SHARE

Në mes të shtegëtisë së kësaj jete
u gjeta në një pyll krejt errësi,
se kishe humbe unë rrugën e vërtetë.

Si ish ta them sa kam vështirësi
Ai i egri pyll, i ashpër, pyll hata,
Sa ta mejtoj më kall frikë përsëri!

Veçse ma e idhtë në qoftë vdekja paksa!
Po me tregue ç’të mirë kam gjetë n’atë anë,
Do flas për sende tjera që kam pa.

Si hyna mbrende as unë s’di me ju thanë,
Aq gjume i fortë qepallat kish randue,
Kur rrugën e vërtetë e pata lanë.

Po kur te rranza e kodres qeshë afrue,
Atje ku merrte fund ajo luginë,
Që me aq tmer në zemër m’kish trazue,

Vështrova lart e pashë se si në shpinë
Po vishej krejt nga rrezet e planetit,
Që në gjithë shtigjet njerëzve u prin.

At’here veç frika m’iku pak të shkretit
E zemrën unë e ndjeva ma te lirë
Nga nata, që kalova mes sikletit.

Si ai, qe tue marrë frymë me të vështirë,
Prej detit del në breg e nga ato valë
Aq të rrezikshme sytë e vet i prir,

Dhe shpirti im, që ikte pa u ndalë,
Mbrapa u suell me pa atë rrugën trishte,
Qe s’la njeri të gjallë andej me dalë.

Dermue, si u çlodha pak mbi atë gurishte,
Ia nisa rrugës nëpër breg t’shkretuem,
Cdo here kamba e ndalun ma poshte ishte.

E, ja, gati përpjeten pa filluem,
Me doli një panterë e lehtë, e shpejtë,
Që me lëkurë të larme ish mbuluem;

Synin mbi mue e mbante ngulun drejt
E udhën time aq keq e kishte pre,
Sa qeshe sa here tue ike e kthye une krejt.

Ish koha kur agonte dita e re
E ngrihej Dielli me ata yj në qiell,
Që me të ishin, kur Zot yne mbi dhe

Sëpari i lëvizi n’ajr të kthiell;
Guxim e shprese në shpirt më kish përtritun
Për bishe-larushen, që s’po i gjeja fill,

Ai agu i ditës, e ambla stine e ndritun,
Por jo sa frike aspak t’mos më shkaktonte
Pamja e një luani cfaqe papritun.

Ky dukej se drejt meje po u afronte
Me kokën lart, me një uri t’tërbueme,
Sa ngjante se edhe ajrin e tmeronte.

Vec një ulkoje, që shihej e pushtueme,
Ashtu kocke e lëkure, nga shum dëshira,
Që sa njerzine e bani të mjerueme:

Kjo, po, më futi aq në të vështira,
Me atë frikë që të përfton veç pamja e saj,
Sa për t’u ngjitë i humba shpres’t e mira.

Si ai që pasuni fillon të bajë,
E vjen një kohë dhe e humb, kur nuk e priste,
Pastaj me lot e qan edhe me vajë,

Kështu më ngjau me atë bishe që po lëvizte
Dalëngadalë tue m’u afrue n’atë pritë,
Tue m’shty në terr, ku diell nuk llamburiste.

Ndërsa unë tatëpjetë isha tue shkitë,
Përpara sysh m’u cfaq një fare shajnije,
Zanin heshtija e gjatë ia kish venitë.

Kur unë e pashë me sy n’atë log shkretije,
Brita: “Mëshirë të keshë për mue, aman,
Kushdo ti qofsh, njeri i gjalle o hije!”

E ai: “Nuk jam, por qeshë njeri taman,
Lombardas prindët pata porsi farë
E si atdhe të dy qenë mantovan.

Linda sub Iulio, ndonse pak ma parë
Jetova n’Rome kur ish Augusti i mirë,
N’atë kohë hyjnish të rrejshëm, gënjeshtarë.

Poet une qeshë, këndova t’drejtin bir
Të Ankizit, ardhun Troje, kur u krye
Lufta qe Ilionin dogji pa mëshirë.

Po ti drejt s’keqes pse je tue u kthye,
Pse s’i hyp malit, që i cdo gëzimi
Edhe hareje asht fillim, arsye?>>

“Ti qenke ai Virgjili, ai burimi,
që fjala i rrjedh si lum i gjanë? – mejherë
I gjegja unë i skuqun nga turpnimi. –

Oh ti i gjithë poetve dritë e nder,
Ndihmomë, pash dashuninë e atë mundim
Që derdhë unë kam mbi librin tand me vlerë!

Mësuesi im ti je, auktori im,
Ti je i vetmi njaj, nga i cili nxora
Te bukrin stil, që më ka dhane nderim.

Shihe shtazën nga e cila rrugën bora!
Shpëtomë, o dijetar me nam mbi dhe,
Se prej saj po më dridhet kamba e dora!>>

“Po të duesh, një shtek tjetër me dalë ke,
m’u gjegj ai, kur më pa me sy tanë lot, –
në dac shpëtim n’këtë vend plot me shkërbë;

se kjo bishë, për të cilën thrret ti sot,
nuk len njëri në rrugë të saj me u sjellë,
dhe pa të mbytë ajo s’të lëshon dot;

e ka një shpirt, që zë e vajë vec ndjell,
nga lakmija e pangopshme kurr s’qetsohet,
asht ma e uritun tue u fa me gjellë.

Me shum frymorë ajo pa da barcohet,
Dersa të vije Langoni, tjerë do gjejë,
Po mizorisht nga ky do te dërmohet.

As tokë as pasuni nuk do e ushqejë,
Porse virtut e dije e dashuni,
Mes Feltri e Feltri aty ai ka me ndejë.

Shpëtim do ketë e gjora Itali,
S’ciles Kamila virgjin, pa u tutë,
Eurjali, Turni, Nizi i ranë fli.

Ky do ta nxjerri nga cdo vend e skutë,
Dersa ta flaki ne skëterrë t’pafund,
Atje, nga ku zilija e pat shkëputë.

Për t’mirën tande flas, prandej gjithkund
Të vish me mue e do më kesh ti pris
Ndër viset e amshueme; mos u lkund

Klithje kur të dëgjosh prej lemerisë;
Shpirtën që vuejnë me shekuj ke për t’vrejtë,
Vdekje të dytë kërkojnë ata shastisë.

Do shohësh dhe të tjerë të knaqun krejt
Në zjarr, sepse shpresojnë prap me u bashkue
Heret a vonë me ata që janë ndër qjejtë.

Ke ata ti në dëshrofsh fill për me shkue,
Një tjetër shpirt ma I hirshëm do të vijë,
Me te unë do të la, kur t’jem largue.

Se Ai, që lart e ka mbretninë e tij,
Mbasi ligjës s’iu binda, nuk dëshron,
Që përmes meje shpirt atje t’arrije.

Gjithkund sundon, por vec atje mbretnon,
Atje qytetin ka, selinë e vet, –
Lum ai, të cilin afër e pranon!”

E une atij: “Të lutem o Poet
deh, pash atë Zot, që ti s’e adhurove,
vetëm kështu ti mos më len për shkret;

Me co ku the, t’i dal unë kësaj prove,
Që portës së Shën Pjetrit t’i hyj mbrenda,
Të shoh ata, që aq të mjerë përshkrove!”

Ai n’ecje u vu, e unë përmbrapa i renda.

– Dante Alighieri, KËNGA I, “Ferri”