SHARE

Po t’i flisja gjuhët e njerëzve e të engjëjve,
por po të mos kisha dashurinë,
do të isha porsi bronzi që kumbon
e porsi cimbali që tingëllon.

Po ta kisha dhuratën e profecisë
e t’i dija të gjitha misteret
e të gjitha dituritë;
po ta kisha edhe fenë e plotë,
me të cilën të mund t’u ndërroja vend maleve,
por po të më mungonte dashuria,
s’do të isha asgjë!

Po ta ndaja lëmoshë mbarë pasurinë time
dhe po ta jepja trupin tim të digjej,
por, po të më mungonte dashuria,
nuk do të më vlente asgjë!

Dashuria është zemërgjerë,
është e dhimbshme, dashuria,
nuk ka smirë,
nuk mbahet me të madh,
nuk krenohet

nuk është e panjerëzishme,
nuk kërkon interesin e vet,
nuk hidhërohet,
nuk e mban mend të keqen,

nuk i kënaqet padrejtësisë,
por i gëzohet të vërtetës.

Arsyeton gjithçka,
beson gjithçka
shpreson gjithçka,
duron gjithçka.

Dashuria nuk mbaron kurrë.
Profecitë mbarojnë,
gjuhët shuhen,
njohuritë marrin fund.

Sepse njohuria jonë është e kufizuar
dhe e kufizuar është profecia jonë.

Por, kur të arrijë përsosmëria,
çka është e kufizuar do të marrë fund.

Kur isha fëmijë
flisja si fëmijë,
mendoja si fëmijë,
arsyetoja si fëmijë.
Kur u bëra njeri i pjekur,
flaka çka i përket fëmijërisë.

Vërtet, tani shikojmë si në pasqyrë
e në mënyrë të errët,
por atëherë do të shohim faqe-faqas!
Tani njohuria ime është e kufizuar,
atëherë do të njoh plotësisht,
siç jam i njohur.

Tani, veç, mbetet
feja,
shpresa
e dashuria
-këto të trija-
Porse më e madhja ndër to është dashuria.

– Shën Pali Apostull