SHARE

TAMARA :

O, cili je? Si qënke futur?
Parajs’ a ferr a kush të çoi?
Ç’kërkon prej meje? 

DEMONI :

Je e bukur.

TAMARA :

Pra fol’, kush je, S’po të kuptoj…

DEMONI :

Jam unë ai që t’u fanit
Në mes të natës në qeli,
Ai mendim që të trondit,
Ai trishtim që të venit,
Ai që pe në ëndërr ti,
Ai që s’do e që s’e duan,
Që me vështrimin shpresat shuan,
Kamxhiku, jam që botën rreh.
Jam mbret I dijes dhe lirisë,
Armik I qiellit, gjithësisë,
Po ja, për ty, në gjunjë bie!
Me gjithë shpirt të dashurova
Prandaj ta shfaq me përgjërim
Të vetmen vojtje që provova,
Të parin lot të syrit tim.
O! kij mëshirë – u përvëlova!
Veç fjala jote mund t’u japë
Qieve dhe mua mirësi;
Në më rrethofsh me dashuri
Do dukem ëngjëll unë prapë
Në një parajs’ e qiell të ri.
O, ndal, dëgjo, të përgjëroj,
Jam skllavi yt, të dashuroj!
Qysh atë çast që të vëreva
Me shpirt , pa masë e urreva
Pavdekësinë time moj.
Zili ja pata kësaj bote
këtë të pakët lumturi.
Kur s’jam me ty më mbytin lotë,
Më kap një tmerr e llahtari.
Në zemrën shterpë rrez’ e ndritur
Sërishmi plagët m’i mais
E ç’kish e ç’ish gjer dje dremitur,
Si gjarpër’ I zgjuar nis lëvis.
Pa ty ç’më është gjithësia,
Pushteti im, pavdekësia?
Fjalë të thata që s’m’I kënda,
Tempull vigan pa ëngjëll brënda.

TAMARA :

Largohu, lerm’, o shpirt dinak!
Se s’të besoj as sot as mot…
O Zot, o Zot…! Nuk mundem dot
Të flas, të falem… Një farmak
Ngadalë trurin po ma mpin!
Dëgjomë, Ti më torturon;
Kjo fjala jote – prush, pelin…
Tregomë, pse më dashuron?

DEMONI :

Pse? Bukuroshe – s’di ç’të them!
Ti më dhe jetën që s’e njihja,
Më bën të flak nga balli jem
Këtë kurorë me dëllinja.
Çdo gjë që shkoj e shkel këtu:
Parajs’ e ferr kam syt’ e tu.
Që sot të dua kaq fort,
Sa s’mund të duash kurrë ti,
Me afsh zemre të pamort,
Me dehje ëndrrash pa kufi,
kur bota leu, në mes të gjirit
Fytyra jote m’u skalit,
Më prin në rrugë e më ndrit
Në shkretëtirat e ethirit.
Në vesh pa rreshtur, or’ e çast,
Një emr’ i ëmbël më kumbonte.
Kur qesh’ i lumtur në parajs
As gjë veç teje s’më mungonte.
O! po të mundje ta kuptosh
Se ç’vuajtje është, se ç’mjerim,
Një jetë, shekuj pambarim,
Në mes gëzimesh të lëngosh,
Lavd për keqbërjet mos shpresosh,
As për të mirat një shpërblim…
Nga vetja jote të kesh ndoht,
Me veten luftë bot e bot
Pa një triumf, pa një pajtim.
Të vuash fort e të mos duash,
Të dish, të ndjesh e të vëresh
E të mundohesh të urresh
Çdo gje në botë e ta shuash.
Mallkim’ i rënd i perëndisë
Më bje mbi kokë or’ e çast
Dhe gjir’ i ngroht’ i gjithësisë,
Si prehër njerke, nuk më gas.
Shkëlqenin qiej e hapësira,
Vështroja rrobat plot stolira
Që yit’ e qeshur mbanin veshur…
Ata vallzonin të pandarë,
Po çfare? Ish vëllan’ e parë
S’e njohën kur e patën ndeshur.
Më erdh’ të qaj me vaj, prandaj
Thërrita shpirtrat anembanë,
Por ata djaj turiçakaj
S’i njoha dot kur m’erdhën pranë.
Dhe rraha krahët i tmerruar
E fluturoj – po ku? E pse?
S’e di… Nga miqt’ u paç harruar,
Një botë e tërë, qiell e dhe,
Si shurdhmemece rri më sheh?
Kështu dhe vala nëpër dete
kaike – korbën e mërgon
E kjo pa vela, pa timon,
Lundron, lundron e s’di ku vete.
Kështu qëllon ndaj të aguar
Një copë re nga shqota dbuar,
Lëvrin e nxin në kaltërsi
Si mërgimtar që s’di ku rri.
Fluturon pa gjumë kuturu
Një zot e di prej nga e ku.
Dhe unë botën e drejtova
Në llum mëkatash ku ka hyrë,
Çdo gjë fisnike turpërova,
Çdo gjë të pastër pata ndyrë.
Besim’ e flaktë kundrejt fesë
U pata shuar dit’ për ditë…
Po a ja vlen të derdhësh djersë
Për budallenj e hipokritë?
Ndaj shkrova malesh un’ i gjori
E shkrepa shpesh si meteori
Në mes të natës terr – mbuluar
Edhe kalorsi i vetmuar
Prej flakës sime i gënjyer,
Gremisej poshtë qafëthyer.
Humbiste, shkiste, – kot thërriste –
Një gjurmë mbetej tërë gjak…
Po kjo zbavitje qenërishte
Më është zvjerdhur pak nga pak!
Ciklone pluhuri ngre mbi dhe
kur bje me shqotën në luftim.
Ne mjegull veshur e rrufe
Mbi re vërvitem me rrëmbim
Që në luftime e tërbime
Lëngimn’ e zemrës ta qetoj,
Të dboj me mijëra mendime,
Të paharrushmen ta harroj.
E ç’ janë vojtjet më të këqia
Të njerëzimit dhe mjerimet
E gjithë brezave të tija
Para një grime sa nje thrrime
Nga këto vuajtjen e mia?
E ç’ janë njerzit? jeta, moti?
Siç vijnë shkojnë kot së koti,
Po ka një shpresë – gjyq’ i zotit!
Gjykon, dënon, por fal disa.
Trishtimi im dhe pik’ e lotit
Posi dhe unë fund nuk ka
Dhe nuk ka varr që ta mbullojë!
Ja se si gjarpër do kafshojë
Ja se më djeg si zjarr këtu,
Ja se godet si gur në tru –
ktë qimitir që mbledh e ruan
Pasionet, shpresat që m’u shuan.

-Mikhail Yurevich Lermontov