SHARE

“Te bërryli i udhës, për të njëqindtën herë gjatë asaj pasditeje u shfaq njeriu që duhej të vdiste. Ai ecte me hapa të shkurtër, me tytën e pushkës që i dilte në të djathtë të qafës, krejt e zezë. Njeriu i pritës u drodh : ky nuk ishte më përfytyrimi i tij. I prituri vinte vërtet. Ashtu si qindra herët e tjera, Gjorgu drejtoi tytën e pushkës nga njeriu që po vinte dhe futi në shënjestër kokën e tij. Një çast koka u duk sikur bëri naze ,s’donte që s’donte të futej atje, madje Gjorgut iu duk sikur në çastin e fundit buzëqeshi me ironi.

Gjashtë muaj më parë i kishte ndodhur e njëjta gjë, dhe ai, për të mos ia shëmtuar fytyrën viktimës, (se nga i erdhi një keqardhje e tillë në çastin e fundit), e kishte ulur shënjestrën më poshtë ,dhe kjo qe arsyeja që s’e kishte vrarë dot, vetëm e kishte plagosur në qafë.

I prituri po afrohej. Vetëm të mos e plagos, mendoi Gjorgu në forme lutjeje. Gjobën e plagosjes së parë mezi e kishin shlyer dhe një plagosje e dytë do t’i shkatërronte ekonomikisht. Kurse vrasja s’kërkont e asgjë.

I prituri po afrohej. Më mirë të më shkojë plumbi dëm, se ta plagos, mendoi ai. Si qindra herë të tjera të përfytyrimit, përpara se ta qëllonte, Gjorgu, ashtu sic e kërkonte zakoni, i foli njeriut që po vinte. As në atë çast, as më vonë ai nuk e kuptoi nëse i foli me zë, apo zëri nuk i doli. E vërteta ishte që viktima ktheu kokën.

Gjorgu pa vetëm një lëvizje të shkurtër të krahut, që, sic dukej, donte të hiqte nga supi pushkën, dhe në atë çast shtiu. Ai ngriti sytë menjëherë nga pushka dhe gati i habitur po shikonte se ç’po ndodhte.

I vdekuri (njeriu ishte akoma në këmbë, por Gjorgu ishte, i bindur se kishte vdekur), bëri dhe një gjysmë hapi përpara, pushka i ra anash dhe fill pas saj, në anën e kundërt të saj, ra ai vetë.

Gjorgu doli nga prita dhe eci drejt të vrarit. Rruga ishte krejtësisht bosh. Ishin vetëm hapat e tij që gjënionin mbi të. I vdekuri kishte rënë përmbys. Gjorgu u përkul mbi të dhe i vuri dorën mbi njërin sup, si për ta zgjuar. Ç’po bëj? mendoi.

Dora përsëri preku supin e të vrarit, sikur t’i thoshte të kthehej prapë në jetë. Përse e bëj këtë, tha me vete. Dhe në çast e kuptoi se nuk ishte përkulur mbi të vrarin për ta përmendur nga gjumi i vdekjes, por për ta kthyer mbarë. Jo, ai donte vetëm ta kthente trupin mbarë, ashtu sic e kërkonte zakoni.

Shegët e egra dhe pllangat e pashkrira të dëborës ishin akoma diku aty rrotull dhe shikonin çdo gjë. U ngrit më këmbë dhe u mat të ikte , por në çast iu kujtua se duhej t’ia mbështeste edhe pushkën te koka . Të gjitha këto i bëri si në ëndërr. I vinte për të vjellë dhe dy-tri herë tha me vete: më ka zënë gjaku. Ca caste më vonë e gjeti veten duke ikur gati me vrap nëpër rrugën e shkretë .

Ismail Kadare, “Prilli i thyer”