SHARE

-S’e sheh që jam e lumtur?-tha ajo.
Unë ngriva në vend dhe ia mbërtheva sytë. Ishte vetëm një fjalë, por një fjalë që s’e kisha dëgjuar kurrë në këtë mënyre.
Mjaft gra pata njohur, por gjithmonë kishin qenë vetëm takime të rastit, aventura, nganjëherë ndonjë orë variacionesh, një mbrëmje e vetmuar, arratisje nga vetvetja, nga dëshperimi, nga zbrazëtia.

 

As vetë nuk kisha dashur të kishte ndodhur ndryshe, sepse jeta me kish mësuar që njeriu s’mund të mbështetej pas asgjëje, veçse pas vetes dhe, shumë shumë, edhe pas një shoku të vërtetë.Kurse tani, papritmas, po kuptoja se mund të vleja diçka për një njeri tjetër, vetëm e vetëm sepse ekzistoja dhe sepse ai njeri ishte i lumtur që i ndodhesha pranë.

 

Kur flasim kështu për të tilla gjëra, gjithçka tingëllon shumë e thjeshtë; por kur e vrasim mendjen, del se është fjala për një çeshtje shumë më të madhe, e cila s’ka as fund as anë. Eshtë diçka që mund të të shqyeje nga brenda e të të ndryshojë krejtësisht. Eshtë dashuri dhe prapëseprapë diçka tjetër. Diçka për të cilën e vlen të jetohet.

 

U mata të them ndonjë gjë, por s’ia dola dot. Eshtë e vështire të gjesh fjalë, kur ke për të thënë vërtetë diçka. Edhe sikur t’i dish ato fjalë që duhen, atëherë të vjen turp t’i shprehësh. Të gjitha këto i perkasin shekujve të kaluar. Koha jonë ende nuk i ka gjetur fjalët e duhura për ndjenjat e saj. Ajo di vetëm të shprehet me arrogancë-të gjitha të tjerat janë të rreme……

Tre Shokët -Remark