SHARE

Sonte ka hapur krahët monotonia.

Qielli qiell nuk më duket, asnjë yll nuk dallohet nga nata e errësira që ka kapluar vendin.

Kjo pranverë e hershme nuk është gjë tjetër pos një dimër i vonë që sjell shi e bashkë me shiun melodi të zymta. Të tillat  nuk shpëtojnë nga egoja jonë pa u etiketuar si pengesë e rrezeve të diellit.

Gjithsesi të mos ndalojë shiu.

Në gjithësi ka shumë lot zemre që ditët kanë grumbulluar në hapësirën qiellore. Tani le të bijnë mbi ne lotët që u munduam t’i mbajmë në brendinë tonë.

Edhe kjo natë është pa hënë, ku ka ikur edhe sonte unë nuk e di, por di që do mungonte nëse nuk e përmend në varg.

Pak drita të vogla që shihen nga larg formojnë disi ylberin e natës për ta grimosur pak këtë natë të zbehtë që duket sikur të ishte e sëmurë.

Fshati fle me dritat ndezur e fryma që unë lëshoj të dalë jashtë duket si një tym cigareje që thellë në vete e urrej aq shumë, megjithatë po më pëlqen piktura.

Më duket se bota po mbetet pa frymë, po ngulfatet… po pati nevojë për frymë, le ta marrë frymën time.

Shumë libra në duar e pafund dilema në kokë që shiu për dreq po m’i thelllon edhe ca.

Nuk e urrej shiun, por më duket se në tokë po bijnë përdhe njerëz.

Më duket mua se pikat e shiut janë njerëz, njerëz që nga lart ku ishin në qetësi e begati tani po bien në tokë, e po përplasen pa jetë.

Humbasin gjurmët e njerëzimit para syve të mi, humbas edhe unë, brenda unit tim humbas e në delirumin që më përfshiu, pa pikë zëri bërtas.

Kush jam unë që të meritoj shumë e të mos mësohem me disfatat?

Jam unë ajo që edhe Zotin kam lodhur me lutje të pakuptimta…. Ç’kërkoj më shumë? Si mundem unë?

Natën rrinë pa gjumë vetëm zombit si unë, duke futur e shtrydhur vetën në grusht për diçka më shumë…

Bota e shkrimtarëve është bojëhiri.

 

Shkruajti: Fjolla Hajrizaj