton dhe që i jep iluzionin e vullnetit të lirë. Dhe ka të ngjarë që bëjmë më shumë vetëvrasje nga ç’mund ta marrim me mend, vetëm se nuk e dimë.
  • Burri nuk duhet t’i japë asnjë shpjegim gruas. Ai duhet të veprojë, në mënyrë që ta bindë.
  • Fjalët e mëdha mund t’i durojmë në politikë, por jo në punën e ndjenjave. Do të kishte qenë më mirë sikur të ndodhte e kundërta.
  • Siguria e madhe, në mos të çoftë në vdekje, të çon në një siguri të patundur.
  • Kujtimet që nuk shkaktojnë më dhimbje e që nuk të poshtërojnë, janë jehona.
  • Ka dy të vërteta: njëra ku njeriu e tregon veten, dhe tjetra, strategjike, ku njeriu nuk tradhton asgjë.
  • Në dashuri pyetet gjithnjë si tepër, dhe kur njeriu kërkon të mësojë përgjigjet, ajo ka marrë fund.
  • Frika prej së panjohurës është ndryshe nga frika prej një rreziku që njeriu e njeh. E panjohura mund të duket e rrezikshme, por është diçka e papërcaktuar, dhe këtë frikë njeriu mund ta mposhtë me disiplinë… Por kur njeriu e di se ç’e pret, disiplina dhe akrobacitë psikologjike hyjnë shumë pak në punë.
  • Fati të lejon vetëm njëfarë lirie prej bufoni, mandej të paralajmëron e të jep goditjen. Nganjëherë njeriu e ndien çastin kur vjen.
  • Edhe kujdesin mund ta lodhësh kur flet shumë për të, dhe atëherë nuk të vlen më.
  • I kërcënuari i di përherë punët më mirë e më parë se kërcënuesi.
  • Urrejtja është një acid që ta gërryen shpirtin, pavarësisht nëse njeriu urren vetë, apo urrehet nga të tjerët.
  • Të sëmurët janë shpesh më simpatikë se kokoroshët e shëndetshëm, që në vend të nervave, kanë muskuj në tru. Ka më shumë fatkeqësi sesa lumturi… është akt bamirësie të mos e lësh jetën të vazhdojë në pafundësi.
  • Qyteti më i bukur në botë është ai ku njeriu rron i lumtur.
  • Mrekullia, kur njeriu e përjeton, nuk është kurrë e përkryer, vetëm kujtesa e bën të tillë dhe kur lumturia vdes ajo nuk mund të ndryshojë më e të shndërrohet në zhgënjim. Ajo mbetet e përkryer.
  • Jeta e një njeriu është diçka shumë më e madhe sesa peripecitë që ai kalon.
  • Varfëria të pjek para kohe dhe rinisë nuk i vishen sytë nga sentimentalizmat e nga paragjykimet.
  • S’ka kurrë përgjigje tjetër përveç asaj që i jepni vetvetes.
  • Kujtesa na mashtron që të na japë mundësi të mbetemi gjallë; ajo përpiqet ta zbutë të padurueshmen me anë të mykut të harresës.

Erich Maria Remarque, “Një natë në Lisbonë”

(Përgatiti Muhamet Rexhaj)