SHARE

Dashuria e lumtur. A thua kjo është normale,
a thua është serioze, a thua e dobishme –
çfarë ka bota nga dy njerëz,
të cilët nuk e shohin botën.

Të lartësuar njëri ndaj tjetrit pa asnjë meritë,
i prej tyre një milion, po të bindur
se ashtu është dashur të ndodh – si shpërblim
për ç’gjë
për asgjë;
drita prej dikah bie –
përse pikërisht mbi ta, e jo mbi të tjerët?
A thua kjo fyen drejtësinë? Po
A thua shkel parimet e grumbulluara me kujdes,
shkel moralin në humnerë? Shkel e shkatërron.

Shikoni ata të lumtur:
sikur vetëm pak të maskoheshin,
të shtireshin si të pocaqisur, duke nxitur ashtu miqt!
Dëgjoni si qeshin – me ofendim.

Me çfarë gjuhe flasin – të kuptueshme sa për sy e faqe
Ndërsa ceremonitë e tyre, me naze shumë,
Obligime të trilluara ndaj njëri-tjetrit –
Kjo ngjan me komplotin prapa shpinës së njerëzimit!

Vështirë është madje të thuash se gjer ku mund të shpiejë
Sikur shembulli i tyre të mund të imitohej.
Në çfarë do të mund të llogarisnin religjionet, poezitë,
Për çfarë do të mbahej mend, çfarë do të dënohej,
Kush do të dëshironte të mbetej në rreth.

Dashuria e lumtur. A thua kjo është normale?
Takti dhe mençuria urdhërojnë të heshtësh për të
Sikur për skandalin nga sferat e larta të jetës.

 

Vogëlushë të mrekullueshëm lindin pa ndihmën e saj.
Ajo kurrën e kurrës nuk do të mund të popullojë
rruzullin e tokës,
sepse ndodh shumë rrallë.

 

Njerëzitë, të cilët nuk e njohin dashurinë e lumtur,
le të pohojnë se askund s’ka dashuri të lumtur.

Me këtë besim më lehtë do ta kenë të jetojnë e të vdesin.

Visllava Shimborska

Përktheu nga polonishtja: Mazllum Saneja