SHARE

25
Fito një Zëmër, puth-e dhe rrëmbej-e,
Dhe adhuro-e si Alltar prej Feje:
Një qint Qabera s’vlejnë sa një Zëmër;
Zëmër kërko, Haxhi, jo Gur Qabeje.

26
Si mjer’ ay që Dashuri s’ka ndjerë
Dhe zëmra s’i ka ndritur në prënverë:
Pa Ver’ e Dashuri çdo dit’ e shkuar
Prej meje s’nëmërohet asnjëherë.

27
S’ka hir spo shëmtim në Dashuri,
Për Ferr e për Parajsë s’ka mërrzi,
As për palate a kasolla a shpella
As për mëndafsh a recka a stoli.

28
Kjo zëmr’ e marr’ e mbytur në mjerime
Pa prerë vuan e lëshon rënkime:
Kur më dha Zoti Verë Dashurie,
M’a mbushi kupën gjak prej zëmrës sime.

29
E prisnja! Si rrufeja më tronditi!
E dashura më shkoj, më neveriti:
S’e çmnoja kur i kisha… Ah! ç’ m’a priti!
Në Ferrin nga Parajsa më vërviti.

30
Rënkoj e psherëtij, se s’të kam pranë,
M’u-çuar zëmra, vojtjet mënt s’më lanë,
Askujt s’ia qanj dot hallin, djall’ o punë:
Vrer – mjalt’ e flagë – ves’e qjell hapsanë!

31
Nga hidhërim’ i ndarjes  jam përpirë,
Sa e sa zëmra m’ është grirë:
Ty natën të kujtoj e psherëtij,
Nga malli digjem, si qiri kam shkrirë.

32
Kur s’dhëmp e s’shëmp nuk është Dashuri,
Pa Ferr s’gjen dot Parajsë dhe Huri:
Kur zjarr’ e ke në gji, me nat’ e dit
Sot ndrit me gas e nesër ndes me zi.

33
Të rrug’ e Trëndafilit plot me gjëmba
Pikova gjak, u çorra e u-shëmba:
Pa qindra plag’ e çpojtje s’qepet krehri
Në flokët e së Dashurës

34
Zëmrën me sy e Dashura m’a ndes,
Zëmrën-qiri me flagën rron e vdes:
Te flag’ e bukur zëmra-flutur turret,
Kurban e tëra digjet pa kujdes.

35
Me syrin bukuri e dritë çpall,
Me zëmrën Dashuri e zjarr më kall:
Ti s’më vë re aspak ose më tall,
Kur unë psherëtij për ty me mall.

36
Zafire, fryer, syri im të pa,
Nga gjoksi zëmra m’ iku dhe më la
Dhe dyke fluturuar pas të ra:
Banesën sot në gjoksin tënt e ka.

37
Selvia që më bëri skllaf e mbret
Tani më nisi prapë muhabet;
Më qesh me buz’ e sy, se shpirti i thotë:
‘Bëj-e të mirën dhe e hith në det.’

38
E Dashura shkëlqeu, më verboj,
Zëmra më fliste, gjuha më pushoj:
Kush pa me sy tortyrë kësisoj?
Nga etja u-dogja, u-shova munt te kroj.

Omar Khajami, “Rubairat”