SHARE

Kishte ran’ vjeshta e tërbimet e shiut ishin shtue… stinë e vështirë n’atë shtëpi dërrasë që jetonte nji Loke me nipin e mbesën…

“Dinë, çohu me nanën mbledh pak krande oborrit të shtëpisë e t’ndezim nji zjermë, se ka nis me ftohë” – i tha Lokja mbesës saj…

Dina e urtë u çue, rreth e rrotull oborrit mblodhi drunjtë e i solli në shtëpi…

“Nesër, po dul dielli, duhet me shkue n’mal e me ba dru për dimën, n’mjes dilni me gjanë, e kthehuni ma herët n’shpi, me shkue bashkë të tretë…”

“Si t’thush ti Loke” – miratoi Dina e urtë.

“Si t’thush ti Loke” – pësëriti fjalën e të motrës… Bardhi.

“Ju pastë nana”— uronte Lokja… Ndezi vajgurin, e shtroi bukën në sofër dhe tha: “Hani bijtë e mi, na pret punë nesër, e flini herët, para se me ngranë e me fjetë, lutjet mos m’i harroni, jini falenderues ndaj Atij që ju fal frymën, e riskun e gjithçka kemi sot”– u mësonte Lokja, e cila u fliste shpesh për Zotin, e besimin në Të.

“Loke, a bie murtaja në gjithë botën?”– pyeti Bardhi.

Lokja heshti për pak, e shikoi Bardhin e i tha: “Pse pyet bir?”

“Se du me e njohë botën” – u përgjigj Bardhi, dhe uli kokën.

Ndërkohë Lokja e dinte mirë përgjigjen e pyetjes që vetë e bani… “Botën asht vështirë me e njohë o bir, asht e randë me u fut në nji guzhmë ku jetohet me ma shumë se bukë e djathë”– vazhdoi Lokja…

“A ka murtajë atje ku jetohet me ma shumë se bukë e djathë… A vdesin njerëzit atje?” – pyeti përsëri Bardhi!

“Atje asht murtaja ma e keqe që mund të bie” – Tha Lokja.

“Ç’asht?” – vazhdoi Bardhi, gjërsa Dina po i shikonte me habi të dy!

“Atje ka ra prej kohësh murtajë shpirti… e njerëzit vdesin t’u mos e njohë veten, ecin shthurshëm nëpër tokë, dhe stinët u kalojnë t’u vrapue me e zanë kohën që moti e kanë vra” – fliste urtësisht Lokja..

Bardhi heshti…

“Loke…” pëshpëriti Dina..

“Ma thuaj bijë” – Tha Lokja.

“Nana, e baba… e kanë jetue atë botë?”

Lokës shpirti s’kish si mos me i dhimtë, se i gjithë muhabeti sillej fshehurazi për babën e nanën e Dinës e Bardhit, që murtaja me vete i kish marrë…

“Jo, baba e nana kanë jetue jetët tana…sot”

“Atëherë, pse iu deshtë murtajës me i marrë?”

“Se ashtu deshti Zoti” – tha këputshëm Lokja.

“Si asht me e njohë veten?”– pyeti Bardhi “Si asht me jetue?” – pyeti Dina

“Bukë e djathë, dhe nji shpirt i qetë falenderues ndaj Atij që jetë fal, me kohën e njomë mbi supe, asht me njohë veten, e me jetue… … Ta dini bijtë e mi, se në dheun ku murtaja ka çue babën e nanën tuej, kemi me u shkri të gjithë, ne që jetojmë në shtëpinë gati të rrëzuem nga dërrasat e mykuna, e, edhe ata që betoni po ua zë frymat në botën që ju doni ta njihni… banesën e fundit t’njajtë e kemi gjithë… Ta dini o bijtë e mi, se i vetmi asht shpirti që s’tretet, ndaj shihni mirë se me ç’gja dynjaje e mbushni” – Foli Lokja aq bindshëm, me zanin e trashë të një plake të rendueme nga vitët.

“Koha asht me fjetë tani, thuani lutjet, e flini, se nesër ditë e gjatë na pret…”

Dina e Bardhi puthën duart e Lokes, e i uruen natë të mirë. Lokja u step në qilar, derdhi lotë dhimbje të nji nane të vetmueme, e të nji gjysheje të bame gur.

Mbuloi djathin e zanun, e foli me za; “Bukë e djathë e nji shpirt i qetë… vallë i qetë asht?!”

Autore: Edlira Ramaj