Ballina Shkrime Autoriale Tejkalimi i krizave

Tejkalimi i krizave

187
SHARE
Tentimi i domosdoshëm i njeriut për tejkalimin e krizave

(Recension për këngën e Sam Cooke “A change is gonna come”, 1964)

Shkruan: Nuhi Sadiku

Roli i muzikës në ndërtimin psiko – social të njeriut është i patjetërsueshëm. Si mekanizëm me një shumësi ndikimesh muzika ndërtohet mbi dy konotacione kontradiktore:

1. Është pushtuese;
2. Është çliruese.

Pra, muzika është pushtuese e njeriut në kuptimin konstruktiv fizik dhe në gjeneaologjinë emocionale të tij.
E njëjta, është çliruese e horizontit psikik të njeriut, i cili si ekzistent lehtë i manipulueshëm shpesh di të humbasë vorbullën e autenticitetit që e bën të dallueshëm nga tjetri.

Njeriu shpesh duke shkruar tekstin e këngës, pavetëdijshëm dhe njëkohësisht shkruan poezi. Po i jap vetes të drejtë ta bëj një ndarje paksa imagjinare mes tekstit të këngës dhe poezisë.

Kësisoji, Sam Cooke në vitin 1964 i lodhur nga një përditshmëri vrasëse emocionesh dhe probleme të panumërta ekzistenciale, vendos që t’ia bëj si dhuratë botës një tekst poetik të shoqëruar me akorde muzikore.

Kënga e tij “A change is gonna come” në dëgjim të parë bën dy diferencime të mëdha, të cilat të shprehura si apoteoza do të ishin: “Njeriu nuk robërohet” dhe “Shpirti nuk shitet”.

Kjo këngë është thirrje për revoltë dhe rimëkëmbje të shpirtit të njeriut të asokohshëm.

Por, jo çdokush di të bëjë shkrirjen e natyrshme të realitetit në tekst poetik. Kjo është vija që e bën diferencën se kush është poet e kush jo.

Realiteti i gdhendur brenda pak vargjeve sado hermetik dhe i pakuptueshëm mund të jetë, është më i qëndrueshëm ndaj krizave të së ardhmes dhe harresës.

Brenda poezisë “A change is gonna come”, gjatë leximit njeriu do të gjejë forcën për tejkalimin e krizës morale a ekzistenciale.
Së këndejmi, kjo poezi do të ketë karakter gnosologjik sepse subjekti universal i trajtuar brenda saj është armiku më i madh i shpirtit të njeriut.

Kështu, lexuesi i kultivuar nuk e kalon dot këtë poezi pa e pyetur veten për Uni-n brenda realitetit të sotëm dhe raportin me Ti-jën e cila shumëherë po di të jetë e pakuptimtë dhe e pakuptueshme.

Ndërkaq, në këngën “A change is gonna come”, dëgjuesit do t’i kumbojë në vesh komplet rrjedha kronologjike dhe historike e lëvizjes globale për të drejtat e njeriut.

Aty, do të dëgjohet simfonia e rënkimeve gjatë viteve dhe kuja e dhimbshme e një shpirti, metaforikisht thënë, të paralizuar i cili medoemos do të jetë edhe i parealizuar.

Melodia melankolike e kësaj kënge dëgjuesin do ta shpjerë në një tjetër dimension meditativ. Ai me pak meditim rreth kësaj kënge do t’i jetojë peripetitë e gjysmëshekullit XX.

Kjo këngë është hymn i lëvizjes për të drejtat e njeriut dhe lirimin njeriut nga konturat pushtuese të kujtdoqofshin.

Është shumë e vështirë për një autor që frustrimin ta trajtojë me dromca melankolie. Por, jo e paarritshme.

Sa për ta qartësuar objektin e studimit, marrim si shembull disa vargje të kësaj poezie a kënge, le ta quajmë si të dëshirojmë.
Pra, le ta copëtojmë poezinë në strofa dhe do të shohim këto karakteristika:

Trajtimi kronologjik i subjektit historik dhe thirrja e një shprese të vonuar:

“I was born by the river
In a little tent
And just like the river I’ve been running
Ever since

It’s been a long time comming,
But I know a change is gonna come, oh yes it will.”

Në strofën e parë shohim trajtimin kronologjik të subjektit historik. Ky trajtim është badhkëdyzuar me lodhjen për të arritur Të Vërtetën e Madhe dhe shpresën se një ditë E Vërteta do të fitojë betejën e saj historike.

Sigurinë për arritjen e shpëtimit do ta gjejmë te vargu: “Oh yes it will”. Pra, ky varg si një pasthirrmë e tejzgjatur do të skalitej në memorien afatgjate të dëgjuesit.

Frika nga e panjohura:

“It’s been too hard living
But I’m afraid to die
‘Cause I don’t know what’s up there
Beyond the sky”

Për autorin, Njeriu është qenie që i frikësohet Të Panjohurës.
Pra, sado që Njeriu mund të ketë ballafaqime të papara me kriza të ndryshme, historike, morale, ekzistenciale, ai do t’i frikësohet Të Panjohurës.

Frikën nga E Panjohura e gjejmë edhe te shumë filozofë dhe mendimtarë që kanë vepruar nga periudha të ndryshme historike.

Moskuptueshmëria, lutja dhe pafuqia:

“Then I go to my brother
And I say brother help me please
But he winds up knockin’ me
Back down on my knees”

Kjo strofë është drithëruese dhe ajka e këtij teksti. Këtu vërejmë qartë trajtimin që autori e bën për moskuptueshmërinë brenda llojit a brenda shoqërisë, qoftë edhe me qëllime të njëjta.

Poashtu, këtu në mënyrë simbolike autori tregon pafuqinë e njeriut që ballafaqohet me përditshmërinë dhe lutjen tek një autoritet, në rastin tonë, autoritet moral.

“…down on my knees” vajton tekstshkruesi. Pra, me dromca elegjiake ai ia del që ta përcojë dramaticitetin e realitetit të atëhershëm, edhe tash pas më shumë se gjashtë dekadash.

Siguria dhe mosdorëzimi në qëllimin e përbashkët:

“There been times that I thought I couldn’t last for long
But now I think I’m able to carry on”

***

Shikuar nga mendimi i përgjithshëm i dëgjuesëve, kjo këngë bashkë me “Blowin in the wind” të Bob Dylan, janë himne të Të Drejtave të Njeriut.

Jo rastësisht, Dylan pak kohë më parë fitoi Nobelin dhe e mbizotëroi debatin global rreth pyetjes së parashtruar në fillim: A është kënga poezi ose a ka ndarje imagjinare a faktike mes letërsisë dhe muzikës?

Ndërkaq, Sam Cooke e la botën në vitin 1964, pak muaj pasi e realizoi këtë këngë.

I takon lexuesit dhe dëgjuesit, t’i jep përgjigjje kësaj pyetje shumëdimensionale, siç i takon edhe të dëgjojë muzikë të mirë e të lexojë libra të mirë.