SHARE

Dokumente, letërkëmbime, një poezi dhe disa fotografi të Migjenit, të pabotuara kurrë më parë, janë përfshirë në botimin e fundit “Migjeni –Vepra”. Ky botim, sjell të tjera anë të fshehta, nga jeta e poetit, të cilin e detyruan t’i japë lamtumirën kësaj bote, që në moshën 27- vjeçare.

Në këtë libër, veç veprës së plotë të tij, janë përfshirë edhe mjaft detaje të tjera nga jeta.

Dashuri e përfolur…

Dashuria e tij me vajzën shkodrane Bojka ka qenë një dashuri mjaft e veçantë Mes tij dhe Bojkës, kishin lindur ndjenja jo vetëm të forta por edhe shumë fisnike.

Ato që e dëshmojnë më shumë se çdo gjë tjetër këtë janë letrat e të dashurës së tij, Bojka. Por kjo dashuri mes tyre është përfolur mjaft ndër shkrimet e këtyre viteve të fundit.

“Mjaft dashakeqe ka qenë edhe përpjekja e bërë në shtyp për të përdhosur dashurinë e vetme të Migjenit si një lidhje incesti, nëpërmjet sajimit të një përafrie gjaku midis Migjenit dhe Bojka Nikollës”- thotë Angjelina.

Dhe e gjithë kjo është bërë duke u nisur nga mbiemri i njëllojtë i tyre. Veçse e vërteta nuk qëndron kështu.

“Në të vërtetë Kola, i ati i Bojkës, kishte ardhur në moshë të rritur në Shkodër, nga komuniteti ortodoks i Kavajës dhe nuk kishte asnjë lidhje gjaku me Nikollë Dibranin, gjyshin e Migjenit, të ardhur nga komuniteti ortodoks shqiptar i Rekës së Dibrës shumë kohë më parë”- shpjegon ajo, duke shtuar se “lidhja e Migjenit me Bojkën ka qenë aq fisnike sa mund të merret si shembull për rininë e sotme.

Sa dhimbje forcë e kulturë përmbajnë letrat e mikes së tij Bojka, ndërkohë që Migjeni e përjetësoi atë në poezinë Z.B”,- shkruan Angjelina në pasthënien e librit. A. Peçi

(Kjo është poezia e botuar në këtë libër në formën e një faksimilje, ku paraqiten vargjet e marra direkt nga dorëshkrimi i poetit)

Malli rinuer

“Valët muzikore flutrojnë nga prendimi
Shkrepen e përtrihen
Për muret e dhomës s’eme
Edhe mandaj dridhen
Mbrenda në zemrën t’eme
Dhe zgjojnë ndijesina që mblue ka hini
Ndijesitë e mija me valët muzikore
Shkëmbejnë puthje të nxehta
Posi dy dashnorë
E pamëshirë shëgjeta
Më ther në krahnor
Edhe më merr malli për jetë ma gazmore
Malli rinuer për jetë ma shkrumbuese
Flen pa fat në mue
Një tingull pendimi
Asht ngushëllim për mue
Kur më mbështjell mashtrimi
Me melankolinë e vet aq trishtuese
Tingujt miqëdashës që në dhomën t’eme
Më tregojnë rythmin
E një dansit të largët
Më kujtojnë përqafimet
E çifteve të shkathët
Që sjellen lirshëm nëpër dërrasa të gdhenme”

(Kultplus)