SHARE

Më fole më në fund se duhet të largohem,
Se bota na gjykoi, se shpresë s’ka për ne.
Se e trishtuar je, se duhet të mundohem të harroj,
Ish mbrëmje, ndrinte hëna e re.
Mbi kopshtin e përgjumur një avull ishte shtrirë.
Unë të dëgjoja ty dhe s’kuptoja dot,
Nën afshin e pranverës, nën sytë e tu të dlirë,
Aq fort pse derdhje lot?!

Po, të kuptova: Ik, je i lirë!
T’u binda, pra, do shkoj, po si të shkoj?!
Të shkoj kështu, pa fjalë si i ngrirë,
Kur ndjej në shpirt kaq dhimbje sa s’duroj?!
S’them dot se sot të dua si më parë,
Ajo që shkoi më s’kthehet përsëri.
Por dashurinë nga jeta s’e kam ndarë,
S’rroj dot pa dashuri.

A mos mbaroi vërtetë gjith’ ç’ish e dlirë,
Sikur asgjë s’na pati lidhur ne!?
Sikur dy zemrat tona s’ishin shkrirë,
Edhe kaq lehtë u shemb gjithçka përdhe!?
Të desha fort por ti s’më dashurove,
Jo, jo! Mos më thuaj: Po!- se ti,
Veç fjalë e buzëqeshje më dhurove,
Unë shpirtin bëra fli.

Pra, ja si mbeta sot, por prapë jam betuar,
Se s’do të rri pa njohur dashuri!
Sërish do dashuroj si i shkalluar,
Me etjen e një shpirti që s’u ngi.
Dhe ndoshta po; por bota magjiplotë,
Me mrekulli e gaz e dashuri,
Dhe shpirt i ri e dhimbja lotë-plotë,
Më s’kthehen përsëri.

Do të shkoj, po prit, nëm dorën dhe një herë,
Dhe ja mbaroi e shkoi kjo dashuri!
Ky çast tani, ky çast i ndarjes së mjerë,
Dhe prapë gjumë, prapë ftohtësi…
O Zot i madh! Nëm forca të besoj,
se jeta s’më shkelmoi, se prapë jam i ri,
Se mund të dashuroj.