SHARE

|Buzët! Janë ato petale drithëruese që epshi i ngre lart, atje ku ngjizen rrufetë, atje ku gjithçka e jona prej shkëmbi dhe llave shndërrohet në frymë.

Nëse po kërkonit një udhë nga mund të kaloni për të mbërritur në galaksi të tjera dhe… sfilitja ka reshtur në shpirtin tuaj gjetjen e këtij shtegu, ndoshta duhet të ngulmoni ende. Çdo e mundshme kërkon gjithçka që keni… dhe ne duhet të japim gjithëçfarë është e jona për ta merituar buzët, ato që na shpërblejnë me puthjen.

Po!

Buzët janë pragu, caku, fillimi dhe mbarimi. Ata janë porta e kyçur e botës së misterit. Një portë që e çel puthja, ajo puthje që është farkëtuar në zjarrin e vërshimit të miliona yjeve, që feksin në një kapsallitje sysh që i fik pulitja e buzëve.

Jeta na rroku në brofin e vet të magjepsur nga krijimi dhe ne i besuam atyre, buzëve, të çelnim përmes puthjes zemrën e nënës, kraharori i së cilës i dha këtij “epshi” gjirin, qumështin, gjakun, dashurinë, jetën, dha gjithçka kishte, mrekullisë që shenjtëron atë.

Ndukëm hepimin e atyre gjinjëve, u ushqym me dritën, mësuam se ç’ishte puthja, mëkum ç’kishim më sublime në atë akt që e derdh në mijëra trajta përjetësie dehja dhe adhurimi.

Puthja, është pragu ku takohen të gjitha dashuritë, ato më sublimet, më të andshmet… edhe ato që thyjnë zemra. Është krateri ku merr turr e i jepet shpengimit, zjarri i stuhishëm i ndjenjave, ai tërbim që ndërsen e shkreton gjithçka për të rikrijuar gjithmonë dhe me çdo çmim.

Prekim me puthje ato buzë në një përplasje galaktike krijimi dhe yjësive udhëtojmë me dritën.

Zjarre shndërruese ndërsejnë ato buzë dhe çdo çast është rijetim i cakut fillues të shtegtimit në epikën e mrekullive.

Në tharmin e vezullimeve që shkreptijnë natave që derdhen qiejve, ka udhëtuar për të mbërritur deri këtu, në shpalimin e petaleve që i epsh puthja. Janë shkrehur prusheve që digjen etjeve ato buzë… dhe dehur janë limfave që uturijnë në kurmet që i kall dalldisja.

Ka vërshuar kjo lëndë magjike mbi pendët e zogjve të stuhisë dhe harlisjeve ka endur fole prej zjarri dhe mishi ku prehra magme dhe ledhatish u janë bërë fole.

Dhe… një pikë loti i ka njomur dhe përvëluar ato buzë.
Dhe… qiej kemi parë se si shemben në një çast trazimi, e gërmadhave të shpirtit që rënkon, lypin copat e thyera të puthjeve, ato buzë. Dhimbja ngulet thellë në ajrin e atij zjarri që shtërzon… Fryn, stuhia shpërthen, brigjet shuajnë etjen e dallgëve, qielli shteron në blunë e një vështrimi pikëllues.

Nata kaplon e përzë me terr e tmerr gjithçka dhe e hedh me turr dhe huj, me hidhërim e maraz, atje tej.. tej në boshin që gllabëron dhe i jepet një përplasje që e shndërron në dritë krijimi.

Dhe… ato buzë një puthje i pret, një ngulm për të matur udhën nga toka në qiell, atë shteg të shtruar me bulëza djerse e aromë kurmi, që i përpush zjarri dhe afsh, drita dhe shkëlqimi.

Ne u shpërblyem dhe u ndëshkuam, lindëm dhe do të vdesim, erdhëm në rastësoren fatlume dhe përjetësia na pret, sollëm dhe morëm gjithçka për të mbetur; magjepsës, mrekullues, flijim te një përplase… ajo e buzëve, te puthja.”

(albertvataj.com)