SHARE

Në natën pa hënë të 14 shtatorit 1922, në New Brunswick të New Jerseyt, Eleanor Mills, bashkëshortja e re e një mekaniku, një prej zërave të korit të kishës, u vra bashkë me të dashurin e saj të fshehtë, Reverendin Edward Hall, edhe ai i martuar. Të shtrirë pranë e pranë në një lëndinë, poshtë një molle, trupat e tyre u gjetën dy ditë më vonë, me letrat e tyre të dashurisë të shpërndara rretherrotull: vrasja e dyfishtë u shndërrua në “krimin e dekadës”, e ndjekur nga gazetat për muaj të tërë dhe e mbetur pa fajtorë, edhe pas shumë vitesh.

Kur, në prill të vitit 1925, u botua “The Great Gatsby”, disa kritikë guxuan të thonë se ishte frymëzuar edhe nga rasti Hall-Mills. Dhe këtë mundësi, e pakonfirmuar asnjëherë nga vetë shkrimtari, e mbështet tashmë e docentja shumë e aftë (dhe e bukur) e letërsisë amerikane, Sarah Churchwell, në rishikimin që i ka bërë kryeveprës së letërsisë amerikane, që ajo vetë e ka titulluar “biografi e një romani”, ku rrëfen “krijimin e The Great Gatsby”. Titulli i referohet një fraze të romanit: “Gjithçka kish qenë e shkujdesur dhe e rrëmujshme. Ishin njerëz të pakujdesshëm, Tomi dhe Daisy: “thyenin” gjëra dhe njerëz dhe pastaj tërhiqeshin në paranë dhe në pakujdesinë e tyre të madhe…”.

Fitzgerald kishte nisur të mendonte për romanin pikërisht në fund të vitit 1922: “Dua të shkruaj diçka të re, të jashtëzakonshme dhe shumë të bukur, të thjeshtë por në të njëjtën kohë komplekse, më e mira që unë mund të bëj, apo diçka më të mirë nga sa unë mund të bëj”. E ëndërronte këtë roman ende të paqartësuar për t’u çliruar prej shenjës së shkrimtarit popullor, të revistave, dhe të ndihej më në fund një prej të mëdhenjve të letërsisë bashkëkohore, ashtu si Joyce dhe Eliot, që në atë vit kishin botuar “Uliksin” dhe “Tokë e shkretë”. Por New Yorku rezultoi edhe një herë një kurth i madh. Nuk kishte kohë për të shkruar sepse tashmë ishin në modë festat me kokteile, dhe proibicionizmi e kish futur në modë kërkimin e alkoolit, frekuentimin e “speakeasy” e plot elegancë, miqësimin me kontrabandistë dhe gangsterë, për të siguruar pijet: tashmë ishte një simbol i statusit, të qënurit gjithmonë i dehur dhe ekstravagant.

Në muajt e fundit të vitit 1922, në kulmin e Epokës së Xhazit, Fitzgerald nuk arrinte të shkruante më shumë se 100 fjalë në ditë dhe ia kushtonte një komedie, “Vegetable”, e cila duhej ta pasuronte por që në fakt rezultoi një katastrofë. Fitz-ët, siç thirreshin Scotti dhe Zelda, ishin pothuajse gjithmonë të dehur: kërcenin mbi tavolina, udhëtonin rrezikshëm mbi çatinë e taksive, mëngjeseve ishin ende duke bredhur, dhe ai hidhej në shatërvanin përpara Plaza-s, hoteli i tyre, ndërkohë që ajo kërcente në shatërvanin e Union Square. Ai, zakonisht shumë i sjellshëm, kur dehej i zinte me grushta njerëzit, Zelda ziente me salsë domatesh bizhuteritë e pjesëmarrësve në festat e vazhdueshme, dilte nga dhoma e futur në karrocën e rrobave të papastra, i eksitonte aq shumë burrat sa që, siç rrëfente miku i tyre Edmund Wilson: “të gjorëve u duhej të mbylleshin në banjë”. Megjithatë, Scotti nisi të zemërohej kur e adhuruara e tij, Zelda, i ofroi një miku të dehur të kalonte natën me të, ndërsa një tjetri që ta ndihmonte të bënte banjë.

Ndërkohë, kryevepra e projektuar nuk po materializohej dhe i famshmi “krim i dekadës” vazhdonte të zinte faqet e para të gazetave, që flisnin për një krim xhelozie, për mëkatin e tradhëtisë bashkëshortore, dallimin mes klasave, ngatërrimin e njerëzve, për faktin që askush nuk po paguante për tragjedinë, për dyshimin që vrasësja ishte ndoshta një grua. Fitz-ët kishin marrë me qera një vilë në Long Island, ku fshatrat e peshkatarëve tashmë ishin pushtuar prej miliarderëve që kishin ndërtuar vilat e tyre të mëdha: nga njëra anë ngriheshin pronat e mëdha të familjeve të vjetra aristokrate (Vanderbiltët, Frickët, Harrimanët, Morganët) dhe përballë tyre ngriheshin shtëpitë e ekzagjeruara të të pasurve të rinj, njerëz të teatrit, kinemasë dhe estradave, por edhe kontrabandistë dhe kriminelë të maskuar tashmë si xhentëllmenë: në roman zona ku banon Daisy, quhet “East Egg”, tjetra ku banon Gatsby, “West Egg”, dhe të dy shtëpitë shohin njëra tjetrën, të ndara nga një rrip deti, si dhe dritëza e gjelbërt mbi molin e vilës së Daisyt dhe Tom Buchananit, që për Gatsbyn do të shndërrohet në farin e parajsës. Kryevepra e shumëpritur, nuk ishte gjë tjetër veçse ndonjë takim që konkretizohej mes një dehjeje dhe një tjetre, në ditët e humbura pas netëve të harbuara.

Duhej larguar prej festave të vazhdueshme, dhe në fakt në orën 10 të mëngjesit të 3 majit 1924, me 17 valixhe dhe Enciklopedinë Britanike të plotë, Scotti, Zelda dhe Scottie, vogëlushja e tyre 2-vjeçare, u larguan nga Nju Jorku për në Sherburg të Francës, në bordin e piroskafit “Minewaska”. Morën me qera Vilën Marie në Bregun e Kaltërt, në Saint-Raphael, dhe këtu Scotti nisi të punojë seriozisht, duke u çliruar nga gjithçka që kishte shkruajtur tashmë, një histori me kohë fundin e Tetëqindës, dhe duke zgjedhur Nju Jorkun dhe Long Island në kohën dhe vendin ku ai ishte duke humbur, atë dëfrim të shkëlqyer, të paharrueshëm dhe të shfrenuar, të “krimit të dekadës”, të modës së radios, të furisë së alkoolit, të lirisë seksuale, të festave me kokteile, të aksidenteve vdekjeprurës në rrugë, të gangsterëve dhe policisë së korruptuar. Titulli i parë që zgjodhi ishte “Pirgje hiri dhe milionerë”, më pas “Ndodhi në West Egg”, apo “Nën të kuqen, të bardhën dhe blunë” dhe në fund botuesi arriti ta bindë të zgjedhë “The Great Gatsby”. Pasi dorëzoi dorëshkrimin e rishikuar në Romën e urryer, ai tha: “Besoj se është romani më i mirë amerikan që është shkruajtur ndonjëherë, është diçka që nuk e kam lexuar kurrë më parë”.

Krimi i dyfishtë Hall-Mills vazhdonte të ngacmonte gazetat (mes kronistëve të kohës shkëlqente Damon Runyon), frymëzonte romane dhe filma pa zë, dhe më pas ata me zë. Nuk gjendeshin fajtorët, por pas zhvarrimit të dy viktimave do të zbulohej për herë të parë se gruaja e re ishte goditur në kokë jo me një, por me tre plumba, dhe që e kishte fytin e prerë, të dhëna thelbësore këto që më parë i kishin shpëtuar policisë, ndoshta sepse ende nuk ekzistonte eksperti mjekoligjor. Në romanin që Scotti e kishte shkruajtur me laps dhe që nuk e kishte ndërprerë, edhe pasi kishte zbuluar me dhimbje dhe zemërim që Zelda e tradhëtonte me një pilot, kishin hyrë personazhe si George Wilson, bashkëshorti i brishtë i Myrtle, e dashura e pasanikut tom Buchanan, e vrarë prej automobilit të Getsbit por që nuk po e ngiste ai vetë: Wilsoni i ngjante, në dëshpërimin e tij, James Millsit, bashkëshorti i gruas së vrarë në rasin Hall-Mills, në një moment të caktuar i dyshuar, por asnjëherë i gjykuar. Daisy e mrekullueshme dhe egoiste, vajza gjithmonë e dashuruar prej Gatsbyt, dukej e frymëzuar nga dashuria e parë e Scottit, Ginevra King, një prej katër debutueseve më të bukura të Chicagos.

Nick Carraway, rrëfyesi, mund t’i ngjante vetë Fitzgeraldit, ndërkohë që shumë i pasuri dhe misteriozi Gatsby, i ri dhe bukurosh, i veshur gjithmonë me ngjyrë rozë apo të argjendtë, me shije jo të mirë edhe në shtëpinë e tij të tepruar, mund të kujtonte Max Gerlachun, një kontrabandist i njohur, i cili ashtu si Gatsby kishte luftuar në Luftën e Madhe.

I pasuruar nga proibicionizmi dhe veprimtari të tjera kriminale, i pashëm dhe melankolik, organizator festash të paharrueshme të hapura për këdo dhe në të cilat nuk merrte pjesë asnjëherë, me vaskat e banjove të mbushura me gin, Gatsby i Fiztgeraldit është nga ata personazhe pas të cilëve dashurohesh. Dhe jemi ende këtu, në pritje që kinemaja t’i japë fytyrën dhe shikimin e duhur: deri tani, katër Gatsby-t e kinemasë, Warren Baxter, Alan Ladd, Robert Redford dhe Leonardo DiCaprio, nuk janë ai, janë të zymtë, ndonjëherë në kufijtë e qesharakes.
Romani tek i cili autori dhe bashkëshortja e tij shpresonin aq shumë doli në SHBA në prill të vitit 1925, dhe nuk u pëlqye: shitën vetëm 20 mijë kopje dhe kritikat ishin shpesh të pamëshirshme. Kur vdiq, në dhjetor 1940, në moshën 44 vjeçare, Fitzgeraldi ndihej tashmë një dështak dhe ishte i sigurtë që Gatsby i tij do të harrohej përgjithmonë. Zelda, shoqja e mrekullueshme e një rinie të mrekullueshme, ishte shtruar prej kohësh në një klinikë për çrregullime mendore (vdiq në vitin 1948, në zjarrin që ra në klinikë), ndërkohë që ai kishte shkuar të jetonte me gazetaren e gossip-it, Sheilah Graham. Askush nuk e harroi The Great Gatsby-n. As në Amerikë nuk është harruar çështja Hall-Mills, e përmendur shpesh herë sepse ka mbetur e pazgjidhur.

Në vitin 1926, William Randolph Hearst, që kishte blerë “York Daily Mirror”, zbuloi krimin e dyfishtë dhe çështja u rihap. Vejusha e burrit të vrarë u arrestua bashkë me dy vëllezërit e saj dhe një kushëri. Më shumë se 300 gazetarë ndoqën procesin që zgjati një muaj. U urdhërua një tjetër autopsi dhe pati një tjetër zbulim, gjuha dhe laringu i të gjorës Eleanor ishin prerë. U thirrën 157 dëshmitarë dhe në 3 dhjetor, pas pesë orësh këshillimi, të akuzuarit u liruan. Pakujdesia, konkudon Careless People, “ka një rol thelbësor si tek The Great Gatsby, ashtu edhe në realitetin e kronikës së zezë”